1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shërbimi Informativ Gjerman: separatistët rrëzuan MH-17

aud/kle/pg (afp, dpa) 20 Tetor 2014

Pse u rrëzua në korrik, mbi Ukrainën Lindore një avion pasagjerësh? Shërbimi Informativ Gjerman ka të dhëna të reja. Ai ngarkon separatistët rusë me përgjegjësi për rrëzimin.

https://p.dw.com/p/1DYSh
Vendi i rrezimit te MH17
Fotografi: Reuters

Rrëzimi i avionit malajzian të pasagjerëve MH17 në Ukrainën Lindore, sipas Shërbimit Informativ Gjerman (SHIGJ) është shkaktuar nga një raketë, e lëshuar nga separatistët prorusë. Siç bën të ditur revista "Der Spiegel" në numrin e saj të fundit, shefi i BND-së, Gerhard Schindler e deklaroi këtë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Kontrollit të Bundestagut. Ai paraqiti në Komision dëshmi të ndryshme, midis tyre një regjistrim të pamjeve satelitore dhe fotografi të ndryshme.

Në bazë të kësaj, separatistët prorusë kishin rrëmbyer një sistem të mbrojtjes ajrore të tipit BUK nga një bazë ukrainase dhe e lëshuan prej tij më 17 korrik një raketë, e cila shpërtheu direkt pranë avionit MH17. Në bordin e avionit Boeing ndodheshin 298 vetë, të cilët e humbën të gjithë jetën. Avioni i pasagjerëve i Malaysia Airlines qe nisur më 17 korrik nga Amsterdami, me objektiv Kuala Lumpurin. Menjëherë pas rrëzimit pati supozim se avioni mund të qe rrëzuar nga milicët prorusë. Që atëherë, qeveria ruse dhe ajo ukrainase akuzojnë njëra-tjetrën reciprokisht se e kanë shkaktuar rrëzimin.

I përshkuar nga objekte

Një komision hetimor hollandez, pas vlerësimit të të dhënave të kutisë së zezë të avionit arriti në shtator në përfundimin se avioni qe përshkuar nga shumë "objekte" përpara se të copëtohej në ajër. Por se kush e mbante përgjegjësinë për këtë, hollandezët nuk e thanë.

Ndërsa Shërbimi Informativ Gjerman, sipas "Spiegel-it" ndërkohë ka arritur në përfundime të qarta. Informacionet e palës ruse, në bazë të të cilave raketën e lëshuan ushtarë ukrainas dhe se në afërsi të avionit të pasagjerëve pati fluturuar një avion gjuajtës bombardues ukrainas, sipas SHIGJ janë të gabuara. "Ishin separatistë prorusë", citon revista raportin e shefit të SHIGJ.

Në rrëzimin e avionit e humbën jetën katër gjermanë. Prokuroria Federale në Karlsruhe ka nisur hetime kundër personave të panjohur, sepse rrëzimi i avionit mund të jetë krim lufte, shkruan revista "Spiegel".

Haga kërkon bashkëpunim

Pak kohë më parë, qeveritë e Hollandës dhe të Australisë kërkuan nga presidenti rus një "bashkëpunim" më të ngushtë në sqarimin e rrëzimit të avionit MH17. Ai ia ka paraqitur këtë kërkesë Putinit në takimin Evropë Azi në Milano, shkroi kryeministri i Hollandës Mark Rutte në Twitter pas një takimi të enjten. 193 nga 298 viktimat e rrëzimit janë hollandezë, prandaj është Haga ajo që i drejton hetimet. Deri tani u identifikuan 272 kufoma.

Edhe Australia u tregua e pakënaqur me informacionet e Rusisë për rrëzimin. Ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop deklaroi të premten, pas një takimi me homologun e saj rus, Sergej Lavrov: "Rusia nuk është aq bashkëpunuese, si do ta prisnim." Kjo temë do të rivendoset në tryezë kur Putini gtë shkojë në nëntor, në një takim të nivelit të lartë të G-20-ës në Brisbane të Australisë.