Serbia dërgon trupa ushtarake në kufirin e Kosovës
26 Maj 2023Serbia vuri në gatishmëri të lartë ushtrinë dhe urdhëroi disa njësi që të dislokohen më afër kufirit me Kosovën pasi një grup i vogël protestuesish dhe policie u përleshën në Zveçan, një qytet me shumicë serbe në veri të Kosovës.
"Është urdhëruar një lëvizje urgjente (e trupave) në kufirin e Kosovës," tha ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç në një emision të drejtpërdrejtë televiziv. "Është e qartë se në Kosovë po ndodh terror ndaj komunitetit serb”.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë serbët që u mblodhën para ndërtesave komunale në qytetin kosovar të Zveçanit, duke u përpjekur të pengojnë kryebashkiakun e sapozgjedhur shqiptarqë të hyjë në zyrën e tij, njoftuan agjencitë e lajmeve.
Në video të ndryshme të publikuara në internet, dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri dhe goditje-bomba dhe shihej se si u dogjën disa makina.
Gjatë përleshjeve u plagosën lehtë rreth 10 vetë, tha një punonjës i spitalit për mediat lokale.
Policia tha se nga granata trullosëse dhe sende të tjera të forta të hedhura nga protestuesit u plagosën pesë oficerë.
Agjencia e lajmeve Tanjug tha se në qendër të Zveçanit kanë mbërritur disa automjete të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Policia e Kosovës nuk i komentoi incidentet, por vetëm konfirmoi se policët po u ndihmojnë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në objektet e tyre të punës.