Shqipëria dhe Kroacia së shpejti anëtare të NATO-s
3 Prill 2008Sot në pjesën e parë të samitit në fjalën e tij sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike Jap de Hop Skefer (Jaap de Hoop Scheffer) foli për rëndësinë e misioneve të Natos në pjesë të ndryshme të botës.
'Sot ne në veçanti nderojmë ata që dhanë jetën e tyre në shërbim të Aleancës', tha Skefer. Pjesëmarrësit në samit nuk kanë arritur dje që të bien në ujdi për një anëtarësim të shpejtë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Aleancë.
Krerët e vendeve anëtare të Natos kanë shtyrë po ashtu vendimin për dërgimin e një ftese Maqedonisë për shkak se Greqia nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj për përdorimin e vetos. Nga ana tjetër pranimi i Kroacisë dhe i Shqipërisë është më se i sigurtë, thanë diplomatë të Natos. Vendimi për dërgimin e një ftese Maqedonisë është shtyrë për në vjeshtë. Deri atëherë Greqia dhe Maqedonia duhet të arrijnë një marrëveshje sa i përket emrit.
Megjithatë kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se:'Do të dëshiroja që Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia të pranohen në Nato bashkarisht. Unë mund vetëm të them se ne do të provojmë deri në minutën e fundit që të tejkalohen zënkat mes Greqisë dhe Maqedonisë'. Por se a do të arrijmë këtë gjatë ditës së sotme nuk është e sigurtë'.
Ndërkaq ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer u shpreh lidhur me angazhimin amerikan për anëtarsimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në Nato. 'Arsyet kanë të bëjnë me gjendjen e brendshme si në Ukrainë ashtu dhe në Gjeorgji. Shpresoj që diskutimi për këtë të jetë në plan të parë', tha Shtajnmajer.