1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siemens bën biznese fitimprurëse rekord në Egjipt

dk/ tko (dpa, rtr, afp)4 Qershor 2015

Siemens mori një porosi prej miliardash nga Egjipti. Koncerni teknologjik do të ndërtojë në këtë vend të Afrikës së Veriut tri termocentrale me gaz dhe parqe me turbina ere, me një vëllim prej tetë miliardë eurosh.

https://p.dw.com/p/1FbWU
Takimi Gabriel Al Sisi
Fotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Gjatë vizitës shtetërore të Presidentit të Egjiptit Abdel Fattah al-Sissi në Gjermani, Siemens lidhi me Egjiptin marrëveshje në vlerën e tetë miliardë eurove. Koncerni industrial do të ngrejë në vend së bashku me partnerët egjiptianë tri termocentrale që punojnë me gaz dhe deri dymbëdhjetë parqe me rreth 600 turbina ere, bëri të ditur sipërmarrja të mërkurën (03.06.). Veç kësaj do të ndërtohet një fabrikë për prodhimin e fletëve metalike të turbinave me erë. Deri një mijë vende pune dhe kualifikimi do të krijohen në këtë mënyrë në Egjipt.

Tri termocentralet do ta nisin punën për dy vjet dhe do të arrijnë një kapacitet të përgjithshëm prej 14,4 gigavat. Sipas Siemensit, pas përfundimit ato do të jenë termocentralet më të mëdha të botës. Koncerni me qendër në Mynih ka më shumë se 150 vjet që është aktiv në Egjipt. Në Egjipt ka një mungesë kronike për energji elektrike.

"Partneritet i gjerë"

Porositë për koncernin e Siemensit u nënshkruan në prani të al-Sisit dhe të ministrit federal Gjerman të Ekonomisë, Sigmar Gabriel. Deklarata për synime të tilla u nënshkruan në mars, në një konferencë ndërkombëtare ekonomike në Sharm el Sheik. Gabriel theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Egjipt ai pati folur shumë hapur me al-Sisin për pikat e mosmarrëveshjeve si dënimi me vdekje.

Zëvendëskancelari Gabriel theksoi se Gjermania dëshiron jo vetëm të bëjë biznes me Egjiptin, por edhe ta ndihmojë atë në rrugën e tij të vështirë të demokracisë. "Ne duam të jemi një partner i shumëanshëm dhe të mos e reduktojmë partneritetin vetëm në temën e marrëdhënieve ekonomike", tha ai në një pritje për al-Sisin.

Këtë vit, në Egjipt pritet një rritje ekonomike prej mbi katër përqind. Ҫlodhja e ekonomisë është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse Egjipti luan një rol të madh për stabilitetin e botës arabe, theksoi Gabriel. Tregtia gjermano-egjiptiane shënoi në vitin 2014 një rritje me 20 përqind, duke arritur shumën e 4,4 miliardë eurove. Al- Sisi i ftoi sipërmarrjet gjermane që të investojnë në vendin e tij. Meqenëse ekonomia gjermane dëshiron të bëjë dicka edhe për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale, "kjo do të jetë një vlerë tjetër e shtuar për Egjiptin", tha ai.