SHBA po negocion për tërheqjen e menjëhershme të Mubarakut
4 Shkurt 2011Një skenar i mundshëm është që Mubaraku t'ia dorëzojë pushtetin zëvendëspresidentit, Omar Suleiman. Qeveria tranzitore duhet të kërkojë dialog me grupet opozitare, përfshirë edhe Vëllazërinë e ndalur Myslimane, tha qeveria amerikane. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Barak Obama ka bërë të qartë, se ka ardhur koha për një kalim të rregullt të pushtetit.
Presidenti egjiptian Mubarak ka refuzuar deri tani të tërhiqet. Ai tha se do të qëndrojë një herë për një herë në pushtet megjithë protestat e vazhdueshme dhe eksceset e dhunës.
Të enjten 82 vjeçari tha në një intervistë në stacionin amerikan ABC se në parim është i gatshëm të tërhiqet, por refuzoi dorëheqjen e menjëhershme. Sipas mendimit të tij në këtë rast "do të shpërthente menjëherë kaosi". Lidhur me trazirat e përgjakshme në sheshin Tahrir në Kairo Presidenti tha, se ndihet keq për shkak të shpërthimit të dhunës. Ai nuk do që egjiptianët të luftojnë kundër egjiptianëve. Megjithatë përgjegjësinë për dhunën ia vuri Vëllazërisë Myslimane.
Në sheshin Tahrir në Kairo nata kaloi e qetë. Mijëra demonstrues e kaluan natën aty. Këtë të premte priten sërish protesta. Aktivistë të opozitës shpallën ditën e premte "ditën e largimit" të Mubarakut.
Ministrja e Jashtme e SHBA Hillary Clinton dënoi sulmet kundër gazetarëve në Kajro. "Sulmet janë të papranueshme" tha ajo. Ato përbëjnë një shkelje të normave ndërkombëtare dhe të lirisë së shtypit.
Gjatë trazirave të dhunshme mbështetës të qeverisë goditën me shkopinj gazetarët e huaj, duke shkatërruar pajisjet e tyre. Dhjetëra gazetarë të huaj u arrestuan, duke përfshirë edhe dy të gazetës amerikane "The Washington Post".
Sipas të dhënave të forcave të shpëtimit në sheshin qëndror Tahrir dje, të enjten një qytetar i huaj u rrah për vdekje. Dëshmitarë okularë njoftojnë se kryesisht simpatizantët e Mubarakut ushtrojnë gjueti ndaj gazetarëve të huaj.
Autor: DW/ Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama