Samiti i jashtëzakonshëm i BE-së në Bruksel - BE-ja pezullon negociatat me Moskën
2 Shtator 2008Bashkimi Evropian bëri fjalë për njohje në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të rajoneve separatiste të Abkazisë dhe të Osetisë Jugore prej Moskës. Si reagim ndaj saj BE-ja po i pezullon hë për hë bisedimet me Rusinë. Negociata të mëtejshme mbi marrëveshjen e planifikuar të partneritetit do të ketë vetëm pasi Rusia të ketë tërhequr trupat nga Gjeorgjia, bëri të ditur presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso (José Manuel Barroso).
Dialogu nuk do të ndërpritet
BE-ja do të ndërmarrë një përpjekje të re ndërmjetësimi në krizën e Gjeorgjisë. Të hënën e ardhshme kryetari i radhës, Sarkozi (Nicolas Sarkozy), presidenti i Komisionit Barroso si edhe kryediplomati Havier Solana (Javier Solana) do të udhëtojnë drejt Moskës. Por për sa kohë ka trupa ruse në Gjeorgji, BE-ja do t'i shtyjë negociatat për marrëveshjen e re të bashkëpunimit dhe partneritetit me Rusinë. Kryetari i radhës Nikola Sarkozi u shpreh: "Bashkimi Evropian dëshiron një partneritet të vërtetë me Rusinë, por për të ndërtuar një partneritet nevojiten dy palë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë t'i hetojë rrethanat e kësaj kize në marrëdhëniet me Rusinë." Megjithatë, shtyrja e këtyre negociatave është edhe mjeti i vetëm i trysnisë që po përdor për momentin BE-ja.
Siguria në kontinentin evropian e rrezikuar
Përndryshe samiti i jashtëzakonshëm iu përkushtua krejtësisht çtensionimit. Dhe si shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish presidenti i Parlamentit Evropian, Pëtering (Hans-Gert Pöttering) sheh gabime edhe në palën gjeorgjiane: "Shkallëzimi i krizës në Gjeorgji paraqet një kërcënim të paparë për sigurinë në kontinentin evropian që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Edhe në qoftë se duhet të konstatojmë, se presidenti i Gjeorgjisë kreu një gabim të rëndë me veprimet e tij ushtarake kundër qytetit osetianojugor Çinvali, sjellja e Rusisë nuk mund të përligjet kurrsesi.”
Por konsekuencave serioze Rusia nuk ka nevoje të druaj. Dhe ajo që kishte për t'u thënë kryediplomati i BE-së gjeorgjianëve është me gjasa më pak sesa shpresonin ata: "Me rëndësi në marrëdhëniet me Gjeorgjinë është mbështetja politike dhe ekonomike si dhe prania në vend."
Me mbështetje ekonomike është fjala për ndihmën për rindërtim. Prania në vend, kjo do të thotë rreth 100 vëzhgues të BE-së. Ata do të verifikojnë respektimin e armëpushimit midis Gjeoirgjisë dhe Rusisë.
Lëshimet ruse
Dhe Rusia ka treguar tashmë lëshime. Moska e miraton trupën policore ndërkombëtare në zonat tampon rreth Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Andrej Nesterenko, tha dje në Moskë, se njësitë mund të pajisen me një mandat të OSBE-së dhe mund të dërgohen me "mbështetjen më të madhe të mundshme" të Bashkimit Evropian. Por ai la gjithashtu të kuptohej, se hë për hë Rusia nuk do t'i reduktojë trupat e saj atje.
Madje nga disa qeveri në BE, Rusia mund të presë edhe mirëkuptim, edhe nga mikpritësi, Franca. Kryeministri Francois Fillion tha në një intervistë me stacionin radiofonik Europe 1, se në njëfarë mënyre Rusia është poshtëruar gjatë 20 viteve të fundit.Ky mirëkuptim për Rusinë është pikërisht ajo çka zemëron jo vetëm gjeorgjianët, por edhe disa vende lindore të BE-së.
Vija ndarëse e BE-së
Si rrjedhojë e krizës në Kaukaz ministri i jashtëm polak, Radoslaw Sikorski theksoi rëndësinë e një "partneriteti lindor" të BE-së, nismëtare e të cilit është edhe Suedia. Natyrisht një projekt i tillë i veçantë vetëm sa do ta thellonte ndarjen në BE. Dhe Sikorski tha shprehimisht: "Të gjithë ne duam ta shmangim njëfarë Lufte të Ftohtë, por në rast se do të kemi Luftë të Ftohtë, nuk kam kurrfarë dyshimi, se kush do ta fitonte."
Atë e miratoi ministri i jashtëm çek Karel Schwarzenberg, i cili u shpreh sërish për bojkotimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi në 2014-ën.
Kështu vija e ndarjes në BE kalon përsëri pikërisht midis atyre vendeve, të cilat kanë përvojë si ish-shtete satelite sovjetike, dhe shteteve të vjetra të BE-së në Perëndim, një ndarje, të cilën në fakt u përpoqën ta shmangnin të gjithë.