1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz beson në zgjidhje të shpejtë për buxhetin

12 Dhjetor 2023

Ka lëvizje në konsultimet për buxhetin federal. Kancelari Scholz shprehu optimizëm se negociatat mund të përfundojnë së shpejti. Frena e borxhit mbetet një pikë kryesore e mosmarrëveshjes: CDU kërcënon me hapa ligjore.

https://p.dw.com/p/4a2UB
Deutschland Berlin Pressekonferenz nach der Kabinettsklausur der Bundesregierung
Fotografi: Ben Kriemann/PIC ONE/picture alliance

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur besimin se negociatat për boshllëkun prej miliarda eurosh në buxhetin e vitit 2024 do të përfundojnë së shpejti. Politikani socialdemokrat u shpreh se kjo është detyrë e madhe. "Por ne kemi bërë aq shumë përparim, sa mund të jemi shumë të sigurt se së shpejti do të jemi në gjendje t'ju tregojmë rezultatin." Një zëdhënës i qeverisë tha se negociatat kishin "avancuar shumë" dhe një sërë çështje tashmë ishin sqaruar në shkëmbime të mira dhe konfidenciale mendimesh.

Scholz ka kërkuar një zgjidhje për krizën buxhetore prej javësh në bisedimet trepalëshe me Ministrin liberal të Financave Christian Lindner dhe Zëvendëskancelarin Robert Habeck, nga Të Gjelbrit. Pasditen e së dielës vonë, bisedimet u shtynë për sot. Kryetarja e SPD, Saskia Esken foli gjithashtu për përparim. "Tani do të ndodhë diçka. Dhe pastaj do të kemi një bazë për të vazhduar qeverisjen," tha ajo në programin e përbashkët të mëngjesit të ARD-së dhe ZDF-së.

FDP: Nuk ka largim nga qeveria

Kreu i grupit parlamentar të FDP-së, Christian Dürr shprehu të njëjtin besim, duke deklaruar se beson se mosmarrëveshja buxhetore mund të zgjidhet. "Pa rrugëdalje situata nuk është" tha Dürr në radion Deutschlandfunk në lidhje me diskutimet e brendshme të koalicionit. Në buxhetin e vitit 2024, duhet të mbyllet një boshllëk prej 17 miliardë eurosh "kjo është e menaxhueshme", tha ai. Megjithatë, konsultimet brenda koalicionit zgjasin shumë për shkak të kompleksitetit të përgatitjes së buxhetit.

Dürri i hodhi poshtë qartë spekulimet për mundësinë e largimit të FDP nga koalicioni. "Synimi im i vendosur është që ne të vazhdojmë të jemi pjesë e një qeverie federale që vazhdon të formësojë të ardhmen”. Nëse FDP nuk do të ishte pjesë e qeverisë, gjërat do të ishin ndryshe në Gjermani, tha Dürr. "Ne ndoshta do të kishim nivele borxhi të ngjashme me ato të epokës së koronavirusit dhe kjo do të ishte gabim." Ministri i Transportit Volker Wissing e kishte bërë tashmë të qartë se partia e tij do të mbetet në koalicionin qeveritar.

 Olaf Scholz, Robert Habeck dhe  Christian Lindner ne Bundestag
Fotografi: Markus Schreiber/AP/picture alliance

FDP kundërshton zbutjen e frenës së borxhit

Në të njëjtën kohë, FDP ripohoi kufijtë se ku mund të shkojë në negociata. Sekretari i Përgjithshëm, Bijan Djir-Sarai hodhi poshtë çdo zbutje të frenës së borxhit me të njëjtën ashpërsi si rritjen e taksave. "Rritja e taksave do të ishte thjesht helm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Dhe ne nuk e duam këtë. Dhe as nuk do ta lejojmë", tha ai. Respektimi i frenës së borxhit të parashikuar në kushtetutë është gjithashtu jashtëzakonisht i rëndësishëm për FDP-në.

Në fundjavë, SPD kishte bërë thirrje për shpalljen e një emergjence të re buxhetore për shkak të luftës ruse të agresionit në Ukrainë, në mënyrë që të pezullohej frena e borxhit. Anke Rehlinger, nënkryetare e SPD dhe kryeministre e Landit të Zarës paralajmëroi për një "spirale të kursimeve, në fund të së cilës nuk do të gjendet asgjë e dobishme". Si zgjidhje, mund të përfytyrohet pezullimi i frenës së borxhit deri në vitin 2024, tha Rehlinger. "Kjo sigurisht që do të kërkojë përpjekje, por ne nuk duhet t'i shmangemi atyre."

CDU nuk përjashton hapa të mëtejshme ligjore

Menaxheri i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Thorsten Frei, nuk përjashtoi një tjetër padi të partive unioniste në Gjykatën Kushtetuese Federale për këtë çështje. Natyrisht, gjërat duhet të "studiohen me kujdes", tha ai. "Nëse koalicioni dëshiron të rregullojë edhe buxhetin e 2024 duke hequr frenën e borxhit dhe duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, atëherë, për mendimin tim, ne duhet të ndërmarrim veprime ligjore ndaj kësaj. Sepse kjo është qartësisht antikushtetuese." Ti nuk mund ta shpallësh krizën si normë dhe të shmangësh sistematikisht frenën e borxhit të përcaktuar në kushtetutë. 

Në mes të nëntorit, Gjykata Kushtetuese Federale shpalli të pavlefshme rialokimin e 60 miliardë eurove nga buxheti i vitit 2021 për fondin e klimës dhe transformimit, pas një padie të grupit parlamentar CDU/CSU. Gjyqtarët vendosën gjithashtu që qeveria federale nuk mund t'i ruajë kreditë emergjente për vitet e mëvonshme. Kjo solli situatën aktuale për buxhetin e vitit 2023, për të cilën tani do të pezullohet sërish frena e borxhit.