1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran IAEA

9 Nëntor 2011

Tone të qarta nga fuqitë botërore: Irani ka punuar për prodhimin e bombës bërthamore, sipas të dhënave të agjencisë vjeneze IAEA. Kërcënon një luftë e re Lindjen e Mesme? A është gati Izraeli për një sulm kundër Iranit?

https://p.dw.com/p/137IA
Drejtori i IAEA-së, Yukiya Amano
Drejtori i IAEA-së, Yukiya AmanoFotografi: AP

Ky është raporti më i plotë deri tani për Iranin i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, (IAEA), i cili u bë publik ditën e martë (08.11.2011): Në mënyrë të përpiktë, autoriteti në Vjenë rendit detaje të reja për armët bërthamore të Iranit. Vendi ka punuar deri vitin e kaluar në drejtim të prodhimit të një bombe atomike. Por kërkimet përkatëse mund të zgjasin, thuhet më tej në raportin 25 faqësh.

Izraeli jep alarmin

Udhëheqësja e opozitës izraelite Zipi Livni u shpreh e alarmuar. "Tani, ku e vërteta u zbulua para syve të botës, Izraeli duhet të mobilizojë botën e lirë që të ndalojë Iranin". Në mediet izraelite ishte spekulluar se për një sulm të mundshëm ushtarak kundër impianteve atomike iraniane duhet të kishte prova të reja për një program atomik të tillë. Presidenti i Izraelit Shimon Peres kishte bërë të qartë në fundjavë se një sulm i Izraelit dhe vendeve të tjera ndaj impianteve atomike iraniane po bëhet "gjithmonë e më i mundshëm".

Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak
Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud BarakFotografi: dapd

Por ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak u përpoq të martën t'i largonte shqetësimet për rrezikun e një lufte të afërt me Iranin. "Një luftë nuk është piknik, dhe ne nuk duam luftë", tha Barak për radion izraelite. "Izraeli nuk është ende i vendosur për një ndërhyrje ushtarake". Sipas medieve, Britania e Madhe kishte sinjalizuar gatishmërinë e saj për të mbështetur një sulm ushtarak të SHBA-së. Por një luftë ndaj Iranit do të kishte pasoja të pallogaritshme paralajmëruan menjëherë Franca, Rusia dhe Gjermania.

Irani parapërgatit testet atomike

Autoritetet paraqesin në raport prova që Irani ka punuar për zhvillimin e një arme nukleare dhe tashmë ka ndërmarrë testime të komponentëve individualë për një kokë shpërthyese të raketës atomike. Lidhur me këtë ka dëshmi për përgatitjen e një testi atomik, të cilën Irani po provon ta bëjë në nëtokë.

Në raportet e mëparshme, autoriteti në Vjenë kishte raportuar tashmë për përpjekjet e Iranit për prodhimin e uranit dhe plutonit. Në raportin e fundit ata koncentrohen në përpjekjet e dyshuara për të mbushur me material radioaktiv kokat shpërthyese nukleare dhe për të arritur ndërtimin e raketës.

IAEA në Vjenë
IAEA në VjenëFotografi: dapd

IAEA bazohet në burime të ndryshme

Vazhdimisht agjencia në Vjenë, IAEA, thekson se të dhënat e saj ajo i ka bazuar në burime të shumta. "Informacionet që formojnë bazën e shqetësimeve dhe analizën e autoritetit do të vlerësohen si të besueshme nga IAEA ja. Ato vijnë nga burime të pavarura dhe të shumëllojshme, para së gjithash nga pamjet satelitore dhe nga informacionet e dhëna nga vetë Irani.

"Informacionet flasin se Irani ka punuar për zhvillimin e një koke shpërthyese të raketave atomike, shkruan shefi i IAEA-së, Yukiya Amano. Raporti numëron në hollësi një sërë eksperimentesh nukleare.

Rusia është gjithmonë për zgjidhje diplomatike

Rusia, që është më pak kritike ndaj Iranit dhe që vendit i ka dërguar centralin e tij të parë atomik edhe më tej është për një rrugë diplomatike. Rusia është "thellësisht e zhgënjyer dhe e befasuar" nga raporti, thuhet në Ministrinë e Jashtme në Moskë. Nga publikimi mund të ulen shanset për rifillimin e bisedimeve mes fuqive botërore dhe Iranit.

Po ashtu përpjekjet diplomatike lidhur me konfliktin për programin atomik iranian deri tani kishin vënë në lëvizje vetëm pak presionin për ashpërsimin e sanksioneve. Për shkak të anëtarësimit të tij në IAEA dhe të nënshkrimit të Marrëveshjes për ndalimin e prodhimit të armëve bërthamore në 1979, Irani është i detyruar që të paraqesë hapur programin e tij nuklear tek IAEA.

Irani vazhdon t'i mohojë të gjitha

Megjithatë Irani pas publikimit të raportit të IAEA-së theksoi përsëri se nuk ka asnjë program sekret të armëve atomike. Teherani do të vazhdojë kursin e tij, tha presidenti Mahmud Ahmadinexhad. Ai paralajmëroi në të njëjtën kohë Izraelin dhe SHBA -në për pasoja të rënda në rastin e një sulmi ndaj Iranit.

SHBA dhe aleatët e saj pas paraqitjes së raportit mund të kërcënojnë me sanksione të ashpra kundër Iranit, eksportuesi i pestë më i madh në botë i naftës.

Autorin: (dpa, afp, rtr) Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi