Refugjatë sirianë në Jordani
16 Gusht 2012Furtuna rëre, nxehtësi dhe mungesë uji, edhe mungesë perspektive dhe mërzi - këto janë ato që karakterizojnë gjendjen e refugjatëve në dhe midis çadrave në Za'tari. Në kampin që ndodhet në mes të shkretëtirës së Jordanisë veriore dëgjohet tundja në erë e mbulesave të çadrave. Furtuna rëre përshkojnë ultësirën e shkretëtirës. Pa pushim dëgjohet uturima e motorëve të kamionëve, të cilët transportojnë dyshekë. Edhe cisterna uji, ushqime dhe enë gatimi sillen në kamp.
Situata në kamp është e tensionuar. 5000 refugjatë janë strehuar këtu që prej fundit të qershorit, në një sipërfaqe shumë të ngushtë, pesë vetë në 16 metra katrorë. Tani kapaciteti do të zgjerohet fillimisht me 40.000 vende dhe më pas kampi do t'u ofrojë mbrojtje 100.000 refugjatëve, raporton drejtuesi i UNHCR, Andrew Harper: " Ne patëm shpresuar gjithmonë që nuk do të na duhej t'i strehonim refugjatët në kampe. Sepse rreth 150 mijë vetë jetojnë deri tani te shokë, të afërm ose kanë marrë vetë ndonjë banesë me qira. Por tani ne kemi arritur limitin. Nuk ka më banesa private në dispozicion."
Ngushtica në kampin e Za'tarit ndihet kudo. Asnjë rrugë nuk është e siguruar, pluhuri i kuq në kafe vërtitet gjithmonë në ajër, ulet mbi flokë dhe lëkurë dhe në veshje. Shumë refugjatë mbajnë një maskë mbrojtjeje në gojë. Ata kanë frikë nga sëmundjet e frymëmarrjes.
Kushte më të mira me infrastrukturë më të mirë
Punimet e para të ndërtimit kanë nisur. Organizata Gjermane për Mbrojtjen nga Katastrofat (THW) shtron linjat e energjisë elektrike dhe instalon ndriçime në rrugë, në mënyrë që njerëzit të kenë më në fund dritë midis çadrave dhe të mos detyrohet të hanë vetëm në dritën e llampave të gatimit me gaz. Vende furnizimi me ujë, të ndara veç për femrat dhe veç për meshkujt janë shpërndarë në distanca të përcaktuara nëpër të gjithë territorin. WC kimike janë vendosur në shumë vende. Po punohet për të ngritur dushe. Një spital fushor francez është ngritur.
Një ekip lëvizës mjekësor i ndihmës së parë ndihmon në raste plagësh të vogla, por refugjatë të plagosur më rëndë dërgohen në spitalin shtetëror në qytetin e afërt provincial Mafraq. Vetëm aty mund të kurohen në mënyrë profesionale plagët e të shtënave ose ftohje të rënda. Çdo ditë në spital shkojnë 25 ambulanca me të sëmurë.
Janë më të varfrit e më të varfërve që kanë ardhur këtu- shpesh vetëm me rrobat e trupit. 75 përqind e refugjatëve janë gra dhe fëmijë. Pikërisht gratë, të cilat janë të shqetësuara për shëndetin e fëmijëve të tyre janë të dëshpëruara. Nëna Um Ali ankohet: "Shumë vuajnë që tani nga azma dhe kruajtja e syve, nga rëra e pafundme. Nuk është jetë kjo në kamp. Më mirë atje ku ishim? Jo, në asnjë mënyrë, atëherë më mirë këtu."
Mërzi dhe pak perspektivë
Të rinjtë u drejtohen vizitorëve të huaj dhe duan që për ta të bëhet më tepër. Ata mërziten, nuk ka vende për sport, nuk ka lojëra, nuk ka shkolla këtu. Ata duan të kenë mundësi ta largohen nga kampi.
Jordania me gjashtë milionë banorët e saj është e mbingarkuar nga refugjatët. Para së gjithash mungesa e ujit sjell probleme. Ndihma Gjermane për Zhvillimin ka vënë në dispozicion dhjetë milionë euro, 8,5 milionë prej tyre janë për furnizimin me ujë të pishëm, për ndërtimin e puseve dhe pajisjet e pastrimit të ujit.