1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëGjeorgji

Gjeorgjia: Protesta masive kundër ndikimit rus

Maria Katamadze
9 Dhjetor 2024

Protestat në Gjeorgji nuk kanë fund. Protestuesit po luftojnë jo vetëm për të ardhmen evropiane, por edhe kundër ndikimit rus.

https://p.dw.com/p/4ntIJ
Protestuesit, disa me fytyrat mbuluar, rreshtohen në Gjeorgji.
Gjeorgjia është përfshirë në protesta të përditshme, të shoqëruara me përplasje të dhunshme me policinë.Fotografi: Alexander Patrin/ITAR-TASS/IMAGO

Ditë pas dite, natë pas nate, protestuesit që mbajnë flamuj të Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Evropian janë mbledhur në rrugët e kryeqytetit, Tbilisi dhe në mbarë vendin. Për më shumë se një javë, temperaturat e ngrira dhe represioni i dhunshëm policor nuk kanë arritur të pengojnë mijëra njerëz të demonstrojnë kundër zgjedhjeve të diskutueshme dhe vendimit të qeverisë për të pezulluar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Demonstruesit kanë dy kërkesa kryesore: zgjedhje të reja pas votimit të diskutueshëm parlamentar të 26 tetorit dhe kthim në rrugën evropiane të parashikuar në kushtetutën e vendit. Partia në pushtet "Ëndrra e Gjeorgjisë" akuzoi opozitën se po "inskenon një revolucion Maidan" - duke iu referuar kryengritjes së vitit 2014 në Ukrainë kundër presidentit prorus Viktor Janukoviç - me ndihmën e "sponsorizuesve të huaj".

Tbilisi - demonstrues antiqeveritare të kapur përkrahu duke protestuar në rrugët e Tbililsit
Tbilisi - demonstrues antiqeveritareFotografi: Alexander Patrin/ITAR-TASS/IMAGO

Njoftimi në fund të nëntorit nga qeveria aleate me Moskën për qëllimin e saj për të pezulluar negociatat e pranimit në BE deri në vitin 2028 dhe për të refuzuar çdo financim të ri të BE ngjalli zemërim në opinionin publik. Shumica e protestuesve besojnë se Rusia, fqinji i Gjeorgjisë në veri, i lëviz fijet në fshehtësi.

"Ne jemi përpjekur të jemi pjesë e BE që nga pavarësia jonë," tha për DW Giorgi, një profesor universiteti gjatë një proteste jashtë parlamentit në Tbilisi të premten. "Ata nuk duan të pranojnë se janë kukulla të Rusisë, si Bjellorusia. Por ne shohim se ata po i japin fund të ardhmes sonë evropiane. Ky nuk është thjesht një pezullim, por një përfundim".

Partia në pushtet ka mohuar ashpër çdo simpati proruse, duke e pozicionuar veten si partia e vetme që mund t'i shpëtojë gjeorgjianët nga një luftë tjetër mes pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

"Sot ka një konfrontim global; ju jeni ose në njërën anë të barrikadave ose në anën tjetër - nuk ka rrugë të mesme," tha Giorgi. "Ndikimi rus në Gjeorgji po rritet nëse qeveria konfrontohet me Evropën, do të thotë se është në anën ruse".

Fushata zgjedhore e Ëndrrës së Gjeorgjisë u mbështet në aspiratat evropiane të shumicës së gjeorgjianëve, të cilët rregullisht treguan mbështetjen e tyre për rrugën evropiane në sondazhet e opinionit. Por pas sigurimit të kontrollit mbi pushtetin në zgjedhjet e diskutueshme të tetorit, kthesa e papritur e partisë në politikën e jashtme, duke u larguar nga Perëndimi, tronditi shumë njerëz.

Tbilisi - protesta antiqeveritare, njerëz duke mbajtur në duar flamujt të Gjeorgjisë dhe të BE-së
Tbilisi - protesta antiqeveritareFotografi: Zurab Tsertsvadze/AP/dpa/picture alliance

"Nëse qeveria do Rusinë për ne, pse e do Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për fëmijët e saj, ku ata studiojnë dhe jetojnë?" tha për DW Iva, një aktore, teatri i së cilës aktualisht është në grevë. "Për ta është më e lehtë të jesh i korruptuar, për të fituar para nga Rusia dhe për t'i shpenzuar në Evropë".

