Sfida të reja për të drejtat e njeriut në një botë të globalizuar
26 Qershor 2004Si sinjal i gëzueshëm u vlerësua në hapje të veprimtarisë ndërkombëtare të fondacionit Heinrich-Böll që përballë qëndresës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së qeveria e Shteteve të Bashkuara hoqi dorë prej zgjatjes përtej vitit 2005 të imunitetit për ushtarët e vet ndaj hetimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Me sa duket në administratën amerikane po e kuptojnë që edhe shteti më i fuqishëm nuk mund të çlirohet nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare, u tha.
E ndërsa ndërhyrja ushtarake kundër shtetit të talibanëve në Afganistan pas ngjarjeve të 11 shtatorit ishte legjitime, rasti i Irakut ishte krejt i ndryshëm; këtu pjesëmarrësit e veprimtarisë ndërkombëtare ishin të një mendjeje. Ecuria e konfliktit në Irak po tregon gjithnjë e më qartë se Kombet e Bashkuara nuk mund të zëvendësohen nga asnjë "Koalicion i të Vullnetëshmve" dhe se SHBA-ës në fund të fundit nuk mund të bëjnë pa fuqinë legjitimuese të OKB-së, ishte mendimi i shprehur.
Ndërkohë kanë lindur kërcënime të reja nga gërshetimi i armëve të shkatërrimit në masë me terrorizmin, të cilat nuk mund të përmblidhen nën termin "vetëmbrojtje", tha drejtori i fondacionit Heinrich-Böll Ralf Fücks. Prandaj edhe SHBA-ës duhet të reagojnë, sipas tij, ndryshe:
"SHBA-ës mund ta kryejnë vetëm në atë masë në mënyrë efektive rolin e tyre si fuqi botërore, sa edhe e mirëadministrojnë të drejtën ndërkombëtare. Vetëm epërsia ushtarake nuk mjafton për të luajtur rolin e një fuqie rendi globale; për këtë nevojitet autoriteti moralo-politik që mund të fitohet vetëm në bashkëveprim me Kombet e Bashkuara dhe mbi truallin e të drejtës ndërkombëtare. Ky është një mësim nga gabimet dhe goditjet prapësuese të politikës amerikane ndaj Irakut."
Shtimi i "spastrime etnike" dhe i veprave brutale të dhunës kundër popullsisë civile çoi në një debat mbarëbotëror mbi legjitimitetin e ndërhyrjeve të bashkësisë ndërkombëtare kur konfliktet e brendshme dhe ndërshtetërore shkaktojnë katastrofa huimanitare.
Gareth Evans, ish-ministër i jashtëm i Australisë dhe president i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, bëri të qartë që duhet të ndahemi nga parimi i mospërzierjes në punët e brendshme:
"Përgjegjësia parësore për popullin e vet duhet të mbetet tek shteti, por atje ku populli vuan seriozisht prej luftërave të brendshme, shtypjes, mosveprimit të shtetit dhe shteti nuk është në gjendje ta zgjidhë këtë, duhet hequr dorë nga parimi i mospërzierjes në favor të një parimi më të lartë, atij të përgjegjësisë ndërkombëtare për mbrojtjen."
Kështu ndodhi në Ballkan dhe në Afganistan.
Ndërhyrja e SHBA-ës në Irak po ngjall frikë të madhe në shumë vende në zhvillim, se mos edhe atyre iu ngjan e njëjta gjë. Ish-ambasadori kanadez në OKB Paul Heinbecker u përpoq të largonte shtetësime të tilla:
"Ekziston një frikë e jashtëzakonshme në Afrikë dhe në vende të Botës së Tretë, se ky është prologu i ndërhyrjes nga Veriu, se kjo do të vazhdojë dhe se rreziqet e saj do të vazhdojnë të rriten. Në të vertetë vlen pikërisht e kundërta: nga Zaireja lindore tek Ituri, nga Bregu i Fildishtë tek Darfur-i ka shumë pak përzierje. Dhe do të ishte tragjedi e madhe sikur lufta në Irak të çonte në rishtimin e dyshimeve dhe të armiqësisë, që shkojnë deri atje saqë njerëzve që keqtrajtohen dhe masakrohen nuk iu ndihmohet."
Përballë kundërshtimit të një pjesëmarrësi afrikan, i cili foli për trysni të madhe të SHBA-ës mbi disa vende afrikane në mënyrë që këto të mos përmbushin detyrimet e marra ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, kanadezi Paul Heinbecker këshilloi:
"Do të shihja me kënaqësi që disa, si për shembull grupi afrikan ose kjo do të vlente edhe për lëvizjen e të paangazhuarve, të takoheshin me evropianët, kanadezët dhe me vende të tjera dhe të thonë: "Shihni, ne duhet të merremi vesh për diçka që nuk përputhet me detyrimet tona ndaj marrëveshjes për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ne nuk ia dalim dot pa ndihmën tuaj!" Kjo nuk lidhet me shpenzime të mëdha. Besoj se këto vende mund ta bëjnë këtë, por po ashtu e di që do të jetë e vështirë për ne që ta plotësojmë këtë kërkesë. Megjithatë nuk di se përse të mos ta bënim këtë parimisht."