1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjashtë të vrarë mbas atentatit në Kabul

Sabina Matthay15 Janar 2008

Si pasojë e një atentati kamikaz në një hotel luksoz në Kabul gjetën vdekjen të hënën (14.01.) të paktën shtatë vetë. Në hotelin Serena ndodhej edhe ministri norvegjez i punëve të jashtme, Gar Stëre.

https://p.dw.com/p/Cpf0
Hoteli "Serena" pas sulmitFotografi: AP

Vizitat në Afganistan për politikanë të nivelit të lartë janë të rrezikshme, e megjithatë, ministri norvegjez i punëve të jashtme, Jonas Gar Stëre (Gahr Störe), nuk kishte pritur se do t'i shpëtonte për një fije një atentati kamikaz.

Hoteli "Serena" ku ishte strehuar ministri së bashku me delegacionin e tij dhjetëantarësh ndodhet në qendër të Kabulit, në mes të ambasadave, ministrive dhe përfaqësive të organizatave ndërkombëtare.

Norwegen Außenminister Jonas Gahr Störe Anschlag Afghanistan
Ministri i jashtëm i Norvegjisë, Jonas Gahr StøreFotografi: AP

Këtu ndalojnë shumë shpesh vizitorë të huaj të rangut të lartë, hoteli është një pikë takimi e preferuar nga politikanët, gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare. Hoteli pesëyjesh është i sigurtë, me fortesa betoni dhe dyer çeliku, rojet kontrollojnë makinat për lëndë shpërthyese, me detektorë për metal kontrollohet për armë.

E megjithatë, militantë islamistë arritën ta sulmojnë ndërtesën. Katër dëshmitarë okularë thonë se kanë parë vetëm tre të armatosur. Ata kishin vrarë rojet tek porta e hotelit me granta dore, kishin depërtuar deri në brendësi të tij, ku të paktën njëri prej tyre ishte hedhur në erë. Shpërrthimi tronditi një pjesë të konsiderueshme të Kabulit. Forcat e sigurisë më pas rrethuan hotelin.

Afghanistan Anschag vor Hotel in Kabul
Menjëherë pas sulmit forcat e sigurisë rrethuan hotelin Serena në KabulFotografi: AP

Njëri nga të vrarët është një fotograf nga shtypi norvegjez. Ministri i jashtëm norvegjez në atë moment ndodhej në ndërtesë, por nuk pësoi lëndime. Ndërkohë talibanët kanë marrë përsipër autorësinë e atentatit, të cilin e kishin përgatitur enkas për vizitën e Jonas Gar Stëres.

Norvegjia ka afro 500 ushtarë në Afganistan, të stacionuar në kuadër të trupës ndërkombëtare mbrojtëse ISAF. Deri në mars ajo planifikon të dërgojë edhe 200 të tjerë. Gjatë fundjavës (12./13.1.) kishte pasur një betejë të fortë mes kontingjentit norvegjez dhe kryengritësve.

Gjithmonë e më shumë militantë islamistë kryejnë atentate vetëvrasëse në Afganistan. Vitin e shkuar pati gjithsej 140. Një rekord i trishtueshëm që pas rëzimit të talibanëve. Vëzhguesit mendojnë se ky rekord i trishtueshëm mund të tejkalohet në 2008-ën.