Shtete të Ballkanit Perëndimor të gatshme për integrim
29 Korrik 2021Forumi ekonomik për bashkëpunim rajonal në Shkup, i organizuar nga Dhomat ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë zhvillohet në kuadër të iniciativës për bashkëpunim të njohur si "mini Shengen". Në Forum po marrin pjesë edhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Forumi i Shkupit ka bashkuar kompani nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane, si dhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve dhe delegacioneve ndërkombëtare. Shumica e kompanive vijnë nga ndërtimi, sektori agro-ushqimor, energjia, makineria, industria e automobilave dhe tekstilit, turizmi, telekomunikacioni, transporti dhe logjistika. Vuçiç, Rama dhe Zaev premtuan se nga Forumi i Shkupit po paraqesin një vizion politik dhe ekonomik të rajonit të integruar.
Zaev: Po fillon një epokë e re e bashkëpunimit në rajon
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se nisma rajonale mes Shkupit, Beogradit dhe Tiranës përmban në vete katër liritë e BE, me të cilat synohet lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal.
"Kjo që e ndërtojmë sot del nga vlerat evropiane për shkak se në vete, në themelet e saj, përmban të gjitha katër liritë e Bashkimit Evropian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë "no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet e tjera”, ka thënë Zaev.
Vuçiç: Synojmë që deri në vitin 2023 të mos ketë kufij mes vendeve tona
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç ka thënë se vendet e rajonit janë në rrugën evropiane, por ky rrugëtim duhet të bëhet së bashku, sepse atëherë më e lehtë arrihet qëllimi. E kaluara duhet lënë mbrapa duhet të kthehemi nga ardhmëria. Vuçiçi shtoi se këto iniciativa „wçdoherë do të kenë kundërshtarë, por ne duhet të jemi këmbëngulës, sepse hapja dhe bashkëpunimi janë në të mirë për rreth 18 miwlion qytetarëve të këtij rajoni".
"Ka shumë mundësi para nesh dhe asnjëra prej tyre nuk është e dëmshme për askënd, me këtë iniciativë vendet e Ballkanit po lënë të kaluarën prapa, dhe po punojnë për përmirësimin e standardit të jetesës. Pse të presim lëmoshë kur ne vetë jemi në gjendje të krijojmë shkallën më të lartë të rritjes ekonomike. Nëse do të jemi në gjendje të kapërcejmë pengesat administrative, më 1 janar 2023 nuk do të ketë kufij midis vendeve tona”, u shpreh Vuçiçi.
Presidenti serb Vuçiç vlerëson si shumë domethënës faktin e nënshkrimit të tre marrëveshjeve dhe mundësinë që në vendkalimet kufitare të hapen "korsi të shpejta” për kalim më të shpejtë të njerëzve nga rajoni.
Rama: Rajoni nuk duhet të jetë peng i së kaluarës
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha në Forumin Ekonomik në Shkup se „nëse mundësojmë lëvizjen e lirë, GDP mund të rritet në 6,7%. Pse duhet t'ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme, duke ndenjur secili brenda hapësirës së vetë të vogël?" Kështu e arsyetoi Rama nismën për bashkëpunim rajonal.
"Kush thotë se kjo nismë është projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t‘i dhënë hegjemoninë Serbisë, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe, po kjo është Jugosllavi e vogël. Por në fakt jo, kjo është as më shumë as më pak, por krijimi i një hapësire që jeton me parimet dhe vlerat dhe mekanizmat e BE, ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje për anëtarësim në BE”, ka deklruar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Bisnesi ta shfrytëzojë gatishmërinë e elitës politike për Ballkan të integruar
Kryetari i Dhomës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski thotë se nuk duhet të ketë më mbyllje, korrupsion, ekonomi gri dhe forcë të lirë të punës. Azeski tha se nuk dëshiron më nënçmime, „se jemi të paaftë për t‘u integruar ne bashkësinë evropiane dhe se çdo herë dikush nga jashtë duhet t‘i zgjidhë problemet tona".
"Kërkojmë hapjen e Ballkanit, të mbyllet historia , të bashkohet bisnesi dhe ta luftojmë rezistencën e forcave konservatorre, të cilat nuk dëshirojnë një Ballkan të hapur dhe të integruar”, vlerësoi Branko Azesk. Sipas tij, elitat aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi kanë dëshirë për të zgjidhur problemet ekonomike, por këtë gatishmëri bisnismenët duhet ta shfrytëzojnë dhe ta bëjnë hapin e duhur për integrim të sukseshëm të Ballkanit Perëndimor.