Shkollim në këmbim të strehimit
6 Nëntor 2016Christine Bleks, nismëtarja e projektit "Shkollim në këmbim të strehimit", organizon për fëmijë nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Turqia apo Siria, që jetojnë në lagjen Marxloh në Duisburg kurse jashtëshkollore. Këto kurse i organizojnë studentë apo të rinj që kryejnë vitin vullnetar. Në këmbim të kësaj pune, ata mund të jetojnë pa para në shtëpinë ku ka qendrën projekti.
Lagja Marxloh në Duisburg konsiderohet si lagje problematike me shumë të papunë dhe kriminalitet. Shumë prej shtëpive janë të vjetra. Këtyre problemeve iu shtuan edhe refugjatët.
Me projektin e saj punonjësja sociale Christine Bleks do që të përmirësojë imazhin e lagjes dhe ndoshta të arrijë edhe një kthesë në jetën sociale të kësaj lagjeje.
Ndihmë për detyrat e shtëpisë në ish-shtëpinë e priftit
Peshkopata e Essenit ofroi për projektin shtëpinë e dikurshme të një prifti. Shtëpia ka edhe oborr. Rreth 50 fëmijë në moshën 6-16 vjeç vijnë rregullisht këtu. Një nga ata që vjen gjithmonë është Aliu, prindërit e të cilit janë nga Shqipëria. "Unë vij prej dy vitesh dhe njerëzit këtu më ndihmojnë për detyrat e shtëpisë, sidomosh në gjermanisht dhe anglisht" - thotë ai.
Michael Siebert, i cili para se të fillojë studimet për shkenca politike po punon një vit si vullnetar thotë se "duke punuar këtu i krijohet gjthmonë ideja se po bën një gjë me kuptim".
Ndihmë nga sponsorët
Imazhi i keq i lagjes Marxloh duket se ka ndryshuar dhe për t'u angazhuar si vullnetarë në projekt apo për ta sponsorizuar atë kërkojnë gjithnjë e më shumë vetë. Pozitivisht për këtë ndikoi edhe një takim me kancelaren Merkel në vitin 2015, ku ajo qe e ftuar me një grup nismash dhe projektesh të tjera. "Kancelarja organizoi edhe një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të ministrive dhe unë sqarova atje problemet që kemi me burokracinë," - thotë Blecks.
Megjithatë problemi i financimit të projektit është i vazhdueshëm. Në të janë të përfshirë si persona privatë, që dhurojnë 2.400 euro për fëmijë në vit, edhe sponsorizime nga kishat, institucionet shtetërore si Agjencia Federale për Edukim Politik, apo koncernet si Vodafone apo Deutschen Bank.