Serbia dhe Kosova si RFGJ-ja dhe RDGJ-ja?
2 Gusht 2017Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka hapur kohët e fundit "një dialog brenda Serbisë" për Kosovën. Shumë besojnë se ai po përpiqet në këtë mënyrë që ta ndajnë përgjegjësinë për një njohje de facto të Kosovës me të gjithë kombin. Por dëgjohen edhe sugjerime të tjera - p.sh. në qarkullim është përsëri modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore e vitit 1972. A është ky një model i mirë?
Sipas politologut dhe ekspertit për Ballkanin, Werner Weidenfeld, gjendja është e tillë që ndoshta askush nga palët e mëdha në konflikt nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i vet krejtësisht. Është si dikur mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore: dy pikëpamje të ndryshme, askush në thelb nuk heq dorë në parim, por ka një interes për përmirësimin praktik të situatës. Të gjitha palët vazhdojnë në parim pozicionin e tyre, por përtej tij ka një përmirësim të situatës praktike. Nëse ato janë të interesuara për kontakte më të mira, për shembull, në heqjen e pengesa për qarkullimin, atëherë modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore mund të shërbejë sigurisht si model. Por në një marrëveshje të tillë nuk duhet të përfshihet çështja e statusit të Kosovës.
Këtë model unë e kam sugjeruar, për shembull, për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Nëse negociatat në konfliktin e Lindjes së Mesme fillojnë direkt me sqarimin statusit të Jeruzalemit, ato nuk do të shkojnë kurrë përpara. Në konfliktin Lindje-Perëndim gjërat u bënë ndryshe dhe pati përparime të mëdha.
Çështjet e statusit nuk duhen bërë patjetër elemente thelbësore të bisedimeve
Modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u propozua që nga viti 2007 nga Wolfgang Ischinger, por Beogradi e hodhi asokohe poshtë këtë propozim. Tani status-quoja është një tjetër dhe kjo duhet të jetë baza, për të cilën mund të diskutohet. Një prej pasojave të marrëveshjes mes RDGJ-së dhe RFGJ-së ishte që të dyja shtetet u bënë anëtare të OKB-së. Kurse Kosova nuk është anëtare e OKB-së ndër të tjera edhe prej rezistencës së Rusisë. Sipas mendimit të Werner Weidenfeld nëse synohet të arrihet përparim në këtë drejtim nuk duhet që bisedimet të rëndohen me një barrë të tillë kaq të madhe. "Çështjet e statusit nuk duhen bërë patjetër elemente thelbësore të bisedimeve të mëtejshme. Ato mund të diskutohen pasi të jenë arritur zhvillime pozitive. Një marrëveshje e tillë do të çonte dhe në mënjanimin e çështjes së kufijve, si dikur mes RDGJ-së dhe RFGJ-së. Vendet e Ballkanit duan të integrohen në BE, por ato kanë tensione mes tyre dhe duhet të punojnë për t'i ulur ato."
Të gjitha idetë duhen diskutuar
Në lidhje hedhjen në qarkullim të idesë së vjetër për ndarjen e Kosovës nga ministri i Jashtëm të Serbisë Dačić, sipas së cilës Serbia duhet të marrë veriun e Kosovës dhe Kosova rajonin e Preshevës, politologu dhe eksperti për Ballkanin Weidenfeld, mendon se duhen mbledhur dhe diskutuar të gjitha idetë që gjërat të shkojnë përpara. Gjëja më e mirë është që palët të thonë, se cilat janë sipas tyre idetë më të mira dhe pastaj të diskutojnë me ndihmën e ndonjë ndërmjetësi, p.sh. Presidentit të Këshillit të Evropës.
Prof. Dr. Werner Weidenfeld është profesor për Sistemet Politike dhe Integrimet Evropiane në Universitetin e Mynihut dhe drejtor i Qendrës për Hulumtime të Politikave të Aplikuara. Ai është autor i shumë librave dhe ekspert për politikën ndaj Ballkanit. Nga viti 1987 deri 1999 ai ishte Koordinator i qeverisë gjermave për bashkëpunimin gjermano-amerikan.