1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si Zgjedhjet për Parlamentin e BE bashkojnë qipriotët

12 Maj 2019

Prej 45 vitesh Qiproja është e ndarë. Zgjedhjet për Parlamentin e BE mund të ndihmojnë të afrohen të dyja palët. Për herë të parë një kandidat nga veriu qipriot del në zgjedhje për një parti qipriote greke.

https://p.dw.com/p/3IL6g
Zypern Europawahl l Niyazi Kızılyüreks Wahlwerbung
Fotografi: DW/S. Thierij

Askund tjetër në Qipro nuk është kaq i dukshëm konflikti sa në Famagusta, një qytet bregdetar, 80 kilometra në lindje të Nikozisë, në veriun e ishullit të ndarë mesdhetar. Që nga pushtimi turk në vitin 1974, një lagje e gjithë është shpallur zonë ushtarake: Varosia, një qytet fantazmë me hotele të braktisur, kinema, banka, dhe rreth 3000 dyqane bosh. Jo larg që këtej, brenda mureve të vjetra të Famagustas janë mbledhur rreth 40 të rinj qipriotë turq. Nga xhamia dëgjohet zëri i imamit që thërret kohën e faljes.

Studentët kanë vetëm një temë: Zgjedhjet për Parlamentin e BE. Arsye për këtë është takimi me Niyazi Kizilyürek, qiprioti i parë verior me shanse reale për një vend në Parlamentin e ri Europian. Ai është me origjinë turke, dhe kandidon për partinë më të madhe opozitare qipriote-greke, AKEL, edhe kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në Qipro. Si kandidati i vetëm ai viziton gati gjysmën e ishullit. „Kjo është një mundësi e vërtetë për mua të bashkoj të dyja palët. Jam si një element lidhës, sepse gjithmonë kam pasur të bëj me të dyja palët", thotë Kizilyürek. Prej vitesh 60-vjeçari angazhohet për paqen në Qipro: si profesor, autor, producent filmash dhe si politikan.

Zypern Europawahl l Nikosia
Në sfond zona e kontrolluar nga OKBFotografi: DW/S. Thierij

Edhe qipriotët veriorë janë qytetarë të BE

Në fushatën zgjedhore në veri fokusi nuk është tek reklamimi i partisë së tij. Në radhë të parë Kizilyürek do t'u sqarojë njerëzve, se edhe ata janë pjesë e BE. Në zgjedhjet e kaluara europiane e dhanë votën më pak se 2.500 vetë nga veriu, pra vetëm 3% e atyre, që janë të regjistruar. „Nuk e dija në të vërtetë, që mund të votonim, dhe nuk kam njohur asnjë kandidat", thotë studenti i biologjisë, Ceyhun Ipekcioglu. „Tani është dikush, që na kupton, që e kupton rininë dhe e di se me çfarë problemesh merremi ne këtu", shton shoku i tij, Buse Ozkan. „Ne duam të jemi pjesë e BE, një pjesë e Europës."

Zyrtarisht edhe Qiprioja e Veriut është pjesë e Bashkimit Europian, por e drejta europiane nuk vepron aty. Sepse pjesa veriore njihet vetëm nga Ankaraja. Megjithatë në verin e Qipros jetojnë afër 100.000 qipriotë turq me pasaportë europiane - të drejtën për këtë e kanë të gjithë ata, paraardhësit e të cilëve kanë qenë qipriotë. Me qëllim që ata të votojnë në zgjedhjet në fund të majit, qeveria qipriote greke po ngre 50 lokale zgjedhore përgjatë vijës së gjelbër, një zonë e ndërmjetme, që ende kontrollohet nga 1000 ushtarë të OKB-së.

Zypern Europawahl l Niyazi Kızılyürek mit einem Wähler
Niyazi Kizilyürek me një votuesFotografi: DW/S. Thierij

Paqja e ftohtë

Që nga koha kur Turqia, para katër dekadash, pushtoi veriun, njerëzit në këtë zonë jetojnë gati të izoluar. Vetëm në vitin 2003 u hapën kufijtë mes veriut dhe jugut. Megjithatë ndarja është e kudogjendur. Dy valuta, dy rrjete celularësh, dy gjuhë. Sondazhet tregojnë, se më shumë se gjysma e qipriotëve mbështet bashkimin e ishullit, por procesi i paqes është i bllokuar. „Nuk ka dhunë, por është një situatë si një lloj paqe e ftohtë", thotë Mete Hatay, studiues në Institutin e Studimeve të Paqes të Oslos, dega e Nikozisë. „Jeta vazhdon normalisht, në një situatë tërësisht anormale.  Kjo u shkakton frikë njerëzve, megjithatë mungon ajo emergjenca e duhur për të ndryshuar diçka."

Esra Aygin raporton prej më shumë se 20 vitesh për konfliktin në vendlindjen e saj. Me kandidaturën e Niyazi Kizilyürek mund të ndryshojë diçka, thotë ajo. „Njerëzit gjithmonë kanë besuar, se një qipriot turk asnjëherë nuk mund të përfaqësojë një qipriot grek. Ose se një ide që është e mirë për Qipron veriore është e keqe për jugun." Gazetarja thotë, se Niyazi i thyen këto tabu, edhe nëse nuk zgjidhet ai shënon histori.

Por ka edhe kritika. Për shkak se ai kandidon për një parti qipriote greke, jo të gjithë në veri mendojnë, se ai do të përfaqësojë edhe interesat e tyre. Nga ana tjetër partia AKEL nuk mbështeti para 15 vjetësh bisedimet e paqes të planit Annan, që do të bashkonte ishullin.

Turqisht së shpejti në Parlamentin Europian? 

Niyazi Kızılyürek udhëton çdo ditë në fshatra që të arrijë të bindë njerëzit. Fushatën ai e zhvillon si në turqisht ashtu edhe greqisht. Për të hyrë në PE atij i duhen të paktën 17.000 vota pavarësisht nga cila anë. Sondazhet kësaj here thonë, se në këto zgjedhje shumë më tepër qipriotë veriorë do të shkojnë të votojnë, rreth 80% madje mund të votojnë për Kizilyürek. „Kush më voton mua, voton një ide", thotë ai. „Çdo votë nuk është vetëm votë për dikë që do të hyjë në Parlamentin Europian, por edhe një votë për paqen, pajtimin dhe jetën e përbashkët." Për Kizilyürek kjo do të thotë edhe një hap në drejtim të pjesëmarrjes së njëjtë. E nëse do të votohet ai do të flasë turqisht në Parlamentin Europian.