Spanja, SHBA, Rusia dhe Finlanda - Pro dhe kundra pavarësisë së Kosovës
8 Dhjetor 2009Spanja thotë se Deklarata e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Concepcion Escobar Hernandez, këshilltare në ministrinë e Jashtme, nënvizoi se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk ka miratuar asnjë dokument relevant për pavarësinë e Kosovës. „Deklarata krijon një shtet të ndarë nga Serbia, që është në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Deklarata është në kundërshtim me Rezolutën 1244," theksoi ajo.
Spanja : Nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare
Përfaqësuesja e Spanjës u angazhua për respektimin e parimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të shteteve dhe respektimin e Rezolutës 1244 KS i OKB. Sipas saj, Rezoluta 1244 parashikon autonominë e Kosovës brenda Jugosllavisë, ndërkohë që plani i Ahtisarit nuk është miratuar nga KS i OKB-së dhe nuk mund të shërbejë si bazë për zgjidhjen e statusit. „Deklarata e pavarësisë nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare," theksoi përfaqësuesja e Spanjës duke shtuar se zgjidhja mund të arrihet vetëm me negociata dhe me marrëveshjen e të dy palëve.
SHBA-ja është vend mik i Serbisë dhe Kosovës
Përfaqësuesi i SHBA-së, Harold Hongju Koh, këshilltar në ministrinë e Jashtme ishte i mendimit të kundërt. Ai që në filllim theksoi se SHBA-ja është vend mik i Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa në pyetjen se a është deklarata e pavarësisë në përputhje me të dretjën ndërkombëtare, ai u përgjigj: Po!.
Përfaqësuesi amerikan rikujtoi se deri tani ka pasur në botë më shumë se 100 delarata të ndryshme të pavarësisë dhe anjë herë nuk është shtruar çështja e legjitimitetit të tyre para Gjykatës Ndërkombëtare. Hongju Koh poashtu tha se më parë pavarësinë e kanë shpallur me dokumente të ngjashme edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnje – Hercegovina dhe Maqedonia. „Deklarata paqësore e Kosovës ka për synim që në Ballkan të sjell paqë dhe stabilitet," tha ai, duke shtuar se deklarata nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244. Ai përmendi edhe zhvillimet nga e kaluara: „Mijëra kosovarë janë vrarë dhe më shumë se një milionë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Si mund të kërkohet prej shqiptararëve të jetojnë me Serbinë, kur janë bërë pastrime brutale etnike," tha ai.
Përfaqësuesi amerikan nënvizoi se negociatat kanë dështuar, ndërsa Deklarata e pavarësisë është bërë në bazë të sugjerimeve të Marti Ahtisarit. Deklarata ka për bazë faktet si shkatërrimi i Jugosllavisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe ndërhyrja e forcave ndërkombëtare.
Kosovën e kanë mbështetur mbi 120 vende të ndryshme
Kosova ndërkohë është njohur prej 63 vendeve, duke përfshirë edhe shumicën e ish – republilkave të Jugosllavisë. Në forma të ndryshme si shtet të pavarur apo në procesin e anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare, Kosovën e kanë mbështetur deri tani mbi 120 vende të ndryshme, theksoi përfaqësuesi amerikan. "Deklarata është në përputhje jo vetëm me të drejtën ndërkombëtare por edhe me rezolutën 1244,“ theksoi ai.
Sa i përket pohimeve të Beogradit se Kosovës i sigurohet autonomia e gjerë brenda Serbisë, ai rikujtoi rastin e Millutinoviqi në Tribunalin e Hagës, ku është konstatuar se Serbia ka bërë krime në Kosovë dhe ka udhëhequr një politikë shkatërruese.
Rusia : Kosovarët nuk kanë të drejtën e vetvendosjes
Ambasadori i Rusisë në Holandë, Kiril Govergian tha se kosovarët nuk kanë të drejtën e vetvendosjes, sepse këtë nuk e parashikon asnjë dokument ndërkombëtar, as Komisioni i Badenterit, as KS i OKB-së, as Marrëveshja e Rambjujesë apo Rezoluta 1244.
Kosova është administruar dhe administrohet prej bashkësisë ndërkombëtare, në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB, tha ai, duke shtuar se çdo përpjekje për ndryshimin e saj është ilegal.
Përfaqësuesi rus pohon se statusi mund të zgjidhet vetëm me marrëveshje dhe negociata. Fakti që negociatat kanë dështuar nuk do të thotë se duhet të ndërpriten, theksoi ai duke shtuar se plani i Ahtisarit nuk mund të jetë bazë për zgjidhjen e statusit. „Rezoluta 1244 parashikon ruajtjen e integritetit territorial. Zgjidhja duhet të arrihet me marrëveshje mes të dy palëve dhe të miratohet prej KS të OKB-së. Nuk mund të ketë zgjidhje të njëanshme. Ndërkohë që plani i Ahtisarit nuk mund të shërbejë si bazë për zgjidhjen e statusit," theksoi ai duke konstatuar se: "Asnjë institucion nuk ka të drejtë të shpallë pavarësinë e njëanshme të Kosovës.“
Finlanda mbështet pavarësinë e Kosovës
Për dallim prej Rusisë, Finlanda mbështeti pavarësinë e Kosovës. Këshilltarja në ministrinë e Jashtme, Päivi Koukoranta, përmendi zhvillimet e mëparshme që sollën deri tek pavarësia, siç janë heqja e autonomisë prej regjimit të Millosheviqit, spastrimet etnike, ndërhyrja ushtarake etj. Parimi i integritetit territorial nuk vlen në këtë rast, theksoi duke shtuar se rasti i Koovës është një rast i veçantë. "Procesi që ka cuar deri tek pavarësia është sui generis, ndërsa deklarata nuk është miratuar nga organet e përkohshme, por nga përfaqësuesit legjitim të Kosovës".
Përfaqësuesi tjetër i Filandës, Martti Koskenniemi theksoi se jo vetëm Ahtisari por edhe Trojka ndërkombëtare ka konstatuar se negociatat kanë dështuar dhe se palët nuk ishin në gjendje të arrinin marrëveshje.
Autor : Bahri Cani
Redaktoi : Aida Cama