Partia në pushtet nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore

Pas zgjedhjeve të 26 tetorit, Komisioni Zgjedhor Gjeorgjian shpalli fitoren e Ëndrrës së Gjeorgjisë me 54% të votave. Presidentja pro BE, Salomé Zourabichvili, partitë opozitare dhe grupet e shoqërisë civile e kanë akuzuar qeverinë për manipulim të zgjedhjeve.

Partia në pushtet pretendoi se zgjedhjet ishin të rregullta, por disa vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë vunë re parregullsi të shumta.

Zviad, një protestues që vuri në dyshim legjitimitetin e rezultateve, i tha DW në një demonstratë se po kërkonte një votim të ri.

"Pashë se si vëzhguesit nga partia në pushtet u bënin presion njerëzve në qendrat e votimit për të votuar për Ëndrrën e Gjeorgjisë. Unë e dokumentova dhe nuk jam i vetmi. Partia në pushtet mori të gjitha institucionet shtetërore: parlamentin, gjykatat dhe komisionin zgjedhor, ” tha ai.

Irakli Kobachidse, kryeministri i Gjeorgjisë shikon në kamera
Irakli Kobachidse, kryeministri i GjeorgjisëFotografi: Georgian Dream party/AP/dpa/picture alliance

Gjatë protestave të fundit paqësore, policia i ndoqi protestuesit, i arrestoi dhe i rrahu. Avokati i popullit gjeorgjian Levan Ioseliani i quajti veprimet e policisë "brutalitet" dhe "torturë".

Data Kharaishvili, përkthyes letrar dhe protestues pro BE-së, tha për DW se ai u rrah rëndë nga policia teksa "i rrinte jashtë" gjatë një mbledhje të parlamentit këtë javë.

"Policia nuk ka vija të kuqe. Ajo është e dhunshme për të penguar njerëzit të marrin pjesë në mitingje. Dhe për të treguar se kjo është ajo që ndodh me ju po të protestoni," tha ai.

Kryeministri thotë se opozita është përgjegjëse për dhunën

Sipas vlerësimeve të fundit nga grupi Transparency International, rreth 400 persona u arrestuan gjatë protestave. Më shumë se 300 u plagosën, duke përfshirë disa gazetarë.

Kryeministri Irakli Kobakhidze akuzoi krerët e opozitës për orkestrimin e dhunës, duke i fajësuar ata për lëndimet.Ai gjithashtu lavdëroi policinë që "pati sukses në neutralizimin e kapacitetit të demonstruesve për dhunë", duke shtuar se oficerët u sulmuan nga demonstruesit të cilët hodhën gurë dhe fishekzjarre.

"Ne kemi fituar një betejë të rëndësishme kundër fashizmit liberal në vendin tonë," u tha ai gazetarëve, duke i bërë jehonë retorikës së përdorur nga Kremlini kundër kundërshtarëve të tij politikë.

Përkthyesi Data Kharaishvili në spital me fasho në kokë
Përkthyesi Data Kharaishvili u plagos gjatë protestaveFotografi: Maria Katamadze/DW

Pavarësisht se pësoi një dëmtim në sy, një hundë të thyer dhe një tronditje, Kharaishvili tha se do të kthehej në rrugë sapo të shërohej plotësisht.

"Unë po luftoj për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vendin tim. Ne po fundosemi në fund të oqeanit. Ne do të jemi si Bjellorusia. Nuk ka kthim prapa, ata nuk mund të na ndalojnë," tha ai.

Shumë demonstrues të pranishëm në sheshin e Parlamentit të premten e konsiderojnë krizën aktuale kushtetuese si një moment që nuk duhet humbur. Qeveria nuk ka treguar asnjë shenjë tërheqjeje dhe të dyja palët duket se po presin të shohin se kush do të dorëzohet i pari.

"Sa mund të zgjasë kjo? Ne mund të qëndrojmë këtu për dy javë, tre javë, por çfarë mund të bëjmë pas kësaj? Kam frikë se protesta jonë përfundimisht do të shuhet," thotë Anna, një nga demonstruesit.

Shumica e protestuesve me të cilët foli DW thanë se donin "një kompromis paqësor". Megjithatë, pak prej tyre pikturuan një tablo më të errët të së ardhmes: "Revolucionin".