200710 Aids Gentherapie
24 Korrik 2010Fillimisht dhe para së gjithash synimi ishte që të luftohej kanceri. Sepse që të katër pacientët që kishte në trajtim virologu John Rossi bashkë me kolegët e tij të qendrës spitalore City of Hope në Duarte të Kalifornisë, vuanin nga kanceri i gjendrave limfatike. Kjo është një sëmundje e shpeshtë kanceri e pacientëve me Aids.
Terapia gjenetike shëroi kancerin e gjendrave limfatike
Për të penguar efektet anësore të kimioterapisë me doza të larta, e cila shkatërron edhe palcën kurrizore dhe bashkë me të të gjithë sistemin që prodhon gjakun në trup, mjekët përpara fillimit të terapisë u morën pacientëve qeliza hematopoietike. Këto qeliza do t'u transplantoheshin pacientëve pas kimioterapisë për t'u ndihmuar në rindërtimin e palcës kurrizore dhe të sistemit të gjakut.
Virologu John Rossi: "Me transplantimin e qeliza hematopoietike dhe një kimioterapi agresive ia dolëm ta shëronim kancerin. Deri tani kanceri i nyjave limfatike nuk është rishfaqur sërish."
Në këtë mënyrë ata ia arritën qëllimit të terapisë, por John Rossi dhe kolegët e tij donin më tepër. Ata donin të tregonin se përmes terapisë gjenetike është e mundur që ta bësh të paprekshëm prej sëmundjeve sistemin e gjakut dhe të imunitetit, i cili rinovohet vazhdimisht. Në këtë mënyrë virusi i Sidës nuk ka më shans që të infektojë qelizat dhe t'i shkatërrojë: Rossi: "Ne arritëm që në qelizat hematopoietike të fusim informacione shtesë. Qelizat hematopoietike të manipuluara gjenetikisht mund të depërtojnë në palcën e kurrizit dhe të të krijojnë pak nga pak qeliza të ndryshme për imunitetin e brendshëm të trupit. Të gjitha këto qeliza kanë informacione shtesë. Prej kërkimeve laboratorike me kafshë ne e dimë se qelizat e manipuluara gjenetikisht janë në një masë të madhe rezistente ndaj virusit HIV."
Studimi vazhdon
Terapia gjenetike synon që ta pengojë përhapjen e viruseve në sa më shumë vende dhe organe të trupit. Një gjen tjetër është madje në gjendje që të pengojë virusin e Sidës që të mos hyjë fare nëpër qeliza. Edhe dy vjet pas terapisë gjenetike dijetarët po identifikojnë në sistemin e imunitetit të pacientëve gjene shtesë, që kanë arritur të mbijetojnë në trupin e pacientëve. Megjithatë terapia gjenetike nuk është në gjendje të luajë ndonjë efekt pozitiv lidhur me infektimin me virusin HIV.
Ne nuk mund të mbështetemi vetëm tek terapia gjenetike, thotë John Rossi, se kjo mund t'i dëmtojë pacientët: "Pacientët tanë kanë marrë si përpara edhe pas terapisë një prej terapive të kombinuara që janë sot të zakonshme, pra një koktej të përbërë prej disa medikamentesh kundër Sidës. Këto medikamente vazhdojnë të veprojnë mirë te të katër pacientët e studimit tonë."
Terapia gjenetike si alternativë
Me terapinë e parë gjenetike kundër HIV-it të aplikuar në trupin e njeriut studiuesit e qendrës City of Hope në Kaliforni treguan se qelizat hematopoietike mund të bëhen rezistente ndaj virusit të Sidës. E paqartë mbetet nëse qelizat e manipuluara mund të veprojnë edhe tek njerëzit të cilët nuk i janë nënshtruar më parë një kimioterapie masive. Terapia gjenetike nuk mund të konsiderohet ende si alternativë ndaj terapisë me medikamente.
Autor: Martin Winkelheide/Elert Ajazaj
Redaktoi: Lindita Arapi