1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD diskuton qëndrimet e saj ndaj Rusisë

31 Janar 2022

Liderët politikë të SPD po diskutojnë sot qëndrimet e ndryshme brenda partisë për Rusinë.

https://p.dw.com/p/46KOA
Lars Klingbeil
Fotografi: Hannibal Hanschke/AFP/Getty Images

Ish-I ngarkuari i Parlamentit për Forcat e Armatosura, Hans-Peter Bartels, SPD, shprehu shpresën se do të propozohen masa të reja për të ndihmuar Ukrainën. Ne nuk mund të mjaftohemi me 5000 helmeta luftarake, i tha Bartels radios gjermane Deutschlandfunk. Ukraina tani ka nevojë për ndihmë shtesë për të penguar një sulm rus. Bartelsi përmendi si shembujjelekët antiplumb, pajisjet e shikimit natën dhe logjistikën. Por mund të dërgohet edhe municion.

Klingbeil: "Furnizimi me armë nuk sjell asgjë për momentin"

Gjermania kritikohet se nuk i ka bërë presion të mjaftueshëm Rusisë deri tani. Bashkëkryetari i SPD, Lars Klingbeil i tha ZDF mbrëmë se linja e SPD ishte shumë e qartë. Përshkallëzimi aktual vjen nga Rusia. Të gjitha opsionet janë në tryezë nëse Rusia sulmon Ukrainën, theksoi kreu i partisë. Lidhur me propozimin e ish-kreut të SPD-së dhe ish-ministrit të Jashtëm Sigmar Gabriel për një diskutim të hapur mbi furnizimet me armë në Ukrainë, Klingbeil tha se ishte i bindur në parim se furnizimet me armë ishin të padobishme në situatën aktuale.

Sigmar Gabriel
Fotografi: Muhammed Enes Yildirim/AA/picture alliance

Eksperti i politikës së jashtme të CDU-së, Norbert Röttgen tha për radion gjermane se armët shtesë nuk do të ishin një pengesë për epërsinë e Rusisë. Sanksionet ekonomike si mbyllja e gazsjellësit Nord Stream 2 në Detin Baltik në rast të një pushtimi të Ukrainës nga trupat ruse do të ishin më të rëndësishme.

Röttgen (CDU) kritikoi deklaratat e ish-kancelarit Schröder

Röttgen kritikoi gjithashtu deklaratat e ish-kancelarit Schröder për konfliktin në Ukrainë. Ish-kryetari i socialdemokratëve SPD, i cili tani kryeson bordet e dy koncerneve shtetërore ruse, e akuzoi Ukrainën për "vringëllim shpatash" në konfliktin me Rusinë. Röttgen tha se deklaratat e Schröder ishin "për të ardhur turp".

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet pasdite

Kriza ukrainase është këtë pasdite edhe në qendër të vëmendjes Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Debati i hapur i seancës u kërkua nga Shtetet e Bashkuara për të diskutuar "sjelljen kërcënuese" të Rusisë, sipas fjalëve të përdorura në Nju Jork. Nuk është më e përshtatshme thjesht të presim, tha ambasadori amerikan në OKB Thomas-Greenfield.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e akuzojnë Rusinë për grumbullimin e më shumë se 100.000 trupave në kufirin me Ukrainën dhe planifikimin e një pushtimi. Kremlini mohon se po planifikon një pushtim. Si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia ka të drejtën e vetos për çdo rezolutë që i paraqitet këtij organi.

dlf, ard