1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së i dedikohet pasojave të krizës

Christoph Hasselbach/Lindita Arapi27 Qershor 2013

Në samitin e BE-së në Bruksel të enjten, krerët e qeverive dhe shteteve europiane do të startojnë iniciativën e punësimit. Debatet nuk kanë fund, por së paku një ujdi u arrit.

https://p.dw.com/p/18xGS
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë rënë në ujdi për shpëtimin apo mbylljen e bankave në krizë. Lajmi u bë i ditur pas negociatash shtatë orëshe, mëngjesinë e së Enjtes. Krerët e financave të Europës japin një sinjal pozitiv për çështjen e unionit bankar në vigjilje të samitit të BE-së të enjten pasdite. Unioni bankar synon të krijojë më shumë besim tek bankat europiane dhe tregjet financiare.

Unioni bankar më pranë

Qeveritë e vendeve anëtare nuk kishin një qëndrim të përbashkët para samitit për një çështje: Kush do të paguate në të ardhmen, në rast se

një bankë falimenton? Deri më tani garant pagese dilte shteti, domethënë taksapaguesi. Por kjo nuk konsiderohej e drejtë nga ana sociale. Rastet e Irlandës dhe Qipros treguan se edhe një shtet mund të rrezikohet në përpjekjen e tij për të shpëtuar bankat dhe të ketë vetë nevoje për ndihmë.

Për të penguar raste të tilla, ministrat e Financave të BE-së natën e së Enjtes ranë dakord për të lehtësuar traksapaguasit duke kaluar përgjegjësinë në raste kritike tek aksionerët, kreditorët dhe zotëruesit e obligacioneve bankare apo klientët e pasur të bankave. Një kaskadë gacie do të ndihmojë të mos rëndohen taksapguesit. Po qe se shpëtimi i bankës ka pasojë të rënda, shteti do të tërhiqet. Problematike ishte deri më tani rastet përjashtuese që përfshinin disa vende. Nga këto varej nëse bankat në rast nevoje do të merrnin fonde nga ESM-ja fondi europian i shpëtimit. Me këtë shpëtimi i bankave kthehet në një çështje solidariteti europian. Për ministrin gjerman të Financave ëolfgang Schäuble ishte e rëndësishme që fondet e përbashkëta të mos vileshin aq lehtë. Me këtë ujdi tanimë i hapet rruga unionit bankar.

Punësimi i të rinjve

Kriza financiare ka dhënë shenja qetësimi, e askush nuk pret largimin e një anëtari të eurozonës. Megjithatë recesioni ekonomik nuk po zbutet me pasoja të rënda në punësim: 26 milionë europianë janë të papunë, më shumë se gjashtë milionë syresh janë të rinj - një nivel rekord.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso u drejtoi një thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së para fillimit të samitit të BE-së në Bruksel: "Ne duhet të marrim masa efektive kundër krizës sociale, këtu dhe tani." BE ka nevojë për "një konsensus të gjerë" për gjetjen e rrugëve të "rritjes ekonomike, punësimit dhe aftësisë konkurruese".

Një pikë uji në oqean?

Konkretisht do të bëhet fjalë për një iniciativë punësimi të të rinjve. Nga fillimi i vitit të ardhshëm do të ofrohen 6 miliardë euro për rajonet e prekura më rëndë nga kriza. Krahasuar veçse me qindra miliardë eurot që u ofruan për shpëtimin e bankave, një shumë e tillë është qesharake, kritikon Martin Schulz, presidenti i Parlamentit Europian. Një problem tjetër i 6-miliardëve: Fondet i përkasin buxhetit të ri shtatëvjeçar 2014-2020. Përpjekja më e re presidencës irlandeze për një ujdi mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Europiane për buxhetin europian, përfundoi pa sukses.

Europaabgeordneter Hannes Swoboda, Fraktionschef der Sozialdemokratischen Partei bei einer Pressekonferenz in Moskau, am 20.03.2012. Copyright: DW/Egor Winogradow Moskau, 20.03.2012
Eurodeputeti Hannes SwobodaFotografi: DW

Hannes Swoboda kryetar i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian kërkon "një buxhet të arsyeshëm" ndryshe lufta kundër papunësisë së të rinjve do të mbesë thjesht një deklaratë në letër. Ndërsa eurodeputeti konservator britanik, Martin Callanan beson se edhe këto shuma të vogla investimi janë para të hedhura dëm. E gjitha shkon drejt "tatimeve më të larta, drejt më shumë kontroll, më shumë Europë", ndaj është e paefektshme.

Franca nuk lejon diktat të Brukselit

Konsesusi që kërkon Barroso nuk arrihet kur vjen puna tek përmasat e bashkëpunimit të shteteve anëtare dhe disiplina buxhetor dhe aftësia konkurruese që kërkon të sanksionojë KE. Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk lodhet së kërkuari të dyja, - më shumë bashkëpunim dhe disiplinë buxhetore - ndryshe Europa nuk do ta ruajë dot këtë mirëqenie që ka arritur. KE publikon rregullisht rekomandimet për vendet anëtare duke theksuar edhe drejtimin e duhur që duhet të ndjekin këto vende.

Por cili është drejtimi i duhur? Në këtë pikë opinionet ndahen. Qeveria franceze nuk lejon "diktat" të Brukselit dhe tregon me këtë se sa e vështirë është të arrihet një nivel kërkese i detyrueshëm për vendet anëtare. Ndërkohë që KE u tregua zemërgjerë me Francën dhe i la këtij vendi më shumë kohë për reduktimin e deficitit buxhetor.

Euro dhe BE mbeten atraktive

Dallimet dhe kundërshtitë janë në BE ende të kudogjendura. Rebecca Harsm, bashkëkryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Europian kritikon: "Paaftësia për më shumë ujid brenda nesh në rrugën e integrimit të politikës ekonomike, reflekohet jashtë si një mungesë totale përgjegjësie." Në çështjen e Sirisë apo Libisë, BE ka dështuar qartasi në gjetjen e një qëndrimi të përbashkët në politikën e jashtme. Por ka shenja se BE si ide integrimi mbetet aktraktive. Shembulli më i mirë është anëtarësimi i Kroacisë në BE më 1. korrik. Shtetet e BE-së do të japin dritën e gjelbërt për bisedimet e anëtarësimit me Serbinë dhe duan të ofrojnë për këtë edhe një të datë të caktuar.