Lobim femëror në Gjermani
6 Qershor 2018Dy delegacione nga Shqipëria ndodhen aktualisht në Gjermani: njëri në rang qeveritar, i kryesuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe tjetri në rang parlamentar, i përbërë prej dy deputeteve të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, Mimi Kodheli, PS, kryetare, dhe Rudina Hajdari, PD. Të dy kanë një mesazh: hapni negociatat.
Gjermania përkrahëse edhe në të ardhmen
Veç takimeve në Bundestag dhe në zyrën e kancelares, Angela Merkel, Etilda Gjonaj u takua të martën (05.06.) me homologen e saj gjermane, Katarina Barley (SPD). Siç bënë të ditur për Deutsche Wellen, burime nga Ministria Federale e Drejtësisë në qendër të takimit ishin lufta kundër korrupsionit, modernizimi i burgjeve dhe pavarësa e gjyqësorit.
Ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë prezantoi rezultatet e para të reformës së drejtësisë si hapin më të rëndësishëm të Shqipërisë në drejtim të Europës: rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe projektin Euralius, që financohet nga BE-ja dhe realizohet nën udhëheqjen e institucionit gjerman, Stiftung für Internationale rechtliche Zusammenarbeit. Po ashtu mësohet se dy ministret vlerësuan pavarësinë e gjyqësorit si bërthamën e shtetit të së drejtës dhe si kushtin themelor për krijimn e besimit te popullsia. Ministrja gjermane i siguroi koleges së saj nga Shqipëria vazhdimin e negociatave.
Lobime për negociatat
Udhëtimin e saj në Berlin ministrja Etilda Gjonaj e shfrytëzoi edhe për të lobuar tek vendimmarrësit gjermanë për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Në një takim me përfaqësues të grupit të punës për çështje të Bashkimit Europian të grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial, ministrja shqiptare, sipas një postimi të saj në Facebook, u kishte thënë deputetëve gjermanë se ritmi i realizimit të procesit të vetingut është i kënaqshëm dhe se është parashikuar që shumë shpejt do të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare dhe më pas menjëherë mund të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë.”
Po ashtu ajo u ka prezantuar deputetëve gjermanë masat që qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe ka vënë në dukje se si pasojë Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit. Po ashtu ministrja, sipas të njëjtit burim, ka bërë të ditur se falë marrëveshjes së nënshkruar me Eurojust, Shqipëria mund të kryejë tashmë hetime të përbashkëta me autoritetet e tjera të vendeve të BE-së për të luftuar më mirë krimin e organizuar.
Mbështetje edhe nga parlamentaret
Mbështetje ka pasur ministrja gjatë këtij takimi edhe nga dy deputete të parlamentit shqiptar, Mimi Kodheli (PS) dhe Rudina Hajdari (PD), të cilat po ashtu ndodhen në Berlin me mision lobues. Ato gjithashtu janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve ligjvënëse dhe ekzekutive në Gjermani.
Kjo ofensivë lobuese që forcat politike shqiptare po e bëjnë aktualisht në mbarë Evropën është patjetër gjë e mirë, i tha Deutsche Welles Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU për Shqipërinë pas takimit me dy deputetet shqiptare. Ky është një sinjal pozitiv, dhe nuk është kurrsesi i gabuar, sepse në fund të fundit janë 27 vende që duhet ta miratojnë rekomandimin e Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave.
Qëndrime devijuese bernda kampit të Merkelit
Në rastin e Gjermanisë vota duhet të kalojë nga parlamenti, prandaj edhe kancelarja do të duhet të prezantojë në samitin e radhës në fund të qershorit në Bruksel një qëndrim që mbështetet së paku nga dy grupet parlamentare të partive të koalicionit: CDU/CSU dhe SPD.
Ndërsa Partia Socialdemokrate është shprehur pak a shumë hapur pro hapjes së negociatave, në radhët e krahut të kancelares, Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial qëndrimet janë të ndryshme. Siç bëjnë të ditur burimet e Deutsche Welles pranë këtij grupi, qëndrimet devijojnë nga hapje pa kushte, në hapje me kushte e deri në moshapje të negociatave.
Vendimi pritet pas datës 20 qershor
Megjithatë qëndrimi zyrtar i parlamentarëve gjermanë ka shumë gjasa që të bëhet i njohur vetëm pas konsultimeve qeveritare franko-gjermane në datat 19/20 qershor. Ndërsa kancelarja Merkel deri tani nuk e ka shprehur hapur qëndrimin e saj, presidenti i Francës Emanuel Macron i ka theksuar vazhdimisht rezervat e tij ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Siç bëhet e ditur nga qarqet partiake në parlamentin gjerman, disa deputetë kanë dëshirë që qendrimi i Gjermanisë të harmonizohet me atë të Francës para se të bëhet publik.