Scholz: Thirrje për luftë kundër antisemitizmit e urrejtjes
27 Janar 2024Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, kancelari Olaf Scholz ka bërë thirrje për luftë të vendosur kundër antisemitizmit dhe racizmit në Gjermani. Në mesazhin me video, "Kancelari kompakt", politikani socialdemokrat ka kujtuar ditën e çlirimit të kampit të përqëndrimit, Aushvic para 79 vjetësh dhe miliona viktima të nacionalsocialistëve. Demokracia jonë rezulton nga përgjegjësia, që rrjedh nga historia gjermane dhe nga mësimi prej saj 'kurrë më'". "Kurrë më përjashtim dhe shfuqizim të drejtash, kurrë më ideologji racash dhe dehumanizim, kurrë më diktaturë. Është detyra themelore e këtij shteti të kujdeset për këtë", ka thënë Scholz. Për këtë arsye shteti duhet të luftojë "çdo formë të antisemitizmit, të propagandës së terrorit dhe antihumanizmit".
Në të gjithë Gjermaninë sot në Ditën Përkujtimore të Viktimave të Holokaustit vendosen kudo kurora për përkujtimin e viktimave të nazistëve, por zhvillohen edhe protesta kundër ekstremistëve të djathtë, në vazhdën e protestave disa javore pas publikimit të raportimeve për plane "riemigrimi" të ekstremistëve të djathtë me politikanë të AfD-së, që për ekstremistët nënkupton dëbimin e miliona të huajve, edhe atyre me pasaportë gjermane.
Parimi "kurrë më" nuk i drejtohet vetëm shtetit. Ai kërkon vigjilencën e të gjithëve. Demokracia jonë nuk është dhënë nga lart, ajo është bërë nga njerëzit. Në këtë kontekst, kancelari gjerman vlerësoi protestat e qindra mijëra gjermanëve kundër ekstremizmit të djathtë në javët e kaluara. "Vendi ynë tani është ngritur në këmbë. Miliona qytetare e qytetarë dalin në rrugë për demokraci, respekt dhe humanizëm", ka theksuar Scholz në mesazhin me video. Pikërisht tani në kohën e rritjes së populistëve të djathtë në BE, që "nxisin frikën dhe mbjellin urrejtjen", dhe në kohën e raportimeve "për neonazistë dhe rrjetet e tyre të errëta", është me shumë rëndësi të mbrojmë demokracinë. Pikërisht këto njerëzit duhet të dëgjohen dhe të ngrihen "kundër antisemitizmit, kundër racizmit, kundër urrejtjes njerëzore dhe për demokracinë tonë", ka kërkuar kancelari gjerman.
Komiteti i Aushvicit kërkon qëndrim më rë ashpër kundër ekstremizmit
Edhe politikanë të tjerë kanë marrë shkas nga 27 janari, Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Viktimave të Holokaustit për të theksuar rëndësinë e kulturës së kujtesës për diktaturën nacionalsocialiste dhe kanë paralajmëruar nga rreziku i fuqizimit të ekstremistëve të djathtë. Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit ka kërkuar veprim më të ashpër kundër strukturave të ekstremistëve të djathtë në Gjermani dhe Europë. Rrjete të gënjeshtarëve konspiracionistë dhe nxitësve të urrejtjes janë duruar për shumë kohë, kritikoi zëvendëspresidenti i ekzekutiv i këtij komiteti, Christoph Heubner, duke shtuar se është nëvlerësuar rreziku i këtyre rrjeteve për shtetin ligjor. Sërish përhapet "urrejtja antihumaniste dhe antisemitiste në shumë vende të Europës", ka theksuar Heubner. Pikërisht për këtë arsye të mbijetuarit u janë mirënjohës atye qindra mijëra njerëzve që këto ditë ngrihen kundër harresës.
Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për mizoritë naziste gjatë Holokaustit. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm për kujtesën luajnë vendet përkujtimore dhe ish-kampet e përqëndrimit, ka thekuar Kreu i këtij Këshilli, Josef Schuster. Schuster ka kërkuar mbështetjen më të mirë financiare të institucioneve të kujtesës nga landet dhe federata, sepse ato forcojnë "demokracinë tonë të gjallë".
E mbijetuara e Holokaustit, Margot Friedländer është shprehur e shqetësuar për rritjen e rasteve antisemitiste në Gjermani. "Nuk do e kisha menduar kurrë, që do të ndodhte sërish kështu, se kështu filloi edhe atëherë", ka kujtuar 102 vjeçarja, të premten për ARD. Për "ata që e kanë përjetuar këtë", është "veçanërisht e vështirë ta kuptojnë dhe shumë e trishtueshme".
Kurse ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit) me rastin e Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit ka bërë thirrje për të nxjerrë mësime nga mizoritë e nacionalsocialistëve. "Varet nga ne të gjallët që nga përgjegjësia për të kaluarën tonë të formësojmë të sotmen", ka theksuar Baerbock në platformën X, duke shtuar, se "kurrë më është tani." Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser që e përkujton 27 janarin në ish-kampin e përqëndrimit për gratë, Ravensbrück, ka theksuar, se "pikërisht tani, kur disa i zbusin apo duan t'i harrojnë këto krime të njerëzimit ne duhet ta mbajnë kujtimin gjallë. Ne duhet të përçojmë më tej, atë që na thonë dëshmitarët e fundit që janë gjallë". Kryemininistri i landit të Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil në këtë ditë kujtoi rritjen e armiqësisë ndaj hebrenjve së fundmi. "Në Gjermani dhe në Saksoninë e Poshtme përjetojmë sërish rritje të antisemitizmit." Prandaj bëhet edhe më e rëndësishme të mbahet gjallë kujtimi. "Ne nuk duhet të harrojmë fillesat e nacionalsocializmit."
la/ag