SIPRI: Bota vazhdon të armatoset
9 Dhjetor 2019Edhe viti 2018 ka qenë vit i "mbarë" për 100 koncernet më të mëdha të armatimit në botë. Fitimet e tyre janë rritur. Në total fitimi i tyre arriti vlerën e 420 miliardë dollarëve, 4,6% më shumë se në vitin 2017. Krahasuar me fitimet e vitit 2002, madje fitimet në sektorin e armatimit në botë kanë pësuar një rritje prej 47%. Ky është konstatimi i "Institutit të Stokholmit për Studimet Ndërkombëtare të Paqes", SIPRI në studimin e publikuar për fitimet e 100 koncerneve kryesore botërore.
Në vendet e para renditen pesë koncernet më të mëdha amerikane. Edhe ato europiane i kanë rritur fitimet, edhe pse me 0,7%. Ato arritën një xhiro prej 102 miliardë dollarë, kurse fitimet e firmave ruse kanë rënë me 0,4%, gjithsej 36,2 miliardë dollarë.
SHBA në krye
Për herë të parë nga viti 2002 janë sërish pesë koncerne amerikane që kryesojnë grupin e koncerneve më të mëdha të armatimit. Fitimet e tyre zënë 35% të xhiros së 100 koncerneve kryesore në botë. Në vendin e parë qëndron koncerni Lockheed Martin, i cili e rriti fitimin me 5,2% në vitin 2018. Shtimi i fitimit i dedikohet rritjes së shitjeve të avionit luftarak, F-35 për qeverinë amerikane dhe vende të tjera.
Koncerni i dytë më i madh, Boeing me një xhiro prej 29,3 miliardë dollarësh amerikanë i ka rritur fitimet, sipas një dokumenti të administratës shtetërore amerikane "për shkak të një konkurrence strategjike ndërshtetërore". Në këtë dokument thuhet, se qeveria amerikane i del ballë konkurrencës me sfiduesit e saj, Kinën dhe Rusinë. Qeveria amerikane ka marrë angazhimin në vitin 2017 që ta zgjerojë programin e saj ushtarak.
Britania e Madhe aktor i rëndësishëm
Nga Europa vijnë 27 nga 100 koncernet më të mëdha botërore. Prodhuesi më i madh i armëve në Europën Perëndimore mbetet Britania e Madhe e ndjekur nga Franca. Tek britanikët koncerni më i madh është BAE Systems ka 83.000 punëtorë. Prodhuesit e armëve në Britaninë e Madhe arritën një fitim prej 35,1 miliardë dollarë në vitin 2018, kurse konkurrentët e tyre në Francë kanë arritur vetëm një fitim prej 23,2 miliardë dollarë. Pjesa e koncerneve gjermane në biznesin e armatimit në botë ka rënë në vitin 2018 me 3,8%.
Rusia rikthehet në skenë
Firmat ruse arritën një fitim prej 36,2 miliardë dollarë duke zënë kështu 8,6% të prodhimit botëror të armëve. Nga viti 2009 është rritur pjesëmarrja e firmave ruse në fitimet që sjell biznesi i armëve. "Kjo lidhet me investimet në rritje të Rusisë në prodhimin e armëve, në koordinim me një plan për modernizimin e armatimit në periudhën 2011-2020, si edhe në masë më të vogël në rritjen e eksporteve. Tek lista e 100 koncerneve kryesore botërore të prodhimit të armëve renditen ato nga Izraeli, India, Koreja e Jugut, Turqia, Australia, Kanadaja, Singapori.