Serbia: Itinerari i ri i arratisë për iranianët
13 Korrik 2018Fillimisht atij i duhet të orientohet - paksa i shqetësuar dhe me një ndijesi pasigurie Ersen largohet nga aeroporti i Beogradit. Iraniani ka prekur këtu për herë të parë tokën europiane. Zyrtarisht ai vjen si turist në Serbi. Por ai ka diçka krejt tjetër në mendje: arratinë nga vendi i tij. "Unë kam qenë regjisor filmi dhe gazetar në Iran. Për shkak të punës sime familja dhe unë kemi qenë në rrezik për jetën. Unë u detyrova të largohem nga Irani dhe erdha në Serbi për të kërkuar azil", thotë ai.
Në aeroportin e Beogradit aktualisht ulen katër herë në javë avionë të linjës direkte me Teheranin. Që nga marsi qytetarët e shetit shiit të Gjirit Persik mund të udhëtojnë pa viza për në Serbi. Për iranianët ky është rasti i vetëm në Europë. Zyrtarisht kjo është një masë për të forcuar turizmin. Por për iranianët e pakënaqur kjo shërben si një portë e hapur për të kërkuar azil në Europë.
Pse kjo zemërgjerësi?
Edhe vetë iranianët si Ersen habiten se si qeverisë nuk i ka shkuar ndër mend që me këtë rregull mund të ketë edhe abuzime. Ekspertët mendojnë, se pas kësaj qendrojnë arsye politike. Irani konsiderohet si aleat i qeverisë serbe, sepse ky vend nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Bosko Jaksic, gazetar dhe analist politk, vëren: "Heqja e detyrimit për vizë është për diplomacinë serbe një mjet, për t'u shprehur mirënjohjen vendeve, që nuk e kanë njohur Kosovën. Por sapo konstatohet, që të ashtuquajturit turistë me të zbritur në aeroportin e Beogradit shndërrohen në migrantë, ky kthehet në një problem për qeverinë serbe. E po ashtu ky është problem edhe për BE-në që e kritikon Serbinë për këtë çështje."
Ersen mësoi shpejt në Iran për këtë itinerar të ri arratie. Rruga e parë që duhet të ndjekë në Beograd është qendra e refugjatëve Miksaliste. 32 vjeçari është ende i pavendosur. A të paraqesë kërkesë për azil në Serbi apo të përpiqet që përmes Bosnjes të vazhdojë rrugën drejt BE-së? "Unë vendosa të vij këtu për shkak të heqjes së vizave. Do të shoh një herë nëse mund të jetohet këtu normalisht, nëse jo do të detyrohem të vazhdoj rrugën më tej."
Punonjësit e qendrës së refugjatëve e njohin tashmë këtë pavendosmëri. Në shumicën e rasteve iranianët e porsaardhur nuk kanë asnjë plan, se si do të vazhdojnë më tej, por ata dinë disa vende në Beograd ku mund të takojnë ndihmës ose kontrabandistë. Se sa prej tyre janë vërtetë të përndjekur për arsye politike nuk është e qartë. Shumica e kërkesave të iranianëve për azil në Serbi refuzohen.
Kontrabandistët janë në pritje
Ersenit ndihmësit vullnetar i këshillojnë që të regjistrohet në qendrën e refugjatëve dhe të ndjekë procedurën zyrtarisht. Atij i caktojnë me shkrim vendin e qendrimit në një nga strehimoret. Sidoqoftë ky është një vend i sigurtë për t'u orientuar fillimisht. Por të tjerë bashkatdhetarë ndjekin një rrugë tjetër të joshur prej kontrabandistëve ata nuk regjistrohen, por shkojnë në ndonjë hotel derisa të gjejnë mundësinë të kalojnë kufirin për në vendet e BE-së. Një lagje e Beogradit është kthyer në një pikëtakimi për kontrabandistët. Shumë iranianë bien këtu në duart e tyre dhe ndjekin rrugën përmes Bosnjes drejt BE-së.
Organizatat humanitare në Serbi nuk e dinë ende, se sa prej turistëve iranianë në të vërtetë marrin rrugën drejt vendeve të BE-së. Senka Skero Koprivica nga qendra e të Drejtave të Njeriut në Beograd, thotë, se iranianët "lejohen të qendrojnë këtu 30 ditë pa vizë si turistë. Ndaj ka shumë, që nuk shfaqen asnjëherë në zyrën tonë, nuk na kontaktojnë ne. Kështu ne nuk e dimë, se sa qendrojnë këtu dhe sa shkojnë në Europë e sa të tjerë kthehen në vendin e tyre."
Por Erseni tashmë është vendosur në strehimoren e refugjatëve dhe thotë, se shpreson që një ditë të ritakojë nënën, babain e motrën e tij. "Por me siguri jo në Iran, sepse atje unë nuk do të kthehem më kurrë", thotë ai. Nëse 32-vjeçari në fund do të provojë fatin e tij drejt BE-së apo do të mbetet në Serbi, mbetet e paqartë - Sidoqoftë gjithnjë e më shumë iranianë kërkojnë një të ardhme më të mirë në Europë, për aq kohë sa rruga e re përmes Serbisë është tashmë e hapur për ta.