Shakashvili para humbjes së postit të presidentit në Gjeorgji
5 Janar 2008Rezultatet e para zyrtare të votimeve priten të dielën, por që tani është e qartë se presidenti Mihail Shakashvili, do të ketë shumë vështirë t'i fitojë zgjedhjet presidenciale në Gjeorgji. Në rezultatet parprake thuhet se kandidati i opozitës Levan Gatshetshiladze, i cili ka premtuar kthimin e demokracisë në vend, është në epërsi. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, vendimi për presidentin e ardhshëm do të dihet pas balotazhit, me 19 janar. Presidenti aktual Shakashvili i quajti këto zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme.
"Këto janë zgjedhjet me më së shumti kandidatë në historinë e zgjedhjeve presidenciale në Gjeorgji. Janë zgjedhje nga të cilat varen edhe shumë gjëra të tjera: vazhdimi i reformave dhe perspektiva e vendit. Gjeorgjia është një shembull i suksesit për tërë rajonin. Populli i Gjeorgjisë është ai që duhet të vendosë nëse ky sukses do të vazhdojë më tutje", pohon presidenti aktual.
Mirëpo në Gjeorgji kanë kaluar kohërat e simptative të mëdha ndaj ish - udhëheqësit të revolucionit.
Në dimirin e vitit 2003 Shakashvili ishte vetëm 36 vjeç, kur nga pushteti largoi Eduard Shevernadzen. Bartësi i shpresave perëndimore për demokraci, shumë shpejt u shndërrua në despot. Filluan arrestimet e opozitarëve dhe përpjekjet për shtyrjen e zgjedhjeve. Mllefi i populit ishte gjithnjë e më i madh. Kulmi u arrit në nëntor, kur demonstruesit bllkuan parlamentin në Tbilisi.
Pas presioneve të demonstruesve dhe SHBA, presidenti Shakashvili pranoi të mbahen zgjedhjet e parakohëshme. Qytetarët e ndjenin veten më të lirë vetëm pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Por opozita deri në fund përsëriste se kushtet për garën elektorale nuk ishin demokratike. Presidenti aktual ka nën kontroll edhe mediat dhe shërbimin sekret, por duket se as ato nuk kanë ndihmuar shumë. Opozita e quante Shakashvilin spiun të Rusisë. Në përgjithësi fushata paraelektorale ishte shumë e ndyrë. Kandidati i opozitës, miliarderi Gatshetshiladze, ka përfituar nga gjendja shumë e rëndë ekonomike në këtë vend dhe sjellja autoritare e presidentit aktual.
Gjeorgjia është një vend ku mbizotëron varfëria. Papunësia është më e lartë se 40 përqind, ndërkohë që dallimi mes të varfërve dhe të pasurve, po shtohet gjithnjë e më shumë. Të ardhurat mesatare në këtë vend janë rreth 60 euro në muaj. Shakashvili megjithatë beson se do të fitojë në balotazh.
Zhvillimet në Gjeorgji janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për shkak të pozitës strategjike të këtij vendi të vogël. Presidenti amerikan Xhorxh Bush synon që Gjeorgjia të futet në Nato, ndërsa Moska do ta konsideronte këtë si një kërcënim të drejtëpërdrejtë për Rusinë.