1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të sillesh me traumën e terrorit e frikës

21 Gusht 2017

Për shumicën nga ne, frika nga terrorizmi është abstrakte. Por çfarë ndodh me njerëzit, që bëhen me të vërtetë viktima të një atentati terrorist?

https://p.dw.com/p/2iWxj
Deutschland Trauer nach Anschlag am Breitscheidplatz
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Statistikat, në bazë të të cilave, më shumë gjasa ka që të të godasë një rrufe, se sa të biesh viktimë e një atentati terrorist, mund të qetësojnë ata, që vërtet kanë frikë nga terrorizmi, por që e njohin atë vetëm nga mediet. Por si është puna me ata që kanë qenë të pranishëm në një akt terrorist? Si e ndien veten dikush që ka përjetuar se si një frikë abstrakte, e largët bëhet papritur realitet?

Sulmi i qëllimshëm, shkatërrim maksimal psikik

Kriza paniku, vuajtje shpirtërore, dëshpërim. "Ekziston një numër i madh reagimesh të mundshme", thotë Andreas Heinz, drejtuesi i Klinikës për Psikiatrinë dhe Psikoterapinë në spitalin Charite në Berlin. "Tek disa njerëz shfaqen çrregullime stresante posttraumatike, tek të cilët ngjarja mizore përjetohet herë pas here në mendime ose rikthehet në formën e makthit. Këta persona tërhiqen shpesh fort nga jeta dhe përpiqen që të shmangin çdo kujtim për atë që ka ndodhur." Heinz e njeh gjendjen e viktimave të terrorit dhe të torturave, ai i ka shoqëruar ata në disa projekte në Afganistan..

Një atentat terrorist bën efekt kaq lëndues psikologjik, sepse ai sulmon në mënyrë të qëllimshme njerëz me cilësi të caktuara, shpjegon Heinz. Varësisht se për cilin lloj terrori bëhet fjalë, mund të jetë ngjyra e lëkurës, gjinia ose përkatësia fetare - ose një përkatësi shtetërore perëndimore. "Kur të sulmojnë për shkak të llojit të njeriut që je, atëherë kjo ka gjithmonë pasojat më të këqia psikologjike", thotë Heinz.

Terapia e traumës: shpesh jo e nevojshme

Nuk është për t'u çuditur, që reagimet e para pas një përjetimi, si një atentat terrorist, janë të ashpra. "Edhe tërbimi, agresioni dhe ndjenjat e hakmarrjes mund të jenë emocionet e para", thotë Olaf Schulte-Hebrüggen, mjek specialist për psikiatrinë dhe psikoterapinë. Si terapet për traumat ai kujdeset edhe për trajtimin e viktimave të dhunës në Berlin. Në këtë kuadër ai është marrë në Charite në Berlin edhe me viktimat e atentatit terrorist në Sheshin Breitscheid.

Pamje simbolike: ore e terapise
Fotografi: picture-alliance / dpa

Këto reagime të para akute nuk janë në asnjë mënyrë patologjike, por krejt normale, thotë Schulte-Hebrüggen. Kjo u duhet përcjellë patjetër pacientëve. "Këta njerëz i ndiejnë reagimet akute shpesh si kërcënuese ose vuajnë nën të ashtuquajturin stres të simptomave", shpjegon Schulte-Hebrüggen. Ky stres e keqëson vuajtjen edhe më tepër. Prandaj në 48-72 orët pas ngjarjes së frikshme lejohen të gjitha emocionet. Po pastaj? "Në fillim ne presim. Në traumatologjia për një kohë të gjatë mbrohej teza, se çdo njeri, që ka përjetuar një gjë kaq të keqe, duhet të sëmuret", thotë Schulte-Hebrüggen. "Por shumica e njerëzve nuk sëmuren as pas ngjarjeve më të rënda".

Rikthimi në jetë

Disa njerëz kujtimet i mundojnë edhe javë ose muaj më vonë. "Shumë njerëz vijnë tek unë dhe dëshirojnë nga unë që t'i çliroj nga kujtimet e tyre", thotë Schulte-Hebrüggen. Dëshirën për fshirjen e kujtesës, terapeti i traumës nuk mund t'ua plotësojë. Në vend të kësaj, ai punon ndër të tjera me të ashquajturën terapi të ekspozimit: "Terapeti e konfronton për këtë pacientin me situatën që i ka shkaktuar frikën, në këtë rast me kujtimin për këtë situatë dhe pacienti mund të bëjë përvojën, që nuk i ndodh asgjë."

Nganjëherë, në plan afatgjatë ndodhin gjëra pozitive. Njerëzit dalin më të fortë nga një ngjarje e tmerrshme. "Kjo quhet rritje posttraumatike", shpjegon Schulte-Hebrüggen. Këta njerëz janë të ndërgjegjshëm për të kaluarën e tyre dhe prandaj kanë mundësi të jetojnë në mënyrë më intensive. Por për fat të keq, këto raste nuk janë të shpeshta, thotë Schulte-Hebrüggen.