Samiti i BE-së për kushtetutën dhe refuzimi i Polonisë
18 Qershor 2007"Süddeutsche Zeitung" "Pesë ditë përpara samitit për kushtetutën, presidencës gjermane i duhet të konstatojë, se vetëm një mrekulli e vogël do të mund t´i shpëtojë rregullat e reja të lojës në BE. Nëse Evropa vërtetë do të zhytet në krizën më të madhe të saj që nisi pas dështimit të referendumeve për kushtetën, atëherë qeveria gjermane duhet të pranojë, se për muaj të tërë i ka nënvleftësuar përmasat e kokëfortësisë polake ndaj Evropës. Për pjesën tjetër përgjegjësinë e mban qeveria në Varshavë. Ajo për këtë duhet të paguajë edhe çmimin."
"Dresdner Neueste Nachrichten" komenton: "Në prag të samitit kancelarja pothuasje të gjitha vendet e BE-së i ka sjellë në një linjë. Pothuajse të gjithë, me përjashtim të fqinjes lindor të Gjermanisë. Polonia mbetet kryeneçe, kreu i shtetit Kazhinski insiston tek logjika e ashpër, se pesha e votës së shteteve të veçanta në BE në këshill duhet të përllogaritet me rrënjën katrore të numrit të popullsisë përkatëse. Që pikërisht qeveria në Varshavë tani po del si kundërshtarja më e fortë e kancelares dhe me këtë mund t´ia humbë asaj suksesin në samit, është ironi e historisë. Kancelarja ka qenë një ndër mbrojtëset më të mëdha për anëtarësimin e Polonisë. Samiti i BE-së për financat në dhjetor në vitin 2005, i pari ky nën drejtimin e Merkelit u mbyll me një çek ekstra prej 100 milionësh për të qetësuar gjakrat e ndezura të Varshavës. E pra në politikë mirënjohja është një vlerë në zhdukje."
"Märkische Allgemeine": "Edhe tani në thelb kemi të bëjmë me një konflikt mes atyre që e formësojnë Evropën dhe atyre që e pengojnë atë. Ai që e konsideron zgjerimin e institucioneve evropiane si kërcënim për sovranitetin kombëtar, konfirmohet si frenues. Në sfondin e e gjendjes në përgjithësi të turbullt tani duket thuajse si një mrekulli, që shumë anëtarë janë të bindur, se ka kuptim një raport i ri i votave në BE. Gjermania shumë herë e ka mbrojtur prej diskriminimit ish-kandidaten e mëparshme për anëtarësim, Poloninë. Nëse tani vendi fqinjë mirënjohjen do ta shprehë me frenim, ky do të ishte një skandal."
"Allgemeine Zeitung": "A duhet të kryhen votimet vërtetë njëzëri, kush e përfaqëson BE-në nga jashtë, kush kujdeset për vazhdimësinë, nëse secili vend do të marrë presidencën çdo 13 vjet e gjysmë? Këto janë çështje që duhet të sqarohen shpejt në fundin e kësaj jave. Me kohë duhet të gjenden edhe mjetet kundër zakonit të keq, që një qeveri pasardhëse lejohet të hedhë poshtë vendimet e parardhëses. Kështu ndodh në Poloni. Do të shohim, nëse vërtetë janë vetëm polakët, që kanë probleme me një BE të qeverisur më me rigorozitet. Edhe më interesante është çështja, se sa kohë vendet e tjera do ta lejojnë këtë refuzim. Mbetet si kërcënim krijimi i një Evrope bërthamë nga të vendosurit nën drejtimin e gjermanëve dhe francezëve. Por një gjë tillë nuk u vjen për mbarë frenuesve. Ndaj ka mundësi që nuk janë dhe aq keq shanset për Angela Merkelin në Bruksel."
"Neue Presse": "Qysh tani ka një propozim, Polonia mund të dalë nga BE-ja. Por kjo nuk e çon përpara Evropën. Në sfondin e bllokuesve në Varshavë sërish shtrohet pyetja, nëse është e mundur një Evropë unike. Ndoshta në fund do të krijohet Evropa e dy shpejtësive. Kazhinski duhet ta ketë të qartë, se Polonia do t´i përkasit grupit të të ngadalshmëve."