1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA mbështet qeverinë e Kajros

afp, dpa/M.Kelmendi4 Nëntor 2013

Duke pasur parasysh procesin, që nis sot (04.11) kundër ish presidentit të Egjiptit, për ministrin e Jashtëm amerikan Kerry vizita në Kajro nuk ishte e lehtë.

https://p.dw.com/p/1AB5H
Fotografi: Reuters

Ministri i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara, John Kerry, i ka premtuar mbështetje kabinetit qeveritar të Egjiptit. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me qeverinë e përkohshme, tha Kerry në Kajro. Presidenti Barack Obama ndërkohë ka pranuar ofertën egjiptiane për një "dialog strategjik". Por në një konferencë për shtyp me homologun e tij Nabil Fahmi shefi i diplomacisë amerikane ka paralajmëruar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend. Këtë të hënë (04.11) në Kajro nis edhe procesi kundër presidentit të rrëzuar Mohammed Mursi, i akuzuar për nxitje nga ana e tij për vrasje ndaj protestuesve. Lidhur me këtë ngjarje Kerry nuk u shpreh para gazetarëve. Edhe për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve ithtarë të Mursit nga forcat e sigurimit ai nuk u shpreh direkt, por dënoi në përgjithësi "çdo dhunë, që ushtrohet kundër kishës, besimtarëve dhe në rrugë".

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Egjiptit njoftuan se 20 mijë policë do të shpërndahen këtë të hënë për të ruajtur ndërtesën në jug të Kajros, ku do të zhvillohet edhe gjyqi, si dhe për të siguruar transportimin e Mursit drejt një dhome të improvizuar gjyqësore. Ai nuk ka dalë në publik, qëkur ushtria e rrëzoi atë më 3 korrik, si dhe e bëri përgjegjës për vdekjen e nxitjen e protestuesve jashtë pallatit të tij, në dhjetor 2012. Ai do të gjykohet së bashku me 14 të pandehur të tjerë. Nëse shpallet fajtor, Mursi mund të dënohet me burgim të përjetshëm ose me vdekje. Të premten (01.11) forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Aleksandri dhe kanë arrestuar të paktën 60 prej tyre. Protestues pati gjithashtu edhe në qytetet e Kajros dhe Gizas.