1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëria civile në Gjermani debaton ashpër për Ukrainën

7 Maj 2022

Lufta në Ukrainë po riorienton shoqërinë civile në Gjermani. Debati zhvillohet për furnizimin me armë të rënda gjermane të Ukrainës. Fronti i debatit nuk ka kalon më midis të majtëve dhe të djathtëve.

https://p.dw.com/p/4AwTf
"Marshim për Paqen e Vërtetë në Ukrainë", manifestim në mbështetje të Ukrainës në Berlin, 16.04.2022
"Marshim për Paqen e Vërtetë në Ukrainë", manifestim në mbështetje të Ukrainës në Berlin, 16.04.2022Fotografi: Hannibal Hanschke/AP Photo/picture alliance

Që kur Rusia nisi luftën kundër Ukrainës, qeveria gjermane është përballur në mediet vendase dhe nga Ukraina me kërkesa këmbëngulëse, që i kanë mbizotëruar tonet e tjera: për ta furnizuar Ukrainën me armë të rënda, jo vetëm me armë defensive, në luftë kundër Rusisë. Sidomos nga Ukraina, përmes ambasadorit të saj në Gjermani është bërë presion publik, disa flasin edhe për "shantazh moral": që Ukrainës t'i jepen pikërisht ato armë që kërkon ajo nga Gjermania: si p.sh. tanke, avionë etj. Pra që Gjermania të mos mjaftohet me vetëm 1,2 miliardë eurot, që i ka premtuar së fundi Ukrainës për të blerë armatime.

Megjithë kritikat, Gjermania është orientuar në qëndrimin e NATO-s për llojin e armatimeve. Gjermania i ka dhënë faktikisht Ukrainës ndihmë shumë më të madhe se ndihma që i kanë dhënë asaj p.sh. Britania e Madhe, Franca, Spanja dhe Italia, bazuar në Produktin e Brendshëm Bruto. Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore (IfW) ka konstatuar më tej se me 3,5 miliardë euro ndihmë për konfliktin e Ukrainës, Gjermania është e dyta në botë, pas SHBA (me 10,3 miliardë).

Sido që të jetë në 28 prill, Bundestagu gjerman vendosi me shumicë dërrmuese votash që Ukrainës t'i dërgohen armë të rënda gjermane. Është marrë vendimi për të dërguar ndër të tjera tanke Marder, që kanë topa të posaçëm kundërajrorë, topa obusë vetëlëvizës si dhe armë të tjera të rënda.

Alice Schwarzer
Alice SchwarzerFotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Por ky ndryshim qëndrimi ka shkaktuar protestë te një pjesë e intelektualëve në Gjermani. 28 personalitete, shkrimtarë të njohur si Martin Walser dhe Juli Zeh, profesorë me emër si Reinhard dhe Wolfgang Merkel, gazetarë dhe aktivistë si Alice Schwarzer, kabaretistë kërkuan në një letër të hapur drejtuar kancelarit Olaf Scholz që të ndalet "dërgimi i sasive të mëdha të armëve të rënda" Ukrainës.

Kërkesën e tyre nënshkruesit e argumentojnë me frikën se mund të shpërthejë një Luftë e Tretë Botërore. Ata shkruajnë se dërgimi i armëve të rënda mund t'i shërbejë si pretekst Putinit, për të tërhequr vendet e NATO-s në një luftë. Nënshkruesit çmojnë qëndrimin e deritashëm të kujdesshëm të qeverisë gjermane. Ata e dënojnë "agresionin rus si thyerje të normës bazë të së drejtës ndërkombëtare". Me tej nënshkruesit i kërkojnë qeverisë gjermane "të kontribuojë me gjithçka, që të arrihet sa më shpejt e mundur një armëpushim." Letra u botua në 29 prill në revistën Emma, të gazetares dhe feministes së njohur Alice Schwarzer.

Debat i ashpër publik për letrën e hapur

Që nga publikimi i letrës ka nisur një debat i fortë, veçanërisht në mediat sociale. Letrën e hapur, të postuar në internet si peticion në platformën globale change.org, e kanë nënshkruar më shumë se 200.000 vetë.

Por nga ana tjetër, për shumë kritikë letra është shuplakë në fytyrën e popullit ukrainas. Pasi, sipas tyre, ajo mohon realitetin e situatës. Kritikët i akuzojnë nënshkruesit se "kanë humbur çdo busull morale”. Muzikanti i njohur Wolfgang Müller foli së fundi për "përmbysje të pastër të raportit autor/viktimë”. Jo vetëm kaq: të mërkurën (04.05.), në gazetën Die Zeit u botua një letër e dytë e hapur: me drejtim të kundërt.

