1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e veriut të Kosovës po heqin vetë një pjesë të barrikadave

27 Tetor 2011

Serbët e veriut po lejojnë lëvizjen e trupave të KFOR-it, por jo edhe ato të misionit EULEX. Parlamenti i Kosovës thirri në interpelancë kryeministrin Hashim Thaçi për të raportuar për gjendjen në veri të Kosovës

https://p.dw.com/p/130KP
Parlamenti në Pristinë
Parlamenti në PristinëFotografi: dapd

Banorët serbë të veriut të Kosovës filluan të enjten në mëngjes vetë të largojnë një pjesë të barrikadave nga rrugët e veriut të Kosovës, që çojnë në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Kjo konfirmohet për DW nga zëdhënësi i policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti. Barrikadat nga serbët u vendosën më shumë se një muaj më parë në rrugët e veriut për të kundërshtuar dhe pamundësuar praninë e doganierëve dhe policëve kosovarë në dy pikat kufitare me Serbinë.

Mbrëmë përfaqësuesit serbë të katër komunave veriore me shumicë serbe, deklaruan se ata do të lirojnë një korsi në rrugë, me qëllim të furnizimit me ushqim të ushtarëve paqeruajtës, që ndodhen në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje.

Serbët largojnë një pjesë të barrikadave
Serbët largojnë një pjesë të barrikadaveFotografi: DW

Njëri nga udhëheqësit e komunës paralele serbe të Zubin Potokut, Sllavisa Ristic, u tha medieve lokale serbe se: “Trupave paqeruajtëse u lejohet lëvizja vetëm gjatë ditës, sepse është në të mirë të tyre, për shkak se serbët lokalë e kanë humbur besimin te KFOR-i. Nuk dëshirojmë që KFOR-i të marrë pjesë në kurrfarë aksioni, që ka për qëllim instalimin e institucioneve të Kosovës në veri”, tha Slavisha Ristiq.

Përfaqësuesit e serbëve i rekomanduan misionit EULEX, që për veprimtarinë e këtij misioni në veri të bisedojë me qeverinë dhe institucionet e Serbisë, duke mos sqaruar se për çfarë duhet të bisedohet.

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse konfirmojnë se trupat e tyre tashmë po lëvizin për në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, mirëpo, ata kërkojnë liri të lëvizjes për të gjithë përfshirë këtu edhe misionin EULEX.

Zëdhënësi i misionit të EULEX-it në veri, Hans Kristian Klasing, ndërkaq i tha DW-së se ky mision dëshiron liri të lëvizjes për të gjithë, në mënyrë që në veri të mbizotërojë rendi dhe ligji: “Ne dëshirojmë liri të lëvizjes për të gjithë, në veri dhe gjithkund dhe ky është një qëndrim i përbashkët i EULEX-it dhe KFOR-it dhe ne vërtetë dëshirojmë që të gjitha barrikadat të largohen, sepse kjo në radhë të parë është në interes të vetë popullatës dhe sidomos të serbëve të veriut”, thotë Hans Kristian Klasing.

Thaçi në interpelancë në parlament

Hashim Thaci
Hashim ThaciFotografi: dpa

Në ditën kur serbët e veriut filluan largimin e pjesshëm të barrikadave nga rrugët e veriut, parlamenti i Kosovës po debaton për gjendjen në veri në një interpelancë të thirrur për kryeministrin Hashim Thaçi. Kryeministri i vendit tha se vendimi i qeverisë së tij me 25 korrik që të dërgojë doganierët dhe policët në veri nuk ka qenë i lehtë por i domosdoshëm dhe ky vendim sipas tij është marrë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar: “Nga kuvendi i Kosovës i garantoj të gjithë qytetarët e Kosovës së masat e ndërmarra në veriun e Kosovës nuk janë të drejtuara kundër asnjë qytetari të Kosovës dhe asnjë grupi etnik, që është brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese. Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri, por është në konflikt me ata, që kanë shkelur rendin dhe ligjin, të cilët duhet të përballen me drejtësinë”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen para datës 25 korrik, kur në veri të Kosovës dhe në dy pikat kufitare më Serbinë nuk kishte fare kontroll nga organet kosovare të sigurisë dhe as të mekanizmave ndërkombëtarë siç janë KFOR-i dhe misioni EULEX.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica