Shefat e zyrave të vendeve të Grupit të Kontaktit takohen në Prishtinë
17 Mars 2006Shefat e zyrave të vendeve më të industrializuara, anëtare të Grupit të Kontaktit, të vendosur në Prishtinë thanë se, ata presin që bisedimet ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit, të sjellin rezultate dhe të fillojnë së implementuari gjatë procesit të zgjidhjes së statusit.
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, shprehën mbështetjen e fuqishme për bisedimet e Vjenës, ndërsa, thanë se, decentralizimi dhe përparimi në këtë proces do të jenë çështjet thelbësore që do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Këtë qëndrim shefat e zyrave në Prishtinë të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit e shprehen pas një takimi që zhvilluan me kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku.
Takimi ishte iniciuar nga shefi i zyrës së Rusisë në Kosovë, Sergej Baznikin: Ne presim jo vetëm nga takimi i sotëm i Vjenës, por edhe nga takimet e tjera që do të ndodhin dhe ku do të diskutohen edhe çështje tjera, që bisedat të sjellin rezultate, të prodhojmë zgjidhje konsensuale dhe rezultatet të implementohen gjatë kësaj faze pra edhe gjatë bisedave për statusin. Ne shpresojmë, se këto përparime të arrihen shumë shpejt dhe jam i bindur se edhe takimi në Vjenë do të sjellë rezultate", tha Sergej Baznikin.
"Ne dëshirojmë të besojmë se rezultatet e bisedimeve për decentralizimin do të arrihen shumë shpejt, sepse është e qartë se nuk ka kohë për të humbur. Nuk duhet pritur që procesi i zgjidhjes së statusit të përfundojë, por rezultatet e arritura nga bisedimet shqiptaro-serbe të vëhen në praktikë në mënyrë që njerëzit t'i shohin mënjëherë ndryshimet", tha Sergej Baznikin. Kjo do ta bënte sipas tij më të lehtë zgjidhjen e statusit të Kosovës. Autoritetet e UNMIK-ut, në Kosovë, nga ana e tyre, thonë se, decentralizimi i pushtetit lokal nuk do të jetë kompromis për pakicat në mënyrë që shumica shqiptare të arrijë qëllimet e veta. Sipas tyre është qartë që decentralizimi do të përmirësojë jetën e të gjithë qytetarëve, ndërsa, pjesëtarët e komunitetit serb do të kenë disa komuna të tyre, do të drejtojnë vetë ato, mirëpo gjithnjë brenda kuadrit ligjor të Kosovës.