1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Bllokohen fluturimet në Aeroportin e Rinasit

7 Prill 2021

Kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin e Rinasit ndërpresin punën dhe kërkojnë pagë më të lartë.

https://p.dw.com/p/3rh9y
Albanien Flughafen Mutter Teresa in Tirana
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Shkullaku

Kontrollorët e trafikut ajror, të Albcontrol, në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza” në Rinas, ndërprenë të mërkurën (07.04) punën e tyre pas uljes së pagave nga 4.400 dollarë në 2.200 në muaj.

Për pasojë të gjitha fluturimet nga dhe drejt këtij aeroporti u anuluan dhe Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror ka paralajmëruar vazhdimin e pezullimit të fluturimeve deri të enjten ( 08.04 ) në mesditë. Sipas kësaj sindikate kontrollorët e trafikut në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit po përjetojnë stres dhe situate të vështira psikologjike për shkak të uljes së pagës dhe si rrjedhim janë të paaftë për punë.

Burime nga Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftuan se të mërkurën (07.04) do të arrinin në aeroportin e Rinasiti një sasi vaksinash, gjë që nuk u realizua për shkak të pezullimit të fluturimeve.

Albanien Tirana Flughafen
Fotografi: DW/A. Muka

Si kryeministri Edi Rama edhe lideri i opozitës dhe PD, Lulzim Basha, bënë përgjegjës kundërshtarët e tyre respektivë politikë për ndërprerjen e punës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Paga e kontrollorëve të Albcontrol nuk është e lidhur me buxhetin e shtetit. Albcontrol është anëtare e Eurocontrol dhe e CANSO (Civil Air Navigation Services Organization) dhe e CANSO Europe Region.

Autoritetet deklaruan se ulja e pagës është pasojë e pandemisë Covid-19 që ka goditur sektorin e transportit ajror . Kontrollorët e trafikut ajror shqiptar janë arsimuar dhe kualifikuar si specialistë në akademi dhe institucione të njohura ndërkombëtare si në Britaninë e Madhe, Luksemburg dhe Republikën Çeke.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana