1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkollë për fëmijët e rrugës

18 Dhjetor 2010

Kur flitet për fëmijët e rrugës, mendohet se ata vijnë vetëm nga vendet e botës së tretë. Por edhe në vendet e industrializuara ka fëmijë që jetojnë në rrugë. Përveç shtëpisë dhe ushqimit, atyre u mungon edhe shkollimi.

https://p.dw.com/p/QfCb
Shkollë për fëmijët e rrugës
Shkollë për fëmijët e rrugësFotografi: picture-Alliance/dpa

Me çështjen se si mund të përfshihen në shkollim këta fëmijë merret dega e studimit në nivel masteri e pedagogjisë për fëmijët e rrugës. Që prej dy vitesh kjo degë mund të studiohet në Hajdelberg dhe në Frajburg. Situata mësimore në rrugë është e ndryshme nga ajo në shkollat normale. Prandaj kjo degë studimi shkollon ekspertë arsimi për fëmijët dhe të rinjtë e rrugës. Shumica e studentëve vijnë nga profesione pedagogjike. Disa prej tyre nga Amerika Latine. Me një projekt të ri me një shkollë për fëmijët e rrugës në Manhajm, studentët mudn të mbledhin përvojën përkatëse në praktikë.

Në mes të një tavoline të zezë ndodhet një libër. “Dëftesa e shkollës 2011” shkruhet në një kapak libri në ngjyrë të kuqe. “Unë kam jetuar për një kohë të gjatë në rrugë dhe gjatë asaj kohe nuk kam bërë shkollë. Më pas shkova në një shkollë por e lashë para se të përfundonte dhe për të përmirësuar shancet e mia jam duke bërë tani shkollën për të marrë dëftesën”.

Prandja Marius ka ardhur në shkollën e Manhajmit për nxënësit e rrugës. Një projekt ky i degës së pedagogjisë për fëmijët e rrugës në shkollat e larta pedagogjike në Hajdelberg dhe Frajburg. Në një institucion që quhet “Zonë e lirë”, një pikë takimi për fëmijët e rrugës, të rinjtë marrin mësim nga studentët e degës së masterit. Edhe Sieverina Bettex punon këtu vullnetarisht. “Unë vij nga fusha e pedagogjisë sociale. Mua më mungon praktika mësimore prandaj vij këtu për të mbledhur më shumë përvojë.”

Fëmijë rruge, Maqedoni
Fëmijë rruge, MaqedoniFotografi: picture-alliance/ dpa

Me degën e studimit master ekspertët specializohen për shkollimin afatgjatë të fëmijëve të rrugës. Sieverina Bettex është në semestrin e tretë. 41 vjeçarja ka studiuar më parë pedagogji sociale dhe ka punuar me fëmijët që vijnë nga lagjet problematike të Rostokut. Gjatë studimit hidhet një vështrim mbi gjendjen “fëmijëve të rrugës” në gjithë botën. Edhe nëse problemet në Gjermani nuk janë të njëjta me ato të vendeve të tjera, si për shembull në Kolumbi, në pedagogjinë e fëmijëve të rrugës ekzistojnë paralele, thotë Ute Schnebel. Ajo është bashkëpunëtore shkencore dhe koordinon projektin e shkollës së Manhajmit me fëmijët e rrugës. “Për shembull, si vendos kontaktin me fëmijët ose si e zhvilloj një bisedë. Por nganjëherë edhe sa i përket eksperiencave që fëmijët kanë patur në rrugë. Për shembull hyrja në bisedë duke folur për karakteristikat e jashtme. Në Kolumbi ndodh shpesh që ata kanë shenja në trup dhe nëse i pyet për to mund të mësosh shumë.“

Anja Stüber ka punuar pas studimeve më fëmijët e rrugës në Tanzani. Prandaj ajo ishte e interesuar të merrte pjesë në këtë master. „Unë mendoj se termi fëmijë rruge kuptohet në një mënyrë të caktuar dhe koncepti duhet zgjeruar. Ka shumë fëmijë, edhe në Gjermani që kalojnë shumë kohë në rrugë. Ata mbase nuk jetojnë në rrugë dhe nuk flenë atje, por ditën e kalojnë në rrugë dhe shumë pak kohë e kalojnë në shtëpi dhe shkollë. Edhe këta fëmijë janë pjesë e shkollës sonë.“

Fëmijë rruge, Turqi
Fëmijë rruge, TurqiFotografi: picture-alliance/ dpa

Në Hajdelberg dhe në Frajburg mësohet në tre semestra metodikë dhe didaktikë e re për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve të rrugës. Nga 17 studentët aktualë, 7 vijnë nga vendet e tjera, kryesisht nga Amerika Latine. Masteri kushton në vit 1800 euro. Bursa është e vështirë të merren, thotë Anja Stüber. Këtë mendim ka edhe Sieverina Bettex. Ajo mbledh ndërkohë fletët e mësimit. Për sot pasdite ka përgatitur ushtrime matematike. Mariusi i bën detyrat shpejt dhe i përqëndruar. Në muajin maj ai do të marrë dëftesën.

Autor: Janine Albrecht/ Aida Cama

Redaktoi: Sonila Sand