Shumë kultura në një klasë intensive gjermane
27 Dhjetor 2013Gabrieli 11 vjeçar duke imituar fryhet, thërret frikshëm, ngre krahët lart dhe i shtrin gishtërinjtë, derisa ato të duken si putra. Shprehjet "a kështu është", apo "ëhë", dëgjohen në mbarë klasën. Tani ata e e kanë kuptuar se ç' është ariu. "Të tillë ka në dy ngjyra dhe njëri prej tyre është dhe ariu polar", thotë me zë të lartë njëri nga nxënësit. "Po, pikërisht ashtu është", thotë mësuesja Anke Steinacker- Wëlbing, duke pohuar me kokë.
Ndërkohë teksti vazhdon me fjalë të tilla si: "Schweizer Käse" (djatthë zviceran), "Ebenholz" (abanoz), "Flitzbogen" (hark me shigjetë). Me tinguj, gjeste dhe shumë fotografi fëmijët dhe mësuesit i shpjegojnë termat. T'i përkthesh të gjitha në gjuhën amtare të secilit, këtu kjo nuk shkon - sepse nxënësit, që ndjekin mësimin intensiv vijnë nga Rumania, nga Bullgaria, nga Polonia e madje edhe nga Panamaja.
Nxënësit një nga një e mbushin klasën
Ka vite që numri i nxënësve, të cilët vijnë nga familje emigrantësh, po rritet gjithnjë e më shumë. Veçanërisht që pas shpërthimit të krizës së euros është rritur dukshëm numri i familjeve, që kanë ardhur në Gjermani. Nëse krahason numrin e migrantëve të ardhur gjatë pesë muajve të parë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit 2012, vëren se numri i migrantëve është rritur sivjet me gjithsej 9,2 %. Kryesisht vendet nga kanë emigruar më shumë njerëz për në Gjermani, janë Italia, Portugalia dhe Spanja, nga këto vende ka një rritje deri në rreth 40 për qind. Ndërsa rekordin më të lartë e mban migracioni nga Bullgaria, Polonia dhe Rumania. Në mënyrë që fëmijët të mos futen direkt në mësim pa pasur njohuri të gjermanishtes, të gjitha shkollat në Gjermani organizojnë kurse paraprake, të ashtuquajtura kurse intensive, provizore, apo kurse parapërgatitore.
Në shkollën e quajtur "Sophia" në Frankfurt mbi Main ofrohen dy lloj kursesh intensive. Njëri kurs është për ata nxënës, të cilët nuk dinë asnjë fjalë gjermanisht. Dhe sapo ato e përvetësojnë pak a shumë gjuhën, kalojnë direkt në kursin tjetër, i cili është i një niveli më të lartë.
Numër i lartë i kërkesave për kurset intensive
Në këto kurse intensive gjithçka është më ndryshe. Këtu ka nxënës të moshave dhe nacionaliteteve të ndryshme dhe jo vetëm kaq, klasa ndryshon vazhdimisht gjatë vitit, sepse vazhdimisht vijnë nxënës të rinj dhe largohen të vjetrit. "Vitin e kaluar patëm mbi 20 nxënës më shumë nga kapaciteti i parashikuar", thotë Steinacker-Wëlbling.
Pas një viti nxënësit do të duhej të kalonin në klasa të rregullta, sepse vetëm në këtë mënyrë, mundësohet që nxënësit e rinj të inkuadrohen në procesin mësimor. Kapaciteti i parashikuar për këto klasa është maksimumi 15 nxënës. Këtu duhet pasur parasysh se njohuritë gjuhësore të nxënësve janë të ndryshme dhe se ata kanë gjuhë të ndryshme amtare. Ndaj dhe një dollap në fund të klasës është shumë i vlefshëm, sepse "atje kemi fjalorë të ndryshëm, në 12 gjuhë të ndryshme", thotë mësuesja Steinacker-Wëlbing.
Fëmijë të traumatizuar nga zonat e krizës
12 vjeçarit Anthony i pëlqejnë më shumë fjalorët me fotografi: "Librat janë të mrekullueshëm, ti sheh fotot dhe menjëherë e kupton se çdo të thotë përmbajtja e tyre në gjuhën tënde." E ëma e Anthonyt vjen nga Panamaja, ndërsa babai i tij është gjerman, ata janë shpërngulur në Frankfurt mbi Main para tetë muajsh. Panamaja është një përjashtim, sepse fëmijët e klasave intensive vijnë kryesisht nga zonat e prekura prej krizave, ose luftrave dhe shumë prej tyre kanë përjetuar gjëra të tmerrshme, ata janë të traumatizuar. Ky fakt është shumë prekës për mësuesën Steinacker-Wëlbing. "Ekstremin e përjetova kryesisht gjatë krizës së Bosnjes", shprehet ajo. "Atëherë kisha nxënës, të cilët uleshin menjëherë nën tavolinat e tyre, sapo dëgjonin zhurmën e aeroplanit, nga frika se mund t'i qëllonin." Ajo ka punuar edhe me fëmijë, të cilët kanë kaluar përmes gjysmës së Afrikës dhe së shpejti, thotë ajo, mund të më duhet t'u jap mësim edhe fëmijëve refugjatë nga Siria.
Pritja - deri në ditën e parë të shkollës
Vazhdimisht mëson për fate të rënda, për fëmijë me histori dhe përjetime të dhimbshme, kjo nuk është e lehtë as për mësuesit, por megjithatë atmosfera në këto klasa intensive është megjithatë mirë, thotë ajo. "Kjo klasë është e sigurtë", ndaj dhe Gabrieli 11 vjeçar vjen me shumë dëshirë këtu: "Të gjithë janë shumë të mirë dhe askush nuk më bezdis", thotë ai.
Gabrieli bashkë me nënën e tij, e cila shpreson të gjej një punë me pagë të mirë, kanë emigruar para pesë muajsh nga Bosnja. Ai ka një muaj që ndjek shkollën dhe arsyeja është, se në Gjermani fëmijët kanë të drejtë të marrin pjesë në mësim vetëm, pasi t'u jenë nënshtruar të gjitha ekzaminimeve mjekësore në konsultoret shëndetësore. Në këto qendra është e vështirë të marrësh shpejt orar tek mjeku, kritikon Anke Steinacker-Wëlbling. Sipas saj, kjo është arsyeja, përse "duhet kohë, derisa fëmijët më në fund të marrin pjesë në klasat intensive."
Nga klasat intenaive drejt universitetit
Në fund gjithçka varet nga vetë nxënësit, se çfarë duan të vazhdojnë pas mësimit në klasat intensive. Shumica e këtyre klasave janë të lidhura me shkollat e nivelit bazë. "Por ata i kanë të hapura dyert edhe për të vazhduar shkollimin në nivelet e larta", thotë mësuesja Steinacker-Wëlbing. Njëri nga nxënësit e saj, tani studion në një universitet, krenohet ajo.
Edhe Anthony dhe Gabrieli kanë plane të mëdha. Ata duan që të mbarojnë shkollën e mesme. Madje, Anthony ka edhe disa ide për degën, që dëshiron të studiojë: Fizikë ose mjekësi. "Unë dua të kem një punë të mirë", thotë ai dhe shton se dëshiron të ketë "edhe një jetë më të mirë".