Pianisti Igor Levitt
Pianisti Igor LevittFotografi: Felix Broede/Sony Music/dpa/picture alliance

Në këtë letër, të iniciuar nga ish-politikani i të Gjelbërve Ralf Fücks, 58 intelektualë i bëjnë thirrje kancelarit Olaf Scholz "të zbatojë shpejt rezolutën e Bundestagut për dërgesat e armëve në Ukrainë". Figura të shquara gjermane nga media, bota akademike dhe politika, midis tyre nobelistja e letërsisë Herta Müller dhe shkrimtarja Eva Menasse, pianisti Igor Levit dhe politikania liberale Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, Presidenti i Qendrës Pen Gjermani Denis Yücel, botuesi Mathias Döpfner shkruajnë në letër se "kushdo që dëshiron një paqe të negociuar, që shkon përtej nënshtrimit të Ukrainës, ndaj kërkesave të Rusisë, duhet të forcojë aftësinë mbrojtëse (të Ukrainës). Dhe të dobësojë aftësinë luftarake të Rusisë sa më shumë që të jetë e mundur".

Filozofi Habermas shpjegon sfondin e debatit

Një nga filozofët më me ndikim në botë sot, Jürgen Habermas e shpjegon debatin e ashpër për Ukrainën në Gjermani me përvojat që kanë brezat e ndryshëm në Gjermani. Në esenë që ai botoi në gazetën Süddeutsche Zeitung në të njëjtën ditë me letrën e revistës EMMA, Habermasi (92 vjeç) thotë se brezi më i ri, i rritur "me ndjeshmëri për çështje normative" arrin "ta shohë luftën vetëm mes alternativave të fitores ose të humbjes". Por mësimi që ka nxjerrë brezi i tij nga Lufta e Ftohtë është "se luftërat kundër një fuqie bërthamore nuk mund të "fitohen" më në kuptimin tradicional të fjalës". 

Debati jo përgjatë vijave të frontit i majtë/i djathtë

Në valën e refugjatëve të 2015-ës, debati u zhvillua pak a shumë përgjatë fronteve i majtë/ i djathtë. Por që me pandeminë, frontet janë përzierë. Ato kalojnë, në përgjithësi, mes mbrojtësve të dëshirës për liri, shumë prej tyre realistë nga njëra anë, dhe pacifistëve, shumë prej tyre tradicionalë, që mendojnë se shteti i mbron më mirë me qëndrim të moderuar, nga ana tjetër. Tani nënshkruajnë së bashku në të njëjtën anë konservatorë, liberalë, ekologjistë radikalë. Ata i sheh në të njëjtën anë si te mbështetësit, ashtu edhe te kundërshtuesit e dërgimit të armëve të rënda Ukrainës.

Nobelistja Herta Müller
Nobelistja Herta MüllerFotografi: Sebastian Gollnow/dpa/picture alliance

Tronditjen e skemave tradicionale i majtë/i djathtë në diskursin publik në Gjermani disa vëzhgues e shohin në mënyrë pozitive. Kthesa epokale, që ndodhi me aktin e papërfytyrueshëm në Gjermani, me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, krijon kushtet për një riorientim intelektual në Gjermani. 

Në një plan më të gjerë, Jürgen Habermasi mendon se debati për pasojat e "kthesës epokale" në politikën ndaj Lindjes dhe në buxhetin e armatimit "synon të shpallë një ndryshim historik...të mentalitetit të pasluftës të gjermanëve" e në këtë mënyrë "fundin i një politikbërjeje gjermane të bazuar në dialog dhe paqeruajtje".

Mbështetja në opinion për armët e rënda për Ukrainën

Javët e fundit në opinionin publik gjerman duket se është rritur mbështetja për dërgimin e armëve Ukrainës. Në një sondazh të Forschungsgruppe Wahlen të publikuar nga ZDF, kjo mbështetje ka arritur në 56 përqind, nga 31 përqind që ishte në mars. Sondazhe të tjera japin një tablo më të balancuar. Sipas një sondazhi të kryer nga instituti Infratest Dimap për ARD-DeutschlandTrend, 45% janë për dhe po aq janë kundër që Gjermania të furnizojë Ukrainën me armë të rënda.

Politika në Gjermani ka tani qëndrim të përcaktuar për ta mbështetur me armë të rënda Ukrainën dhe punon për orientimin e opinionit.

Kancelari Olaf Scholz në mitingun e Federatës së Sindikatave Gjermane (DGB), 01.05.2022
Kancelari Olaf Scholz në mitingun e Federatës së Sindikatave Gjermane (DGB), 01.05.2022Fotografi: David Young/dpa/picture alliance

Ministri i Ekonomisë dhe Klimës të Gjermanisë, Robert Habeck (Të Gjelbrit) e quajti në një intervistë "pacifizëm vulgar" qëndrimin e Alice Schwarzer dhe të të tjerëve.

Ndërsa kancelari Olaf Scholz tha se pacifizmi radikal është "jashtë kohe", është vjetëruar. Në një miting të sindikalistëve në Dyseldorf në 1 maj, Scholzin më parë e quajtën luftënxitës. Por ai u tha pjesëmarrësve të mitingut se "ne nuk do të lejojmë që kufijtë të zhvendosen me forcë dhe të pushtohen territoret". Ky është imperializëm, tha ai. Kancelari gjerman tha se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën "duke përfshirë ndihmën që ajo të mbrohet, duke e furnizuar me armë”.