1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seminar në Prishtinë mbi rolin e qeverive lokale në procesin e integrimit evropian

Bekim Shehu16 Maj 2006

Forcimi i qeverisjes lokale duhet të sigurojë atë që qytetarët të identifikohen me institucionet e veta dhe të ndjehen të mirëpërfaqësuar, u theksua në seminarin e organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

https://p.dw.com/p/AsFU
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Përfaqësues të pranisë ndërkombëtare dhe udhëheqës të institucioneve të Kosovës, thonë se, forcimi i qeverisjes lokale nuk është një formulë që ka për qëllim për të kënaqur vetëm pakicat. Sipas tyre forcimi i qeverisjes lokale është një gurthemel i qeverisjes së mirë, e cila ka për qëllim që të sigurojë se njerëzit mund të identifikohen me institucionet e tyre.

Kështu u konstatua në një seminar mbi "Rolin e Qeverive Lokale në procesin e Integrimit Evropian", të organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile dhe i mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Përfaqësues të komisionit evropian, nga ana e tyre thonë se, forcimi i qeverisjes lokale duhet të ketë një qëllim, që të sigurojë njerëzit në mënyrë që ata të mund të identifikohen me institucionet e veta dhe të ndjehen mirë të përfaqësuar. Sipas tyre, autoritetet duhet të kenë për qëllim që të jenë afër qytetarëve, posaçërisht duke organizuar punën e tyre në një mënyrë transparente, në mënyrë që njerëzit të dinë se kush është përgjegjës për çka dhe të bëjnë që pikëpamjet e tyre të dëgjohen.

Ky është synimi evropian që po kërkohet të arrihet në Kosovë dhe në këtë linjë janë institucionet lokale faktorët kryesor në përmbushjen e standardeve. Bashkimi evropian, në rekomandimet e tij nga cilido kandidat kërkon që të përmbushë një varg standardesh të caktuara për tu bërë anëtarë i këtij mekanizmi. Ndërsa për Kosovën këto standarde janë përpiluar përbrenda partneritetit evropian dhe një pjesë e këtyre standardeve, nëse jo shumica, duhet të përmbushen në nivelin lokal.

Mirëpo, në seminar u tha se disa komuna të Kosovës kanë specifika të veçanta në të cilat duhet kushtuar më shumë kujdes. Këtu përmendet qyteti i Mitrovicës, ku çështja e integrimit evropian në këtë komunë është komplekse.

Sidoqoftë, procesit të standardeve prioritare për Kosovën të caktuara nga KS-it, i OKB-së, gradualisht po i vjen fundi, ndërsa, tash qeveria e Kosovës përmes një zyre të posaçme angazhohet për integrime evropiane. Qeveria ka hartuar një projekt i quajtur "plani i veprimit për partneritet evropian", i cili përmban edhe planin e parë të standardeve për Kosovën por edhe prioritete të reja të Komisonit evropian. Plani i veprimit për partneritet evropian, do të zgjerohet edhe me grupe të reja punuese dhe një zyrë qeveritare për integrime evropiane dhe kjo zyrë tash do të jetë institucioni i vetëm i cili do të raportojë për progresin në këtë plan, jo para KS-it, por para komisonit evropan.