1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi Kosovën pas opinionit këshilldhënës të GJND-s pro pavarësisë së Kosovës

28 Korrik 2010

Shtypi gjerman ndalet në nevojën e pajtimit midis Serbisë dhe Kosovës pas opinionit këshilldhënës të GJND-së pro pavarësisë së Kosovës

https://p.dw.com/p/OWje
Faqe të para të gazetave kryesore gjermane
Faqe të para të gazetave kryesore gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

"Serbia do të pajtohet me Kosovën "

"Gazeta Kölner Stadt-Anzeiger" (28.07):

"Në konfliktin mbi pavarësinë e Kosovës, presidenti serb, Boris Tadiç po përdor tone më pajtuese. Në një fjalim historik para parlamentit serb, presidenti Boris Tadiç la të kuptohej një ndryshim në politikën e Kosovës. "Serbia duhet " pavarësisht si dhe nga kush qeveriset të mbajë marrëdhëniet më të mira me fuqitë e mëdha". Çdo lloj politike tjetër do të "dështonte menjëherë". Pa marrëdhënie të mira me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA, Rusinë, Indinë, dhe Kinën, Serbia nuk mund të mbrojë integritetin e saj. Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, megjithatë është e interesuar për një kompromis. Tadiç: "Zgjidhja nuk është që shqiptarët e Kosovës të marrin gjithçka dhe serbët, populli serb dhe Serbia asgjë."

"Për të biseduar mundemi për gjithçka"

"Frankfurter Rundschau" (27.07)

Që të martën ka shpresa që Evropa në një kohë të parashikueshme të ketë një qëndrim më pak të sforcuar përkundrejt Ballkanit Perëndimor: Serbia do që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë bisedimet me Kosovën, dhe me këtë të shtensionojë mundësinë e një konflikti të hapur. Natën e së martës, me shumicë të qartë parlamenti serb mbështeti planet e presidentit Boris Tadiç që brenda kuadrit të Kombeve të Bashkuara të bëhet lobim për fillimin e bisedimeve me palën kosovare...Siç bëjnë të ditur diplomatët serbë, përgatitjet për bisedime me udhëheqjen kosovare nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, kanë shkuar mjaft përpara. "Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka.", tha një përfaqësues i lartë qeveritar, i cili nuk donte të përmendej me emër. Ndërsa në qarqe të tjera mësohet: "Ne kemi nevojë për një kompromis historik mes Prishtinës dhe Beogradit. Dy propozime për zgjidhje janë për strategët serbë të arritshme: Nga njëra mund të arrihet një shkëmbim territoresh, me të cilin të pranohen "realitetet në terren". Me këtë kuptohet që Serbia të marrë territoret në Veriun e Kosovës, të banuara më shumicë serbe. Një gazetë serbe raportoi se Kosova përkundër kësaj mund të marrë territore të Luginës së Preshevës. Zgjidhja e dytë për serbët orientohet në planin e Ischingerit të vitit 2007. Ischinger, i cili si i dërguar i BE-së udhëhoqi bisedimet për Kosovën propozoi një zgjidhje si marrëveshja bazë e vitit 1972 gjermanolindore-gjermanoperëndimore. Republika Federale dhe Republika Demokratike Gjermane njihnin kufijtë dhe sovranitetin e njëra-tjetrës, me marrëveshjen. Një kompromis i tillë do të mundësonte serbëve të ruanin fytyrën. Sepse kështu ata formalisht nuk do ta lëshonin Kosovën.

"Dalje nga qorrsokaku"

Kölner Stadt Anzeiger (27.07.)

Beogradi është i gatshëm t'i japë fund bllokimit që i bën anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Si shpërblim, presidenti Boris Tadiç ka nevojë për një zgjidhje që i lejon atij një tërheqje me nder. Fantazia këtu nuk ka kufij. Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një zgjidhje bilaterale për shembull, si dikur Willy Brandt me Erich Honecker. Atmosfera për një gjë të tillë duket e përshtatshme. Rast tjetër më të mirë për këtë nuk ka. Edhe Kosova mund të përfitojë nga një zgjidhje e tillë kreative. Jo vetëm që shteti i ri mund të pranohet në OKB. Kosovarët duhet, po qe se duan të afrohen me BE-në, të jenë vetë mjaft të interesuar që anëtarët e BE të marrin një qëndrim të përbashkët për shtetin e tyre. Për fat të keq, asnjë shenjë nuk ka në Prishtinë që udhëheqësit atje e kanë kuptuar një gjë të tillë."


Autor: Shtypi/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi