1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkrepësja në hambar - 25 vjet www

Rolf Wenkel6 Gusht 2016

Interneti mbush 25 vjeç. Ky zhvillim është meritë e fizikantit britanik Tim Berners-Lee. Sot në të gjithë botën internetin e përdorin më shumë se tre miliardë vetë

https://p.dw.com/p/1JcNh
Fotografi: CERN

Rrjete kompjuterike globale sigurisht që ekzistojnë prej më shumë se 25 vjetësh. Që në vitet 1960 kompjuterat në SHBA këmbenin të dhëna mes tyre përmes linjave telefonike.

Serveri i parë dhe faqja e parë e internetit (web site), që përdorën standardin e zakonshëm sot "Hypertext Transfer Protocol" (http), dolën online për herë të parë pak përpara Krishtlindjeve të vitit 1990 në Qendrën Kërkimore Bërthamore Evropiane, CERN në Zvicër.

Ky zhvillim është meritë e fizikantit britanik Tim Berners-Lee, i cili punonte në atë kohë në CERN. Ai ishte autor i faqes #link:http://info.cern.ch/hypertext/WWW/TheProject.html# Po ashtu ai zhvilloi edhe browser-in e parë dhe standardet themelore si protokollin e transmetimit dhe gjuhën e programimit HTML.

Fillimisht qasje në këto risi kishin vetëm shkencëtarët që punonin në CERN. Më 6 gusht 1991 Berners-Lee e prezatoi konceptin e përgjithshëm të World Wide Web (WWW) në disa grupe lajmesh on-linë, ndër ta edhe alt.hypertext. Kjo datë konsiderohet tani si data kur www u vu në dispozicion të publikut. Kështu pra lindi interneti, që njohim ne sot.

Heqje dorë nga paratë e mëdha

Berners-Lee nuk pranoi ta patentonte dhe komercializonte konceptin e tij dhe bëri të mundur në këtë mënyrë përhapjen e shpejtë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. "Atë që bëra unë, mund ta kishte bërë kushdo", thotë babai i WWW sot. "Ideja e për ta bërë publike World Wide Web, ishte sikur të hidhje një shkrepëse në një hambar plot me kashtë. Web-i është përhapur, për shkak se shumë individë kanë ndihmuar fuqishëm për përhapjen e tij."

DW Shift Screenshot Tim Berners-Lee
Fotografi: dpa

Shpesh atë e pyesin nëse nuk është i zhgënjyer që interneti është bërë kaq komercial. Berners-Lee nuk mendon në këtë mënyrë: "Interneti duhet të jetë një hapësirë universale - aty nuk mund të përjashtojet ndonjë fushë. Ka shumë që më pyesin: a nuk jeni të zhgënjyer që në internet përhapen kaq shumë marrëzi, por askush nuk është i detyruar që t'i lexxojë të gjitha. Interneti është në tërësi vetëm një pasqyrim i jetës. "

Gjëja më e natyrshme

Të pasurit e një faqeje interneti është bërë sot pothuajse një gjë e natyrshme. Shoqata gjermane e IT Bitkom thotë se 86 për qind e sipërmarrjeve me më shumë se dhjetë të punësuar kanë faqen e tyre të internetit. Nga kompanitë e vogla me më pak se dhjetë të punësuar 43 për qind nuk janë të përfaqësuara në rrjet. "Në të gjithë botën internetin e përdorin më shumë se tre miliardë vetë. Ka edhe shumë individë që kanë faqen e tyre në internet," thotë drejtori ekzekutiv i Bitkom-it Bernhard Rohleder.

Prapashtesa më e përhapur në adresat e internetit është ".com" me 120 milionë adresa të regjistruara. Ndër adresat me domain që i referohet vendit, adresat me ".de" kapin një shifër prej 16 milionë dhe renditen në vendin e dytë pas atyre me ".cn" për Kinën.