Slloveni: Qeveria e Janshës humb shumicën në parlament
24 Janar 2013Kryeministri slloven Janez Jansha paralajmëroi se këtë të enjte (24.02.) do të bëjë publik reagimin e tij të daljes së Listës Qytetare nga koalicioni qeverisës dhe fatin e qeverisë së tij.
Lista qytetare si partnere e re e Partisë Demokratike të kryeministrit Janez Jansha u largua nga koalicioni i qendrës së djathtë. Këtë e njoftoi shefi i partisë Gregor Virant. Për sot dorëheqjet e tyre i kanë paralajmëruar edhe ministri i Financave, Janez Shushtershiq dhe ministri i Drejtësisë, Senko Pliçaniq, të cilët po ashtu janë anëtarë të Listës Qytetare. Daljen nga koalicioni qeverisës e ka paralajmëruar edhe Partia Demokrate e Pensionistëve. Në këtë mënyrë koalicioni i kryeminsitrit Jansha nuk e ka më shumicën në parlamentin në Lubjanë.
Në arsyetimin e Listës qytetare thuhet se Jansha nuk pranoi kërkesën e tyre për të dhënë dorëheqjen. Kërkesa për dorëheqje ishte bërë pas akuzave të zyrës shtetërore antikorrupsion kundër kryeministrit. Jansha nuk ka arritur të shpjegojë origjinën e 210.000 € në llogarinë e tij bankare private. Kryeministri ka mohuar akuzat dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër zyrës antikorrupsion.
Protesta kundër reformave në mbarë vendin
Kryeministri Janez Jansha në një intervistë dhënë një radioje lokale sllovene ka deklaruar mbrëmë (23.01.) se sa i përket ultimatumit për të dhënë dorëheqjen, ai nga parlamenti nuk ka marrë asgjë zyrtare ndërsa në takimin me anëtarët e koalicionit ai ka provuar "që të sqarojë pasojat, të cilat mund të shkaktohen nga një jostabilitet i gjatë politik në rast të shpërbërjes së koalicioni qeverisës."
Sllovenia po kalon nëpër një krizë të vështirë ekonomike dhe e presin reforma të rëndësishme. Kundër këtyre reformave të mërkurën në mbarë vendin përmes një greve protestuan dhjetëra mijëra qytetarë. Bëhet fjalë për kursime në sektorin e shërbimeve publike dhe shkurtime në sistemin pensional. Po ashtu është planifikuar që të lehtësohet ndërprerja e kontratave të punës në ekonomike private. Përveç kësaj duhet të rimëkëmben edhe bankat e futura në krizë.
Autor: Esat Ahmeti (beta, dpa, afp)
Redaktoi: Auron Dodi