Qytetarëve nuk u interesojnë shërbimet sekrete
23 Korrik 2013Librat mbi shërbimet sekrete shiten momentalisht si rrallë më parë. "1984" skenari frikshëm i George Orwellit mbi një shtet të gjithëfuqishëm policor, të ashtuquajturin "Big Brother", që spiunion qytetarët e tij, renditet ndërkohë lart në listat e shitjes së librarive gjermane. Në shkurt 2013 Josef Foschepoth botoi për herë të parë librin e tij "Gjermania e kontrolluar", që informon me hollësi mbi përgjimin e telefonit dhe të postës në Republikën e vjetër Federale deri në vitin 1989. Moment më të mirë për botimin e librit nuk do të kishte mundur të zgjidhte profesori i historisë nga Freiburgu. Tani kjo temë është më aktuale dhe më e kërkuar se kurrë. Foschepoth zbulon në librin e tij, për shembull, se marrëveshjet e fshehta të periudhës së pasluftës - të cilat janë ende të vlefshme pjesërisht edhe sot – i garantojnë shërbimeve sekrete të ish fuqive pushtuese ende shumë liri në aktivitetet e tyre të spiunazhit në Gjermani.
Një sondazh joreprezentativ i Deutsche Welles në disa librari duket se konfirmon se zbulimet e javëve të fundit e kanë bërë të mendohen një pjesë të popullsisë. Edhe literatura shkencore mbi mbrojtjen e të dhënave gjen gjithnjë e më shumë lexues, rrëfejne shitësat e librarive. Por a mbrohen me të vërtetë qytetarët kundër kontrollit të të dhënave?
Shtohet kërkesa
Prej shumë vitesh në Republikën Federale të Gjermanisë ka një serë iniciativash, që këshillojnë mbi mbrojtjen e të dhënave. Deri tani ata vizitoheshin vetëm nga disa pak persona të interesuar. Shoqata "Kurajo Digitale", me qendër në Bielefeld, kohët e fundit festoi 25 vjetorin pa shumë publicitet. Tani gjithcka është ndryshe. "Ne kemi shumë vizitorë, që na pyesin se si mund të mbrojnë telekomunikacionin e tyre", thotë Rena Tangens e kësaj shoqate. Përpiqemi të ndihmojmë me shumë këshilla praktike. Kurajo digjitale, për shembull, shet një software, që ia bën të pamundur ofruesve të internetit të kontrollojnë faqet e internetit, të cilat i ka vizituar përdoruesi. Rena Tangens pohon e çuditur: "Ne kemi shtuar turnet. Versioni i parë u shit pas një jave." Për një demonstratë kundër aksioneve të përgjimit me 7 shtator në Berlin ka shumë kërkesa. "Do të formohet një lidhje e gjerë me avokatë, mjekë dhe gazetarë", thotë Rena Tangens.
Për një interes të tillë të madh rrëfejnë edhe organizatorët e të ashtuquajturave Cryptopartys, ku qytetarët e zakonshëm marrin ndihmë për të mbrojtur kompjuterin e tyre nga ndërhyrjet. Por edhe ekspertët e internetit të klubeve të kompjuterit si C-Base në Berlin, apo RaumzeitLabor në Mannheim flasin për rritje të kërkesave. Kevin Price ofron prej më shumë se dhjetë vjetësh mësim për mbrojtjen e të dhënave. Kryetari shoqatës së partisë Pirate për landin e Saksonisë së Poshtme supozon se janë më pak veprimet e shërbimeve sekrete, ato që i bindin njerëzit për të mbrojtur të drejtat e tyre të privacisë, dhe më shumë keqpërdorimi i të dhënave nga firmat.
"Kush e di se unë blej shumë ëmbëlsira, apo ushqim tjetër të pashëndetshëm, mund të ma refuzojë mua anëtarësimin në sigurimin shëndetësor. Kush e di se unë nuk jam mirë me para, mund të më refuzojë një kredi ose të më ngrejë normat e interesit". Vizione të tilla duken se janë ende shumë larg për gjermanët.
Sondazhet dëshmojnë një farë indiference
Disa sondazhe të instituteve për hulumtimin e opinionit gjatë ditëve të fundit bëjnë të qartë ngurrimin e qytetarëve. Sipas grupit hulumtues për zgjedhjet vetëm katër për qind e të anketuarve i vlerësojnë aksionet e përgjimit të shërbimeve sekrete si një çështje të rëndësishme politikisht. Një studim nga TNS Emnid me porosi të kanalit televiziv gjerman të lajmeve N24 tregoi se 55 për qind nuk ndihen të kërcënuar nga shërbimet e fshehta. Infratest dimap mësoi për ARD, se dy të tretat e rreth 1000 personave të anketuar nuk janë të kënaqur me mënyrën se si qeveria reagon ndaj metodave të përgjimit. Por shumica është e mendimit, se kjo nuk ka rëndësi për vendimin e tyre në zgjedhjet parlamentare në vjeshtë.
Kur sheh komentet në bloget dhe forumet e e shumta gjermane të internetit, dalin vazhdimisht të njëjtat argumente. Kritikët thonë se të drejtat civile janë injoruar nga shërbimet sekrete. Po të mungojë tani rezistenca e qytetarëve, ky do të ishte fillimi i përmasave të rrezikshme. Pastaj edhe të dhënat për sipërmarrjet tregtare mund të bien në duar të gabuara. Ekziston rreziku që të rrëshqasësh pa faj për shembull në një hetim kundër terrorizmit.
Por shumica shkruajnë, se shërbimeve sekrete u duhet të mbledhin sa më shumë të dhëna në mënyrë që të parandalojnë me sukses bombardimet dhe sulmet terroriste. Ato më shumë pashqetësuarit mendojnë se NSA nuk i shërbejnë informacionet për ankandet private në eBay. Edhe që Gjermania është në plan të parë të përgjimeve, është e shpjegueshme gjithashtu. Fundja disa prej atentatorëve terroriste të 11 shtatorit 2001 vinin nga Hamburgu. Në atë kohë as SHBA, as shërbimet sekrete gjermane nuk i patën ato në shënjestër.
Në një pikë janë të një mendimi pothuajse të gjitha komentet ne forumet e internetit. Qeveria gjermane ka ditur më shumë rreth aksioneve të përgjimit, nga sa ajo pranon.