Shkup: Zgjerohet “lista e zezë” nga SHBA-ja
21 Korrik 2023Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, që bën kontrollin e pasurive të huaja, Orce Kamçev, është person që kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.
"Kamçev abuzoi me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar agjendën e tij në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Brian Nelson, zëvendësministër i Thesarit.
Në njoftimin zyrtar theksohet se Kamçev është i përfshirë në procesin gjyqësor të njohur si "Parcelat në Vodno” dhe "Perandoria”, duke saktësuar që aktivitetet e tij kanë filluar nga viti 2000. Ai në këtë periudhë ai kishte tentuar që të manipulontë përmes korrupsionit edhe sistemin juridik.
Në shumë raste Kamçevi e ka përdorur ndikimin e tij dhe pasurinë për ta manipuluar sistemin e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në të mirë të tij. Kamçevi është drejtor i kompanisë "Orka Holding", e themeluar në vitin 1990 nga babai i tij. Ai është bashkëpronar i spitalit privat "Sistina" në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera. Sanksionet përfshijnë bllokimin e të gjitha pronave të tij në tokën amerikane si dhe ndalimin e Kamçevit që të bëjë biznes me subjekte amerikane.
Ageler: Zero tolerancë për korrupsionin
Që Maqedonia e Veriut t'i tejkalojë sfidat të cilat ka para saj, korrupsioni nuk guxon të anashkalohet, përgjegjësit patjetër duhet të japin përgjegjësi, tha ambasadorja e SHBA-së në RMV, Angela Ageler. Ajo theksoi se hapa të tillë nuk janë personale ose të motivuara politikisht.
"Nuk mund të them se cili do të jetë personi i ardhshëm që mund përfshihet në listë, sepse ka edhe persona dhe organizata tjera, të cilat për momentin po shqyrtohen” - tha Ageler.
Për ndikimin që ka "lista e zezë” amerikane ambasadorja Ageler tha se SHBA nuk do të vijë që të arrestojë ndonjë person ose do të ndërmarrë masa të caktuara për ndonjë personalitet. Ajo shtoi se është interesante që të shihen hapat e ardhshme, duke aluduar për institucionet gjyqsore të vendit.
"Departamenti i Thesarit pati mundësi të gjejë prova dhe që i ka mbledhur, informacionet janë të qasëshme. Por masat e ardhshme varen nga organet përgjegjëse të RMV-së”, tha Ageler. Ajo bëri edhe një herë thirrje se korrupsioni, në çfarëdo forme, nuk duhet të tolerohet.
Lloga: Sistemi gjyqsor vendor duhet të jetë më syhapur
Ministrit të Drejtësisë i RMV-së, Krenar Lloga, duke komentuar përfshrjen e bisnismenit maqedonas Kamçev në listën e zezë të SHBA-së tha se një gjë e tillë ishte e pritshme.
"Kamçevi është njëri prej sponsorëve kryesorë për shkatërrimin e Prokurorisë Speciale. Emri i tij lidhet me shumë probleme në shtet. Më vjen mirë që është përfshirë në "listën e zezë” të SHBA-së, por më vjen shumë keq qësistemi gjyqësor në Maqedoni nuk e ka parë dhe vazhdon të mos e shohin në mënyrën që e pret qytetari i thjeshtë", deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Kamçevi është personi i dytë i cili përfshihet në listën e zezë amerikane për më pak se një muaj. Më parë Departamenti i Thesarit futi në listën e zezë Ramiz Merkon, kryetar aktual i Komunës së Strugës. Në njoftimin e Departamentit Amerikan thuhet se kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut. Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-së janë edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.
Në vitin 2022 për shkelje ligjore dhe prishje të demokracisë në institucione publike, shoqëruar me korrupsion, Departamenti Amerikan shpalli non grata edhe ish- kryeministrin e RMV-së, Nikolla Gruevskin, dhe ish-drejtorin e Sigurimit, Sasho Mijallkovin. Në "listën e zezë” amerikane janë edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-ministri i Punëve të Brendëshme, Lube Boshkoski dhe ish-deputeti Xhevat Ademi.