1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sali Berisha në Bruksel: Ritmi i reformave duhet të dyfishohet

Viron Gjymshana24 Maj 2007

Një delegacion qeveritar shqiptar i kryesuar nga kryeministri i vendit Sali Berisha vizitoi sot selinë e NATO-s në Bruksel ku u takua me sekretarin e përgjithshëm të saj Jaap de Hop Scheffer si dhe me Këshillin e Përhershëm të Atlantikut Verior.

https://p.dw.com/p/AqVp
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë, Sali BerishaFotografi: AP

Ulja e tensioneve politike në vend si mundësi për të realizuar reformat euroatlantike ishte porosia e NATO-s për delegacioni qeveritar shqiptar.

Eshtë në dorën e Shqipërisë data e anëtarësimit të saj në gjirin e NATO-s. Një mundësi e tillë u pranua nga kryeministri shqiptar Sali Berisha pas takimit që ai zhvilloi sot në selinë e Aleancës Atlantike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hop Scheffer si dhe me Këshillin e Përhershëm të saj. Dhe ndryshe nga sa është zakon apo nga sa pritej ishte kryeministri shqiptar i shoqëruar nga ministri tij i mbrojtjes Mehdiu, dhe ai i jashtëm Basha, që dha një konferencë shtypi në selinë e Aleancës, i pashoqëruar kësaj rradhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Kryeministri shqiptar bëri të ditur se ai e njohu zotin Scheffer si dhe Këshillin e ambasadorëve të Aleancës me situatën e përgjithshme politike dhe ekonomike në vend dhe sidomos me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të plotësuar kriteret e NATO-s për anëtarësim. Por vetë zoti Berisha pranoi më pas se është e nevojshme dyfishimi i ritmit të reformave, që Shqipëria të ketë mundësi të ftohet për tu pranuar në gjirin e Aleancës Atlantike, gjatë samitit të vendeve të saj anëtare që do të mbahet vitin e ardhshëm në Bukuresht të Rumanisë.

Njëkohësisht Berisha pranoi se në NATO ishte diskutuar edhe për situatën e përgjithshme politike në vend, sidomos për çështjen e zgjedhjes së presidentit me marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës, për reformën zgjedhore, atë në drejtësi, luftën kundër krimit, korrupsionit etj etj. Ai pohoi më pas se kishte siguruar anëtarët e NATO-s se zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit do të jetë konsensuale, dhe do kryhet duke respektuar ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Në përbërje të delegacionit shqiptar merrte pjesë edhe përfaqësuesi i opozitës Ylli Bufi. Sipas tij porosia e NATO-s drejtuar klasës politike shqiptare sot ishte ulja e tensioneve politike në vend, si kusht për të vënë në jetë reformat euroatlantike që e presin Shqipërinë. Nga ana e tij kryeministri shqiptar theksoi me këtë rast se ai nuk ka kundërshtim të takohet me asnjë nga udhëheqësit e opozitës shqiptare, për të zgjidhur problemet e vendit, duke përfshirë këtu edhe kryetarin aktual të partisë socialiste Edi Ramën.

Në vijim të vizitës së tij në Bruksel kryeministri Berisha do të takohet sot në ora 16 me komisionerin Olli Rehn. Në ora 16.45, më së shpejti është paraparë një konferencë e përbashkët shtypi.