Shmangen grevat e reja të makinistëve në Gjermani
13 Janar 2008Miliona psagjerë të shoqërisë gjermane të hekurudhave tani mund të marrin frymë lirisht. Nuk do të ketë më greva. Pas bisedimeve të stërzgjatura për mëse dhjetë muaj dhe grerave që u ngritën nervat pasagjerëve me javë të tëra vitin e shkuar, sindikata dhe sipërmarrësit kanë rënë dakord për rritjen e pagave makinistëve. Me siguri 99% nuk do të ketë më greva në këtë sektor, deklaroi kryetari i sindikatës së makinistëve, Manfred Shel (Schell) të dielën (13.01) në Frankfurt: "Kryesia ekzekutive ka kënaqësinë, që në emër të kryesisë së sindikatës dhe të komisionit të tarifave të deklarojë, se nga të dyja këto forume vendimmarrëse, kemi dritën e gjelbër, që të mos hymë më në grevë."
Ministri i transporteve ndërmjetëson me sukses
Suksesi në bisedime u arrit mes kreut të sindikatës Shel dhe shefit të shoqërisë hekurudhore, Hartmut Mehdorn të shtunën (12.01) në mbrëmje në ministrinë e transporteve. Edhe ministri i transporteve Volfgang Tifenze (Wolfgang Tiefensee), i cili ndërmjetësoi bisedimet, u shpreh i lehtësuar. Makinistët këtej e tutje do të marrin një pagesë të vetme prej 800 eurosh në formë kompensimi për periudhën e bisedimeve nga 1 korriku. Më pas do të kenë rritje page në dy etapa. Kontrata e re do të hyjë në fuqi më 31 janar dhe paga do të rritet nga 1 marsi 2008 me 8% dhe në etapën e dytë nga shtatori do të ketë një rritje tjetër me 3%. U arrit gjithashtu që java e punës të ketë 40 orë duke filluar nga viti 2009.
Schell: jemi dakord më të gjitha pikat e marrëveshjes
Nuk pritet që shoqëria hekurudhore të paraqesë ankesë kushtetuese. Sipas kryetarit të sindikatës Shel, tani greva është plotësisht e shmangur, nëse sipërmarrësi nuk nxjerr pretendime të reja: "Ne jemi dakord me këtë vendim. Të dielën në mëngjes disktuam gjerësisht dhe arritëm në konkluzionin, se si kryesia edhe komisioni i tarifave njëzëri e kanë miratuar rekomandimin për shmangien e grevës duke na kërkuar ne njëkohësisht që t´u japim fund sa më shpejt bisedimeve mbi kontratat e reja. Pra kjo për ne nënkupton, që nëse pala tjetër nuk do të dalë me propozime të reja duke na krijuar ne vështirësi të reja, atëherë greva mënjanohet. Mendoj, se gjithçka varet tani nga pala e sipërmarrësit."
Kontratat e reja do të vlejnë vetëm për makinistët që janë antarë të sindikatës GDL. Fillimisht kjo sindikatë kërkonte rritjen me 31% të pagës, por shumë shpejt u tërhoq nga kërkesa maksimale, gjë që i hapi rrugën marrëveshjes së re.