Sa i rrezikshëm është "mutanti i dyfishtë" nga India?
1 Maj 2021Varianti indian i virusit Corona, i njohur si B.1.617 shfaq dy ndryshime të rëndësishme gjenetike në proteinën e tij sipërfaqësore. E484Q dhe L452R. Pas këtyre shifrave të pakuptueshme fshihet pozicioni i saktë i gjenit të ndryshuar. Mutacionet e veçanta të virusit janë të njohura prej kohësh. E484Q i ngjason variantit E484K, që u shfaq edhe tek varianti britanik, afrikanojugor dhe ai brazilian. Kurse mutacioni L452R gjendet ndërkohë në variantin kalifornian CAL.20C. Në Indi për herë të parë këto mutacione shfaqen së bashku, prandaj edhe raportohet për një "mutacion të dyfishtë".
Përgjegjës nuk është vetëm "mutacioni i dyfishtë"
Që të dy këta mutantë shfaqen së bashku nuk do të thotë, që ky variant është dyfish më infektues apo i rrezikshëm, kjo duhet studiuar ende. Deri tani thjesht mungojnë të dhënat për të vlerësuar më mirë këtë variant nga India. Sidoqoftë "mutacioni i dyfishtë" indian është vetëm një nga arsyet për gjendjen e tmerrshme në Indiaktualisht. Ky vend shënon më shumë se 17 milionë infektime të konfirmuara, këto janë infektimet më të larta në botë pas SHBA. Ndërkohë që shifra e errët duhet të jetë shumë më e lartë. Më shumë se 200.000 vetë kanë vdekur në Indi nga virusi.
Janë sidomos rastet e shumta të shfaqura në një kohë të shkurtër - 332.000 raste në një ditë - që e çuan në kolaps sistemin shëndetësor në shumë rajone ende të prapambetur. Për një kohë të gjatë autoritetet vepruan me gjysmë zemre në luftë kundër virusit, kufizimet u liruan shumë herët, madje u toleruan edhe grumbullime të mëdha.
"Escape" ikja nga sistemi imunitar
Kur një formë virusi arrin të anashkalojë sistemin imunitar të trupit, shkenca e vlerëson si "escape", ikje. Sipas Institutit Robert Koch këto mutacione çojnë në një "reduktim të neutralizimit nga antitrupat apo qelizat T". Rëndësi ka të dihet, se sa ndikon ky reduktim. Këto mutacione që i shpëtojnë efektit neutralizues të sistemit imunitar rrezikojnë edhe të vaksinuarit dhe të shëruarit nga virusi. Nuk dihet, nëse të vaksinuarit mund të infektojnë të tjerët. Eksperti i SPD-së për shëndetësinë dhe epidemiolog, Karl Lauterbach shkroi në twitter duke iu referuar një studimi për neutralizimin nga India, sipas të cilit, vaksinat që kemi aktualisht veprojnë kundër variantit të Indisë. Sipas një studimi britanik, rreziku i infektimit pas vaksinës reduktohet me dy të tretat. E kush infektohet, ka një rrezik të ulur me dy të tretat për të pasur një ecuri të rëndë të sëmundjes.
Vlerësimet ndërkombëtare
Megjithëse tingëllon cinike para situatës tragjike në Indi. Deri më tani Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron variantin indian B.1.617 vetëm si "variant of interest". Kurse si variante shqetësuese "variant of concern" konsiderohen varianti britanik, B.1.1.7, ai afrikanojugor B.1.351 dhe ai brazilian P.1. Sipas qëndrimit të OBSH këto variante janë shqetësues, sepse përhapen shumë më lehtë dhe shkaktojnë sëmundje të rënda e më të gjata, sepse virusi e anashkalon sistemin imunitar të trupit, dhe vaksinat e zhvilluara e kanë efektin më të dobët.
Deri më tani ka pak informacione vërtet të sakta mbi variantin e dyfishtë të virusit nga India. Por ekspertë gjermanë janë shprehur me tone qetësuese. Richard Neher, drejtues i grupit studimor të Evolucionit të Viruseve dhe Baktereve në Qendrën Biologjike të Universitetit të Bazelit thotë se "nga ato pak vëzhgime nuk mund të përcaktosh dot një trend por kjo duhet vëzhguar me kujdes." Besoj, se ky variant nuk meriton më shumë vëmendje se të tjerët, thotë Neher. Edhe drejtuesi i Virologjisë në Universitetin e Berlinit, Charite, Christian Drosten nuk shprehet i shqetësuar për këtë virus. Për të kapur mutantët e rinj të virusit me gjeneratën e re të vaksinave mjafton vetëm një "update-im i lehtë", tha Drosten në podcastin e tij në radion NDR.