Skepticizëm dhe shpresa ndaj bisedimeve për paqe në Lindjen e Mesme
14 Gusht 2013Prej javësh të tëra në Izrael po diskutohet për lirimin e 104 të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite për veprimtari terroriste. "Ndonjëherë ka momente në të cilat kryeministri duhet të marrë vendime të vështira për të mirën e kombit," tha kryeministri Netanjahu duke komentuar vendimin për lirimin e të burgosurve palestinezë. Ai tha gjithashtu se e dinte se sa e dhimbshme është kjo. Por lirimi i tyre ishte një nga kërkesat e udhëheqjes palestineze në Ramallah dhe kushti që ajo të ulet përsëri në një tavolinë me negociatorët izraelitë. Këto masa pritet t'u hapin rrugën bisedimeve të drejtpërdrejta mes palestinezëve dhe izraelitëve që janë bllokuar prej tre vjetësh. Bisedimet do të fillojë të mërkurën (14.08.) në Jeruzalem.
Pak mirëkuptim për amnistinë
Shumë prej familjeve të viktimave po reagojnë me zemërim dhe pikëllim për këtë amnisti. Komiteti ministror izraelit përcaktoi të dielën (11.08.) emrat e 26 të burgosurve të parë palestinezë të cilët do të lirohen në kuadrin e bisedimeve të reja të Lindjes së Mesme nga burgu. Disa nga të arrestuarit janë tashmë më shumë se dy dekada në burg. Pothuajse të gjithë për krime vrasjeje apo bashkëfajësi në sulme terroriste. Pas publikimit të listës familjet e viktimave kishin 48 orë kohë në dispozicion për paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme në Jeruzalem. Por sikurse edhe pritej gjyqtarët i hodhën poshtë paditë e familjeve të viktimave.
"Unë nuk jam i gatshëm ta pranojë vendimin e qeverisë sonë. Pse duhet t'i lëmë të lirë gjithë këta vrasës që kanë gjak në duart e tyre, që Mahmoud Abbas të ulet në tryezë dhe të negociojë për paqen?" - thotë Ayelet Tamam, që ka ardhur të demonstrojë kundër lirimit të të burgosurve palestinezë.
Pa lirimin e të burgosurve bisedimet nuk mund të shkojnë përpara
Edhe pse të paktë në Izrael ka edhe zëra që janë dakord me lirimin e të burgosurve palestinezë. Robi Damelin, zëdhënëse e OJQ-së "Parents Circle" që përpiqet për pajtimin mes palestinezëve dhe izraelitëve thotë se ky është çmimi që duhet të paguajmë, sepse pa lirimin e të burgosurve palestinezë nuk mund të ketë bisedime për paqe.
Robi Dameilin vetë ka humbur të birin 28-vjeçar, të cilin e vrau një snajpersit palestinez.
Skepticizëm dhe shpresa në anën palestineze
Si përgjigje për lirimin nga qeveria izraelite të të burgosurve afatgjatë edhe palestinezët duhet të gëlltisin një pilulë të hidhur. Disa orë para shpalljes së lirimit të të burgosurve qeveria izraelite njoftoi ndërtimin e mbi 1000 banesave të reja në vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan në Jeruzalemin lindor që është i anektuar. Popullsia palestineze, tashmë skeptike, i sheh këto njoftime si një dëshmi se pala izraelite nuk është serioze në lidhje me negociatat. Së pari, megjithatë shumë palestinezë po presin lirimin e 26 të burgosurve të parë.