1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti për armët nukleare nën hijen e Krimesë

Marcus Lütticke/Bahri Cani 25 Mars 2014

Për herë të parë prej vitit 1997 u mbajt samiti i vendeve më të industrializuara pa Rusinë. Në Hagë më së shumti vëmendje po i kushtohet krizës në raportet me Rusinë. Shtohet shqetësimi për përhapjen e krizës.

https://p.dw.com/p/1BVIT
Samiti në Hagë
Samiti në HagëFotografi: picture-alliance/dpa

Data ishte përcaktuar prej kohësh. Presidentët dhe kryeministrat e 53 vendeve kanë dashur që në Hagë të këshillohen për mundësinë e parandalimit të bombave të palejueshme. Por agjenda e takimit ka ndryshuar, për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Krime. Ndaj takimi i G7-ës për herë të parë u mbajt pa pjesëmarrjen e Rusisë dhe ishte një lloj samiti i krizës.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov po merr pjesë në samitin për armët atomike, por nuk u lejua të marrë pjesë në takimin e G7 (ku janë SHBA, Japonia, Gjermania, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca dhe Italia). Për herë të parë prej vitit 1997, kur Rusia ende nuk ishte anëtare e grupit të vendeve më të industrializuara. Prej vitit 1998 Rusia ka qenë gjithmonë pjesë e këtij grupi, i cili deri tani është njohur si G8.

Debatet për lëvizjet e trupave

Iniciativa për këtë takim ka ardhur nga presidenti Barack Obama, i cili ishte edhe nikoqir. SHBA dhe NATO kanë treguar në fundjavë shqetësim për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën. Këshilltarja e presidentit Obama për siguri Susan Rice kumtoi se ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel ka telefonuar me homologun e tij rus: "Nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo. Rusët thonë se fjala është për manovra ushtrake. Por ekziston një dallim mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë. Ne jemi skeptikë ndaj këtyre zhvillimeve".

Barack Obama gjatë rrugës për në samit
Barack Obama gjatë rrugës për në samitFotografi: Reuters

Moska ka hedhur poshtë pohimet për grumbullimin e trupave të saj në kufi me Ukrainën. Zëvendësministri i Mbrojtjes Anatoli Anatov pohon se Rusia po i respekton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Roli i NATO-s

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen foli për një rol më të fuqishëm të NATO-s, për shkak të situatës së tensionuar. "Tani është me rëndësi për partnerët që kufizohen me Rusinë, që NATO të tregojë prezencë", tha ajo për revistën "Spiegel". Fjalët e saj janë kritikuar nga disa politikanë të partnerëve në koalicion. Eksperti i SPD për politikë të jashtme Nils Annen kritikoi ministren për deklarata që mund të përshkallëzojnë gjendjen.

Ursula von der Leyen
Ursula von der LeyenFotografi: picture-alliance/dpa

Në Kiev është shtuar frika nga mundësia e ndërhyrjes së trupave ruse edhe në lindje të vendit. Në qytetin Donjeck ka pasur të dielën (23.03.2014) edhe një demonstratë të madhe për ndarjen e këtij rajoni nga Ukraina. Mijëra njerëz kanë kërkuar një referendum për anëtarësim me Rusinë.

Frika është përhapur edhe në vendet e tjera, sepse krerët e Rusisë kanë deklaruar se duan të mbrojnë të gjitha territoret e banuara me minoritet rus. "Në Baltik po mbretëron një lloj përzierje mes frikës dhe kujdesit", shpjegon Kai-Olaf Lang, drejtues i grupit për integrime evropiane në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë, në një bisedë me DW. Edhe në Moldavi janë shtuar shqetësimet për shkak të mundësisë së ndërhyrjes së trupave ruse.

Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin ka deklaruar në një telefonatë me kancaleren Angela Merkel, se Rusia nuk do të përpiqet të destabilizojë Moldavinë. Kancelarja Merkel e ka theksuar edhe një herë se aneksimi i Krimesë është "pa dyshim" në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Moska ka përgjegjësinë që në Krime të mos ketë gjakderdhje.

Ukraina ka kumtuar se do të tërheqë trupat e veta nga Krimeja. Këto trupa do të vendosen në brendësi , thotë presidenti kalimtar Alexander Turçinov, të hënën në takimin e Këshillit të Sigurisë në Kiev.