SHBA: Avioni i rrëzuar në Kazakistan me gjasë është qëlluar
27 Dhjetor 2024Pas Azerbajxhanit, edhe SHBA-të nuk përjashtojnë më një gabim nga mbrojtja kundërajrore ruse si shkak të rrëzimit të një avioni pasagjerësh azerbajxhanas në Kazakistan. Sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, të dhënat fillestare tregojnë si avioni është goditur. Edhe CNN, ABC News raportuan për këtë. Nëse konfirmohen indikacionet fillestare, mund të imagjinohet që njësitë ruse jo të trajnuara mirë mund të kenë gabuar objektivin në përpjekjen për mbrojtje ndaj kundër dronëve ukrainas, tha zyrtari amerikan, sipas mediave amerikane.
38 të vdekur në aksidentin në Kazakistan
Përplasja e avionit pranë qytetit Aktau të Kazakistanit të mërkurën shkaktoi vdekjen e 38 vetëve nga 67 personat që ishin në bord. 29 persona mbijetuan, shumë prej tyre të plagosur rëndë. Avioni duhej të fluturonte nga kryeqyteti Baku për në Grozny në republikën ruse të Çeçenisë. Në disa rajone në Kaukazin e Veriut atë mëngjes mbrojtja ajrore ruse ishte në mision për të luftuar dronët nga Ukraina.
Ishin blogerët ushtarakë rusë si edhe përfaqësues ukrainas, ata që fillimisht vunë në dukje mundësinë e dëmtimit të avionit nga mbrojtja kundërajrore ruse. Platforma e internetit të avionëve Flightradar24 raportoi, se të dhënat GPS mbi pozicionin e saktë të avionit mbi Rusi ishin ndërprerë. Imazhet nga pjesa e pasme e avionit treguan vrima të vogla që duken si goditje nga copat e raketave anti-ajrore. Në një reagim fillestar, vetë Kremlini paralajmëroi kundër spekulimeve të parakohshme.
Edhe Azerbajxhani me akuza
Që të enjten pasdite liderë të Azerbajxhanit përhapën dyshimin, se avioni mund të ishte goditur nga një raketë anti-ajrore ruse Panzir-S. Media lokale dhe ndërkombëtare raportuan se avioni u dëmtua në afrimin e tij drejt Groznit, duke iu referuar zyrtarëve të paidentifikuar të qeverisë në Baku.
Zemërim të veçantë në Azerbajxhan shkaktoi njoftimi, se avionit me gjasë i është mohuar një ulje emergjente në aeroportet ruse aty pranë, duke përmendur motin e keq. Pilotëve iu desh të manovronin makinën thuajse të pamundur për ta drejtuar nëpër Detin Kaspik për në Aktau. Lartësia dhe shpejtësia luhateshin ndjeshëm. Avioni u rrëzua teksa po tentonte të ulej në Aktau.
Mediat shtetërore ruse heshtin për incidentin
Shoqëria izraelite e fluturimit, El Al anuloi të gjitha fluturimet midis Tel Avivit dhe Moskës këtë javë për shkak të "zhvillimeve në hapësirën ajrore ruse". Ajo do të rivlerësojnë situatën javën e ardhshme dhe do të vendosë nëse fluturimet do të rifillojnë. Media shtetërore ruse nuk raportoi për akuzat masive kundër vendit në luftë. Presidenti Vladimir Putin dha një konferencë të shkurtër për shtyp pas një samiti të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik pranë Shën Petersburgut, por nuk tha asgjë për rrëzimin e avionit.
Nëse vërtetohet versioni i një goditjeje vdekjeprurëse nga mbrojtja kundërajrore ruse, ky do të ishte rasti i dytë që nga viti 2014. Në atë kohë, ushtria ukrainase luftonte kundër një operacioni të fshehtë ushtarak rus në lindje të vendit. Më 17 korrik 2014, një sistem anti-ajror rus Buk rrëzoi aksidentalisht një Boeing të Malaysia Airlines që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur mbi Ukrainën lindore. 289 persona u vranë.
la/ag