Shqipëria dhe Kroacia bashkëpunojnë për integrimin europian
7 Shkurt 2006Përveç rekomandimeve dhe sugjerimeve që Tirana zyrtare merr nga ekspertët e Brukselit në procesin e integrimit europian, ajo po e konsideron se një shembull të vlefshëm real nga rajoni ynë dhe rastin kroat. Këto hapa e përpjekje që Shqipëria po bën tani në fazën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit me BE-në, Kroacia i ka kapërcyer, madje jo vetëm kaq por ajo është në finalizimin e procesit, duke qenë një vend me statusin e vendit kandidat për anetarësim me të drejta të plota.
Pikërisht për këtë Kroacia vlerësohet si një eksperiencë e çmuar për politikanët shqiptarë. Një grup deputetësh kroate të komisionit të integrimit europian janë në Shqipëri, në kuadër të idesë së bashkëpunimit ndërparlamentar për çështjet e integrimit.
Kryetari i komisionit parlamentar të integrimit, Ilir Meta, i përshkruan mjaft të frutshme këto kontakte dy palëshe." Ne mendojmë se përvoja kroate do të jetë një përvoje shume e çmuar për Shqipërinë, për parlamentin tonë, në mënyrë që të rrisim dimensionin parlamentar në çështjet e integrimit europian" - thotë Meta.
Përmirësimi i legjislacionit, forcimi i institucioneve demokratike, reformat në ekonomi dhe sektorë të tjerë jetikë - janë disa nga çështjet që po diskutojnë në Tiranë parlamentarët e dy vendeve. Delegacionin kroat e kryeson ish- ministrja e Integrimit, Mimica Neven, një nga protagonistët kryesore në procesin e integrimit europian të vendit të tij.
Shqipëria është në fazën përmbyllëse të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim- Stabilizimit me BE. Pas pak ditëve në Tiranë pritet të bëhet miratimi i tekstit teknik të marreveshjes, ku ka paralajmëruar prezencën e tij edhe shefi i Komisionit Europian, Barroso. Ndërkohë që nënshkrimi zyrtar i Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit pritet të bëhet para verës së këtij viti.
Shqipëria e Kroacia së bashku me Maqedoninë janë duke bashkëpunuar dhe në fushën e mbrojtjes, në kuadër të Kartës së Adriatikut, një nismë e procesit të anëtarësimit të tyre të përbashkët në NATO.