Shumica e marokenëve votojnë për kushtetutën e re
2 Korrik 2011Marokenët me shumicë absolute janë shprehur për një kushtetutë të re. Siç informoi ministri i Brendshëm, Taib Cherkaoui mbi 98 për qind e qytetarëve me të drejtë vote votuan në një referendum popullor për reformat e propozuara nga Mbreti Abdullahu i VI-të.
Radhë të gjata nën diellin djegës
Referendumi u zhvillua në një atmosferë normale, tha Cherkaoui, dhe dëshmon " për lidhjen që njerëzit ndjejnë me përmbajtjen e projektit kushtetues." Për të theksuar se edhe të rinjtë i mbështesin ndryshimet kushtetuese, ministri i Brendshëm i Marokut përmendi se 30% e elektoratit përbëhet nga persona nën moshën 35% vjeç.
Në referendum kanë marrë pjesë gati 73 për qind e elektoratit. Nën diellin djegës, qindra njerëz qëndruan në radhë të gjata para qendrave të votimit për të dhënë votën e tyre. 40.000 qendra votimi ishin hapur në të gjithë vendin, edhe në rajonin e Saharasë perëndimore, i aneksuar nga Maroku në vitin 1975 pas tërheqjes së kolonialistëve spanjollë.
Çfarë ndryshon në Marok pas referendumit?
Vetë mbreti Mohamed i VI i paraqiti ndryshimet kushtetuese në mesin e Qershorit. Ndryshimi i kushtetutës, për të cilën u votua në referendum parasheh pakësimin e pushtetit të monarkut dhe kalimin e një pjese të kompetencave tek qeveria në Rabat. Megjithatë mbreti i Marokut edhe më tej do të jetë kryekomandant i ushtrisë, do të mund të shpërndajë parlamentin dhe do ta ketë fjalën e fundit në çështjet e fesë dhe drejtësisë.
Me ndryshimet e reja pritet edhe rritja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në Marok. Gjithashtu do të sanksionohet me ligj edhe barazia mes burrit e gruas dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Lëvizja opozitare e kritikoi referendumin dhe paralajmëroi zhvillimin e protestave të reja.
Autor: AG/Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi