1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumicë e lëkundur në Këshillin Federal - Koalicioni CDU/CSU - FDP dhe dhoma e përfaqësimit të landeve

2 Tetor 2009

Partitë e Unionit (CDU und CSU) dhe liberalët (FDP) kanë fituar një shumicë të qartë në Bundestag dhe duan të krijojnë qeverinë e koalicionit. Në Bundestag ato kanë shumicë të rehatshme por jo në Këshillin Federal.

https://p.dw.com/p/JwJo
Në foto: pamje nga jashtë e ndërtesës së Bundesrat-it në Berlin.
Pozicioni i koalicionit të ardhshëm zi e verdhë nuk është shumë i fortë në Këshillin e Landeve (Bundesrat).Fotografi: AP

Në shikim të parë, Angela Merkel nuk do të ketë probleme në mandatin e dytë, sepse ka shumicën e duhur në Parlament dhe në Këshillin Federal. Por lideri i të majtëve, Oskar Lafontaine, thotë se ata do ta kundërshtojnë ashpër në Këshillin Federal, ku përfaqësohen 16 landet e Gjermanisë, dhe do të bllokojnë ligjet e propozuara nga qeveria. Kancelarja e di këtë problem, prandaj që tani apelon për një harmoni të plotë të partive të Unionit dhe liberalëve.

"Ne e kemi për detyrë të jemi të suksesshëm. E kemi shumicën në Bundestag dhe në Këshillin Federal, që është një parakusht i mirë për aftësi veprimi. Por kjo shumicë mund edhe të humbasë, nëse nuk i realizojmë pritjet e zgjedhësve. Në maj të vitit të ardhshëm do të kemi zgjedhje shumë të rëndësishme në landin e Renanisë Veriore dhe Vestfalisë", tha Merkel.

Ky është landi më i madh në Gjermani me gjashtë vende në Këshillin Federal, ku duhet të miratohen shumë ligje të qeverisë. Partitë e Unionit dhe liberalët do të kenë në të ardhmen 37, nga gjithsej 69 përfaqësuesit e landeve.

Por në Gjermani ka shumë shpesh zgjedhje në lande. Në qoftë se në zgjedhjet e ardhshme në maj, të majtët futen në parlamentin e Dyseldorfit dhe në Renaninë Veriore dhe Vestfali, krijojnë koalicion me socialdemorkatët, atëherë koalicioni qeveritar në Berlin do të humbiste shumicën në Këshillin Federal.

Oskar Lafontaine, kryetari i Partisë së Majtë gjermane "Die Linke".
Oskar Lafontaine, kryetari i Partisë së Majtë gjermane "Die Linke".Fotografi: DPA

Oskar Lafontaine ka filluar që tani të ushtrojë presion ndaj socialdemokratëve: "Detyra kryesore e socialdemokracisë duhet të jetë ndalimi i rënies së gjendjes sociale. Zgjedhjet në landin e Renanisë Veriore dhe Vestfalisë, kanë një domethënie të ngjashme me ato për Bundestag-un. Në qendër të vëmendjes tani do të jetë Këshilli Federal."

Oskar Lafontaine ka organizuar në vitet 90-të, si kryetar i Partisë Socialdemokrate (SPD), bllokadën e reformës tatimore në kohën e kancelarit Helmut Kohl në Këshillin Federal. Por kësaj radhe do ta ketë më vështirë, për shkak të shumë ngjyrave që ka parlamenti.

Me reformën e fundit të sistemit federal në Gjermani është zvogluar edhe numri ligjeve që duhet të miratohen edhe nga Këshillit Federal. Megjithatë, projekti më i dashur i liberalëve, për reformën e sistemit të tatimeve, duhet të miratohet edhe në Këshillin Federal.

Autor: Bernd Grässler / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani