241109 Wende in Osteuropa
6 Dhjetor 2010Shqipëria ishte një rast i veçantë: përkrah Jugosllavisë ajo ishte vendi i vetëm komunist në Evropë që doli nga Traktati i Varshavës që në vitin 1961. Diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha, praktikonte një stalinizëm të ashpër. Ai i kishte kuptuar edhe reformat në Bashkimin Sovjetik nën drejtimin e Nikita Hrushovit si devijim nga mësimet e marksizëm-leninizmit të vërtetë. Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet me të gjitha shtetet socialsite dhe nuk mbante kontakte as me botën perëndimore. Ajo ishte vetëizoluar.
Aparati represiv i vendit ishte shumë më brutal dhe i organizuar më me themel se në vendet tjera të Evropës Lindore. Shqipëria nuk kishte nevojë për mure dhe gardhe kufiri. Tilman Berger nga Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International e përshkruante kështu gjendjen në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990 në dhjetor të vitit 1990: „Shqipëria ishte me vite të tëra pas shteteve të tjera të Evropës Lindore me standardet e të drejtave të njeriut. Nuk kishte mbrojtje në gjykata. Dënimet ishin të mëdha. Shumë shpesh zbatohej dënimi me vdekje.“
Vetura private nuk kishte dhe udhëtimet brenda vendit bëheshin vetëm me lejen e autoriteteve. Çdo i huaj zgjonte menjëherë vëmendjen e spiunëve të shërbimit të fshehtë.
Regjimi kishte shkatërruar sistematikisht të gjitha institucionet që mund t'i bënin konkurrencë. Kjo pati goditur veçanërisht rëndë bashkësitë fetare, të cilat jo vetëm që u ndaluan por përfaqësuesit e tyre, priftërinjët dhe hoxhallarët u internuan dhe shumë prej tyre edhe u vranë.
Për shkak të fuqisë së aparatit represiv dhe të spiunazhit nuk mund të krijoheshin as rrjete të disidentëve. Jo rrallë aparati i spiunimit futej edhe brenda familjes. Kësaj i shtohej edhe ushtrimi i hakmarrjes ndaj familjarëve. Prindërve u duhej të ruheshin dhe të mos flisnin hapur me fëmijët e tyre. Në rast se fëmijëve të shkujdesur do t' u shpënte ndonjë fjalë në shkollë atëherë e tërë familja rrezikohej me internim.
Si në Pragë ashtu dhe në Tiranë shpërbërja e regjimit filloi përmes ambasadave perëndimore. Një rol të veçantë ka luajtur Republika Federale e Gjermanisë, e cila me nxitjen e kryeministrit bavarez Franz-Josef Strauß vendosi në vitin 1987 marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Strauß shpresonte atëherë në hapjen e vendit por nuk kishte iluzione: „Partnerët e mi në bisedime nuk përmenden fjalën 'reforma' por folën për 'përmirësimin e eficiencës së sistemit të tyre'. Si i huaj bën mirë që mos tu japësh këshilla. Unë besoj që tani ka filluar hapja e Shqipërisë por ajo do të pasohet vetëm me hapa të vegjël mikroskopik”.
Ambasadori i ri i Shqipërisë ende nuk kishte filluar mirë detyrën në pranverë të vitit 1990, kur në fillim të korrikut mijëra njerëz vërshuan në ambasadën gjermane dhe pastaj edhe në ambasadat e tjera perëndimore.
Për të mbajtur gjendjen në kontroll, qeveria nën drejtimin e presidentit Ramiz Alia lejoi udhëtimin e papenguar të refugjatëve dhe përmes një procedure të shpejtë i pajisi ata me pasaporta. Në mes të korrikut rreth 5.000 refugjatë të ambasadave u larguan nga vendi përmes një aksioni të kryer brenda një natë. Megjithatë regjimi qëndroi edhe nëntë muaj të tjerë.
Lëvizja studentore e dhjetorit ishte ajo që dha impulsin vendimtar për ndryshimin e regjimit. Nga kjo lëvizje stdunetore u krijua Partia Demokratike. Më 20 shkurt të vitit 1991 demonstruesit rrëzuan në Tiranë bustin e Enver Hoxhës.
Në mars të vitit 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para shumëpartiake, të cilat u fituan nga ish-komunistët të mbledhur në Partinë Socialiste. Ata mund të kontrollinin procesin zgjedhor. Dy muaj më vonë një grevë e përgjithshme e detyroi këtë qeveri të japë dorëheqjen. Po ashtu nga vera e vitit 1991 filloi një largim masiv i njerëzve drejt Italisë dhe Greqisë. Vetëm më 8 gusht në portin italian të Barit me një traget arritën 10.000 njerëz.
Një qeveri teknike nën drejtimin e opozitës demokratike morri përsipër qeverisjen e vendit. Në mars të vitit 1992 gati dy vjet e gjysmë pas rrëzimit të murit të Berlinit opozita demokratike fitoi zgjedhjet në Shqipëri.
Autor : Fabian Schmidt / Esat Ahmeti
Redaktoi : Aida Cama